Nëna që na mëson ta meditojmë Ungjillin

Oct 7 • Meditimi i ditës

7 tetor 2019 – E hënë, Zoja Rruzare, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jon 1,1 – 2,1.11; Ps.: Jon 2,2-5.8; Lk 10,25-37)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
të çdo molekule dhe atomi, i çdo gjëje që ekziston, çdo gjëje që është:
Hyji është në çdo rrahje të sime zemër. Ai është në mua, tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin të Shenjtë.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 1, 26-38

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:

“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:

“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Çdo herë kur e vështrojmë këtë skenë duhet ta pyesim veten për dinjitetin tonë njerëzor dhe madhësinë që ne gëzojmë në sytë e Hyjit. Sa herë që lusim rruzaren e shprehim përshëndetjen e kryeengjëllit: “Të falemi, Mari, hirplote …” Dhe duke lutur rruzaren mendojmë për misteret nga jeta e Krishtit, në të cilën mori pjesë edhe Maria – Zoja e Bekuar.
  • Ta lusim Zotin, që me ndërmjetësinë e Marisë, Ati qiellor të na japë hirin e një kuptimi më të thellë të rruzares që e lusim dhe të mistereve (shenjave) për të cilat mendojmë.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem besim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«