A do të pëlqente ta kesh mysafir në shtëpinë tënde Jezusin?
8 tetor 2019 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jon 3,1-10; Ps 130,1-8; Lk 10,38-42)
Prania e Hyjit
Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.
Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,
e gjej paqen dhe pushimin.
Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;
zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.
Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mund të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.
Lk 10, 38-42
38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:
“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”
41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Kjo nuk është hera e vetme që Jezusi i thirr nxënësit e tij ” të pushojnë” nga puna. Të jesh nxënës për të është i një rëndësie primare. Puna është sigurisht e nevojshme, por të jesh vazhdimisht në punë mund të bëhet një preokupim më vete dhe të na shmangë nga takimi me Zotin.
- Si pasojë e punës së tepërt vjen thënia, “nuk kam kohë për t’u lutur!”
- O Zot, nuk do të njoh në qoftë se s`takohemi. Kuptimi i jetës është të të njoh Ty. Ashtu siç i thotë Jezusi Atit qiellor: “E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.” (Gjn 17,3).
Bashkëbisedimi
I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, atë çka ma thotë zemra,
si shoku shokut.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Muaji tetor në Kishën Katolike i kushtohet devocionit të Zojës Rruzare Si i lutem unë Zotit? »