A të ka ndodh të akuzosh njerizit për veprat e tyre të mira/shenjta?
11 tetor 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jl 1,13-15; 2,1-2; Ps 9,2-3.6.16.8-9; Lk 11,15-26)
Prania e Hyjit
Teksa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.
Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.
Fjala e Zotit
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo rresht që më prek, që më flet pikërisht për mua.
Lk 11, 15-26
15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:
“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!
21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”
24 “Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’. 25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur. 26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.”
Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi fragmentin e sotëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Cilët janë shpirtrat e mi të këqij, djajtë e mi? A mund ta emëroj të paktën një prej tyre? Çfarëdo që më bën të ndihem i/e bllokuar, i/e robëruar, jo i/e lirë, mund të quhet shpirt i keq, djall. I keqi na mësyn sa herë që engjëlli na liron për të qenë në gjendje të dashurojmë dhe shërbejmë. Kur ndihem i/e shtyrë, në fakt i/e detyruar për të bërë punë të rënda dhe të mundimshme, ose për të shpenzuar shumë para për veten time, jam në rrezik për të qenë i pushtuar nga të dyja nxitjet. Si pasojë e kësaj e ndiej veten të ndarë, të shkapërderdhur në vetvete. O Zot, të lutem, më liro!
- Jezusi është i sigurt se e mira do të jetë fitimtare mbi të keqen. Por ai më sfidon që unë të tregoj se cilës anë i përkas. A mund të mbështetet ai në mua? A jam me të vërtetë i/e gatshëm për të ndërtuar Mbretërinë e Hyjit?
Bashkëbisedimi
O Zot, më udhëheqtë Shpirti Shenjt
në raportet e mia me njerëz të tjerë.
Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« SH. B. “DRITA” merr pjesë në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019 Ne jemi të bekuar prej Zotit! »