Feja në Jezusin shëron

Oct 12 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E Diela XXVIII gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   2 Mbr 5, 14-17

Naamani është një gjeneral sirian, armik i Izraelit, është i gërbulur të cilin askush nuk arriti ta shërojë. Një skllave hebraike i sugjeron t’i drejtohet një profeti hebre. Naamani pranon të paguajë dhe të poshtërohet përpara një armiku. Profeti Elizeu nuk pretendon asgjë prej tij dhe e urdhëron të lahet në Jordan.  Është e kotë të bësh shumë gjëra për të qenë një besimtar i vërtetë: mjafton të mësosh të pranosh dhuratat.

 

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua. Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.” Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr.” Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi. I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   98

 

Ref: Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit

—————————————-

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

—————————————-

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.

—————————————-

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

—————————————-

 

Leximi i dytë   2 Tim 2, 8-13

Në jetë është e nevojshme të luftosh, Ungjilli mund të të dërgojë në burg. Fjala e lirë e Jezusit të kryqëzuar e ka dërguar Palin në burg dhe ka zbuluar fuqinë e saj të vërtetë.  Një mesazh, po të mos ngjallte kundërshtime nuk do të ishte i vërtetë, por do të ishte një tradhti. Jezu Krishti është arsyeja jonë e vërtetë për të jetuar dhe për të shpresuar, sepse ka vdekur për ne.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit simbas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrësesi nuk mund ta mohojë vetveten! Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Jemi fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë; shpallni vepra e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 17, 11-19

Nëntë të gërbulurit e parë të shëruar prej Jezusit, të shqetësuar për t’iu bindur përshkrimit të ligjeve për të vërtetuar shërimin e tyre, kanë preferuar më shumë të binden se sa të falënderojnë atë që i ka shëruar. I dhjeti i gërbulur përkundrazi, nuk i nënshtrohet provimit të ligjit dhe preferon lirinë për të falënderuar. Besimi lind nga njohja e dhuratës së Hyjit dhe shprehet nëpërmjet një falënderimi të pafund.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!” Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Mirënjohja është një përmasë thelbësore e jetës dhe e besimit. Është sjellja e krijesës, që provon mahnitje përballë  mrekullisë se është zgjedhur dhe thirrur në jetë. Kur ekziston mirënjohja, ekziston besimi i pjekur.

“Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur”. Të gërbulurit ishin të përçmuar nga shoqëria. Edhe sot takojmë burrat dhe gratë që jetojnë të margjinalizuar nga jeta sociale. Këta njerëz, duke parë Jezusin, fillojnë të bërtasin: “Jezus, mësues, ki mëshirë për ne!”. Është një fillim i vërtetë besimi që ata shfaqin në Të. “Sapo i pa, Jezusi u tha: Shkoni e paraqitjuni priftërinjve”. Kur Jezusi shikon me mëshirë një person që vuan, menjëherë ndërhyn në favor të tij. Jezusi siguron shërimin e tyre, por u kërkon atyre besimin në Të. Të gërbulurit i binden fjalës së Jezusit, i besohen Atij. Përgjatë ecjes realizohet shërimi. Për një të vetëm thuhet: “Duke të të parë të shëruar, kthehu prapa duke lëvduar Hyjin me zë të lartë”.

Të gjithë kishin kërkuar mëshirë, tani një i vetëm lëvdon Hyjin me zë të lartë. Ky i vetëm është një samaritan. “Po nëntë të tjerët ku janë?”. Ka shumë zhgënjim dhe mërzi në zemrën e Jezusit. Të tjerët nuk janë kthyer të “lëvdojnë Hyjin”, domethënë nuk kanë njohur praninë e Hyjit të mëshirshëm brenda Jezusit. “Ngrihu e shko; besimi yt të shpëtoi!”. Dhjetë kanë qenë “të shëruar” fizikisht, por një i vetëm është “shpëtuar”. Vetëm besimi mund ta shpëtojë njeriun.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë thirrjet tona Hyjit Atë, dhuruesit të çdo të mire, me shpirt mirënjohës. Të lutemi së bashku e të themi:

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën, e pasuruar me të pagëzuar të rinj: që të shprehë me fjalë dhe vepra mirënjohjen e saj ndaj Atit. Të lutemi

L. Për Papa Françeskun, ipeshkvijtë dhe meshtarët: që të jenë shërbëtorë besnikë të fjalës së Hyjit, e cila shpëton dhe çliron të gjithë njerëzit. Të lutemi

L. Për burrat dhe gratë e kohës sonë: që të falënderojnë Hyjin për mrekullitë e Krijimit, progreset e shkencës dhe të teknikës dhe talentet që Zoti u ka dhuruar. Të lutemi

L. Për bashkësinë tonë: që, e vetëdijshme për të mirat e panumërta të marra nga Zoti, të dijë të jetë mirënjohëse. Të lutemi

M. O Hyj, që je i mirë dhe bujar me të gjithë dhe të gjithëve u ofron dhuratat e tua, bëj që të përdoren gjithmonë për rritjen njerëzore dhe të krishterë të vëllezërve. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«