Jezusi është Shenjë që nxitë kthimin tonë!

Oct 14 • Meditimi i ditës

14 tetor 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Rom 1,1-7; Ps 98,1-4; Lk 11,29-32)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.

Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala e Zotit

 Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 11, 29-32

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ninivasit qenë ngashëryer deri në pendim nga shenja profetike e Jonës, të cilën e njohën si Fjalën e vërtetë të Hyjit. Më vonë, Hyji e dërgon Birin e vet në botën tonë si shenjë përfundimtare e dashurisë së tij për ne. Kjo do të duhej të nxiste në ne dëshirën për të jetuar një jetë të mirë duke e ndjekur atë.
  • Jezus, ti qëndron para meje si një shenjë. Ashtu si Jona, ke qenë i përpirë nga vdekja, por ti u ngjalle së vdekuri dhe më sfidon që të eci në risinë e jetës. Qëndro me mua në kohët e verbërisë sime dhe më tërheq më afër pranisë sate shpëtuese.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »