Çfarë ka rëndësi për ty në fe: përbrendësia apo përjashtësia/rituali
15 tetor 2019 – E martë, Shën Terezja e Avilës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Rom 1,16-25; Ps 19,2-5; Lk 11,37-41)
Prania e Hyjit
Ajo që është pranë meje është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.
Mendohem për praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,
në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.
Ndalem dhe lus që Zoti
të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.
Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.
Ndërgjegjësimi
Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,
më përkujto, o Zot,
se je gjithmonë pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.
Fjala e Zotit
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.
Lk 11, 37-41
37 Ndërsa ai ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë. 38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit. 39 Zotëria i tha:
“Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. 40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? 41 Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- A je çuditur ndonjëherë kur të tjerët s`janë sjellë ritualisht si “të kurdisur”? A i refuzoj ata për shkak të kësaj? Jezusi edhe një herë bën vend dhe e vë dashurinë dhe mirësinë mbi urdhërimet e ligjit. Cilat dhe çfarë lloj dhuratash të brendshme mund t`i ndaj me të tjerët? A besoj se edhe më të voglën lutje time për botën Zoti e bekon?
- O Zot, ti më shqyrton dhe më njeh më mirë se unë veten time. Ma pastro zemrën nga çdo gjurmë “lakmie dhe ligësie” dhe mbill në mua farën e shpirtit tënd të zemërgjerësisë.
Bashkëbisedimi
Ç` ndjenja më lindin brenda meje
kur lus dhe meditoj me Fjalën e Zotit?
E paramendoj Jezusin se si është duke ndenjur apo është ulur pranë meje
dhe ia çeli zemrën.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Jezusi është Shenjë që nxitë kthimin tonë! Takimet e Gjeçovit 2019 në Zym, në 90-vjetorin e vdekjes »