Jezusi, çelësi i diturisë dhe urtisë
17 tetor 2019 – E enjte, Shën Injaci i Antiohisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Rom 3,21-30a; Ps 130,1-6b; Lk 11,47-54)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:
afër meje, në atë çfarë bëj, në njerëzit që i takoj,
në çdo rrethanë të përditshme në të cilat ndodhem.
Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?
Liria
Pak janë ata që e kuptojnë
çfarë do të mund të bënte Hyji me ta
po të dorëzoheshin në duart e tij
dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lus për hirin shenjtërues t`i dorëzohem plotësisht dashurisë së Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetën të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa janë të rrënuara, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala e Zotit
Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Lk 11, 47-54
47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë. 48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore! 49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, 50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: 51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.
52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!”
53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i bëjnë shumë pyetje, 54 duke i ngrehur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë prej gojës së tij.
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Dijetarët e ligjit me të cilët përballet Jezusi e përdorin ligjin si armë kundër të tjerëve për të mbrojtur veten e vet. Kjo i parandalon të tjerët për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. A jam i/e robëruar nga ligjet që vetë i kam krijuar? A e kaloj kohën duke u shqetësuar për pozitën vetjake para Zotit në vend që të jetoj një jetë dashurie?
- Jezus, ti je çelësi i diturisë. Bëj që të rritem në urtësi duke të kundruar ty çdo ditë, si dhe që t`u shërbej të tjerëve në emrin tënd.
Bashkëbisedimi
Ç` po ndodh në mua gjatë lutjes?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?
E paramendoj Jezusin se si është duke ndenjur apo ulur pranë meje
Dhe flas me të për të gjitha çfarë ndjej.
Përmbyllja
Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Zoti e edukon zemrën tonë për drejtësi dhe dashuri Më e rëndësishmja është sa dashuri ke dhuruar »