Të ftuar dhe të dërguar për të shpallur Mbretërinë e Hyjit!

Oct 18 • Meditimi i ditës

 18 tetor 2019 – E premte, Shën Luka Ungjilltar, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2Tim 4,10-17b; Ps 145,10-13b.17-18; Lk 10,1-9)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që plotësisht ta përjetoj praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime u bëftë një me tënden.

 

Liria

 Në realizimin e lirisë sime të brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime që të lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet se çfarë do të nevojitej apo duhej të jem.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të rritjes dhe pjekjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diç të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

 Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej strehim në zemrën e tij që më do.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala e Zotit

 E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

 Lk 10, 1-9

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezusi e emëron çdonjërin prej ndjekësve të tij që të shkojë për të shëruar dhe predikuar Mbretërinë e Hyjit. Ai ka nevojë për ndihmë dhe nuk na pret që t`i zgjidhim problemet e dobësive tona personale. Ai na ka zgjedhur dhe na thotë: “Shkoni!” Njerëzit do të jenë të befasuar, kurse ne do ta përjetojmë një shumëllojshmëri reagimesh, pranimin ose refuzimin, ndërsa përpiqemi për të ndarë dashurinë e tij dhe vlerat e tij.
  • O Zot, nganjëherë e pyes veten se a kam aftësi që të të njoh në rrëmujën time të përditshme? A mos jam duke mbajtur shumë qese, sandale dhe rroba? Bëj që të jem i/e kënaqur me pak, gjë që do të duhej të ishte e mjaftueshme.
  • Lus tani në këtë “Moment të Shenjtë” që të jem gëzueshëm i/e vetëdijshëm/e se Mbretëria e Hyjit është shumë afër.

 

Bashkëbisedimi

 I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje,

dhe i flas për të gjitha ato që kam ndër mend, çfarë mbaj në zemër,

si shoku shokut.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »