Lutja – marrëdhënie e pashkëputur feje me Zotin

E diela XIX gjatë vitit – viti C

 

Leximi i parë   Dal 17, 8-13

Hyji që ka thirrur Izraelin dhe e ka bërë të dalë nga Egjipti është një Hyj që ushqen popullin e tij kur ka uri, i shuan etjen kur ka etje dhe e mbështet kur ekzistenca e tij është e kërcënuar. Por Hyji nuk shpëton njeriun pa njeriun, dhe Moisiu e di mirë, duke u bërë ndërmjetësi para Hyjit për të fituar fitoren e popullit të tij.

 

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, erdhi Amaleku, për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. Moisiu i tha Jozuehut: “Zgjedhi disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë.” Jozuehu bëri siç urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës. Kur Moisiu i çonte duart lartë, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehu e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   121

 

Ref: Ndihma jonë vjen prej Zotit

————————————–

Sytë e mi i ngre drejt maleve:

prej nga do të më vijë mua ndihma?

Ndihma ime vjen prej Zotit,

i cili krijoi qiellin e tokën.

————————————–

S’do të lejojë që të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

Jo, s’do të kotet as s’do të flejë

ai që e ruan Izraelin.

————————————–

Zoti është rojtari yt, Zoti është hija jote,

Zoti është në të djathtën tënde!

Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,

as hëna natën.

————————————–

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetës.

————————————–

 

Leximi i dytë   2 Tim 3, 14 – 4, 2

Pali na nxit të ushqejmë besimin duke lexuar Shkrimet e Shenjta dhe të shpallim Fjalën e Hyjit pa frikë. Lexohet Bibla jo për t’u mbyllur në një burg, por për të zbuluar së bashku me vëllezërit planin e Hyjit në histori.  Bibla lexohet duke ecur me të tjerët. Të shpallësh fjalën do të thotë të dialogosh për të mësuar njëri-tjetrin.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin shenjt, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. I tërë Shkrimi shenjt, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij, predikoje fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 18, 1-8

Të lutesh pa u lodhur do të thotë të pranosh ngadalësinë e rritjes së Mbretërisë, në fakt edhe Hyji e pranon. Lutja bëhet kështu një mjet për të treguar se kush është Hyji dhe si sillet Ai ndaj njerëzve. Hyji na pret pa pretenduar të gjejë akoma besimin në njeriun. Edhe i krishteri që lutet është në pritje pa qenë i sigurt nëse ka arritur qëllimin e tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Ai tha: “Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore’.” Zotëria vazhdoi: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ekziston një mëkat: mëkati social, i vjetër sa njeriu, që kërkon një përgjigje që vetëm Hyji mund ta japë. Në këtë kontekst Jezusi na mëson si të lutemi.

“Ishte në një qytet një gjykatës … edhe një grua e ve”. Një vejushë e mjerë, pa mbështetjen e burrit, gjendet përballë një kundërshtari që do ta vjedhë. Ajo nuk ka mundësi ta blejë gjykatësin me para. Atëherë për të patur drejtësi, çdo ditë me guxim i kërkon me këmbëngulje gjykatësit, të mbrojë të drejtat e saj. Gjykatësi, një njeri i pashpirt, nuk ka ndërmend ta dëgjojë. Por më në fund ai, jo për ndjenjën e detyrës, por për ta larguar këtë bezdi të vazhdueshme vendos të bëjë drejtësi. Edhe Jezusi do të protestojë kundër padrejtësisë së një bote të pamëshirshme, që e kryqëzon me një gjykim të turpshëm. Ai i përgjigjet padrejtësisë, duke iu dorëzuar verbërisht Atit të tij e nga kryqi i tij na dhuron çlirimin.

“Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë?” Një gjë e dimë me siguri: Hyji nuk do të na lejojë të shkatërrohemi, do të na shpëtojë. Jezusi u kërkon dishepujve t’i drejtohen Atit të mirë dhe të drejtë, me besim e këmbëngulje. Të ndalosh lutjen ndaj Hyjit do të thotë të ndalosh të besosh në Të.

“Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?” Jezusi na vë përpara një provokimi e na fton të vigjilojmë, që kur të vijë të na gjejë të qëndrueshëm në besnikërinë ndaj Hyjit, domethënë këmbëngulës në lutje.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Zoti na ka thënë të lutemi jo vetëm për vete, por edhe për të gjithë njerëzit. Shpirti Shenjt na ndriçoftë mbi nevojat e vërteta të Kishës e të botës. Të lutemi së bashku duke thënë:

O Zot, na mëso të lutemi.

L. Për Kishën: në veçanti për ata që kanë thirrjen e lutjes dhe soditjes: që të jenë në botë shenjë e lutjes së jetuar. Të lutemi

L. Për Atin e Shenjtë, që si pasardhës i Pjetrit, ta udhëheqë popullin e Hyjit me kujdes atëror. Të lutemi

L. Për ata që kanë përgjegjësinë e fjalës së Zotit: që të nxisin me angazhim besimtarët për t’u ushqyer me Shkrimin e Shenjtë. Të lutemi

L. Për ne këtu të bashkuar në emër të Jezu Krishtit: që të kemi vetëdijen që lutja të bashkon me Hyjin dhe me njëri – tjetrin dhe është rregull për një bashkësi të vëmendshme ndaj vëllezërve. Të lutemi

M. O Hyj, Ati ynë, na dhuro një shpirt bijsh, kështu që të ndjejmë gëzimin për të dëgjuar dhe për të kërkuar me besim gjithë ato për të cilat kemi besim. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: