Në lutje e shfaqet vetja jonë e vërtetë

Oct 20 • Meditimi i ditës

20 tetor 2019 – E diela e Misioneve (29. gj. v. C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 17,8-13; Ps 121,1-8; 2Tim 3,14 – 4,2; Lk 18,1-8)

 

Prania e Hyjit

O Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty,

sepse tani po i lë anash brengat e mia.

M`i mbush mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Shumë vende në këtë moment janë duke kaluar agoninë e luftës.

E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale

dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala e Zotit

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 18, 1-8

1 U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.

2 Ai tha:

“Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kokën. 3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ 4 Por ai s’u shqetësua për një kohë të gjatë. Dikur tha me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore. ’“

6 Zotëria vazhdoi:

“Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 8 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Modeli i lutjes do të duhej të ishte gruaja e vejë nga tregimi i Jezusit. Këmbëngulja e saj ia vlejti. Në lutje ia jap Zotit vetën time të vërtetë. Hyji tashmë më njeh, sepse është Hyj i drejtë. A besoj me të vërtetë në këtë? A punoj dhe a lutem për drejtësi?
  • O Zot, ti je streha ime. Ma forco këmbënguljen time kur e humbas guximin. Dhuroma urtësinë që të di se do të më përgjigjesh kur me besim dhe mbështetje vij tek ti.

 

Bashkëbisedimi

Nuk po më vijnë fjalët lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se je gjithmonë pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »