Jezusi, ky këshillëdhënës i pashoq për jetën tonë

Oct 21 • Meditimi i ditës

21 tetor 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 4,20-25; Ps: Lk 1,69-75; Lk 12,13-21)

 

Prania e Hyjit

Ia kujtoj vetes se, teksa jam duke ndenjur këtu në këtë moment,

Hyji është duke më vështruar me dashamirësi dhe dashuri

duke më lejuar që të ekzistoj.

Një moment do të ndalem dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

Nuk ekziston situatë prej të cilës s`do të mund të dilja edhe më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia shpesh herë janë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha ato duhen plotësuar.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime

t`i kompozoj dëshirat në një melodi dashurie gjallëruese plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë lidhje – raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa janë shembur, disa ndërprerë:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 12, 13-21

13 Atëherë dikush prej turmës i tha:

“Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.”

14 “Or mik, ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?”

15 Atëherë u tha:

“Vëriani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”

16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia. ’18 Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ 20 Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.”

  

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Këtu shohim se Jezusi s`lejon të futet në polemikë në lidhje me pronën. O Zot, ma kujto kur dëshirat e mia bëhen kokëkrisura dhe egoist Mbretërinë e Qiellit e ke përshkruar si margaritar me vlerë të madhe. Kur e marrë këtë parasysh ndihem i/e lirë në zemër, në shpirt dhe mendje, që të të dua dhe të të shërbej ty.
  • Parabola (krahasimi) thekson kontrastin e mprehtë midis mënyrës së “të pasurit” dhe “të qenurit”, midis “të kesh” dhe “të jesh”. Kur kemi më shumë se që kemi nevojë, duhet t`ua japim të varfërve. Përndryshe jemi “budallenj”, sepse do ta humbasim kuptimin e jetës. Hyji na mundëson që të grumbullojmë pasuri, por atëherë duhet edhe ta ndajmë atë me të tjerët.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »