Vigjilenca si virtyt i besnikërisë dhe i fesë

Oct 22 • Meditimi i ditës

22 tetor 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Rom 5,12.15b.17-19.20b-21; Ps 40,7-10.17; Lk 12,35-38)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa jam duke ndenjur pranë kompjuterit, Hyji është këtu.

Rreth meje, në përjetimet, mendimet e mia dhe thellë në mua.

Do të ndalem një moment dhe do të ndërgjegjësohem

për praninë jetëdhënëse të Hyjit.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të çlirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

 Si po e ndiej veten sot?

Si po sillem me Hyjin? Me të tjerët?

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 12, 35-38

35 “Jini gati ‑ të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura ‑ 36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. 37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. 38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe, po i gjeti kështu, lum ata!

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • A është fjala se kjo do të ndodhë vetëm në fund apo Jezusi ditë për ditë troket në derën time? Para meje është një sfidë që ta identifikoj atë të maskuar si një i huaj, një person që është i sëmurë ose dikush që ka nevojë për një fjalë inkurajuese a një prekje të butë? A jam duke mbledhur thesare të tilla mundësish si takim me Krishtin?
  • O Zot, më bëj vigjilent në mënyrë që të mund ta njoh fytyrën tënde në takimet e sotme me njerëz. Siç pat thënë S. Lewis, s`ka vdekatarë të zakonshëm në këtë botë. Çdo njeri është vdekatar i jashtë-zakonshëm, i përcaktuar për lumni të përjetshme. Bëj që të gjithë njerëzit t`i trajtoj me respekt/dinjitet.

 

Bashkëbisedimi

 Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

i drejtohem dhe i tregoj për të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

 Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«