Kujt i besohet shumë, prej tij kërkohet shumë
23 tetor 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Rom 6,12-18; Ps 124,1-8; Lk 12,39-48)
Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Zoti gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i mirë.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.
Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,
që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.
Ndërgjegjësimi
Në çka momentalisht në jetën time po e gjej shpresën, guximin dhe rritjen?
Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,
a jam i/e aftë ta vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryte të mira?
Nëse kam vërejtur lëmi të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala e Zotit
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj me vëmendje
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.
Lk 12, 39-48
39 E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.”
41 Atëherë Pjetri tha:
“Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?”
42 Zotëria iu përgjigj:
“Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.
47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Parabola (krahasimi) tregon se Jezusi është i vetëdijshëm se autoriteti dhe pushteti mund të keqpërdoren. Hyji e dëgjon britmën e të varfërve që janë të shtypur. Ai s`do t`i ndëshkojë rënd, t`i bëjë copë-copë njerëz të tillë (ata që kanë autoritet dhe fuqi), por zemrat e tyre do të jenë të grisura, copë-copë, derisa të kërkojnë falje prej viktimave të tyre dhe të pajtohen me ta.
- Bekoje punën time, o Zot. Së bashku me të gjithë anëtarët e Momentit të Shenjtë qofsha i/e drejtë në marrëdhëniet e mia të përditshme me njerëz dhe mos i fyefsha kurrë ata.
Bashkëbisedimi
Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe i tregoj për të gjitha çfarë ndjej.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« PAPA SHËN GJON PALI II (1920-2005) – Në pesë vjetorin e shenjtërimit Zjarri i dashurisë së Jezusit »