Zjarri i dashurisë së Jezusit

Oct 24 • Meditimi i ditës

24 tetor 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Rom 6,19-23; Ps 1,1-4.6; Lk 12,49-53)

 

Prania e Hyjit

Mendoj në moment për praninë e fshehur të Hyjit në sendet: në elemente duke u dhënë që të ekzistojnë;

Në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndiejnë;

dhe më në fund në mua, sepse mi jep të gjitha këto dhe më shumë,

më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë

se çfarë do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, çfarë jam duke ndier sot në vete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka nga kjo ekziston në mua,

a jam në gjendje të provoj t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala e Zotit

 Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 12, 49-53

49 “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! 50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! 52 Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:

53 babai do të zihet me djalin,

e djali me babain,

nëna me të bijën,

e bija me t’ëmën,

vjehrra me të renë

e reja me vjehrrën.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • “Shalom“, fjalë hebraike për paqe, ka një gamë të gjerë kuptimesh që lidhen me integritetin, të mirën, harmoninë dhe unitetin. Kur njerëzve u dëshirojmë “shallom” për ta lusim plotësinë e jetës në paqe me Hyjin dhe veten e tyre.
  • Si jam duke e jetuar besimin tim fetar sot? A paraqet ajo sfidë për të tjerët? Për Jezusin kjo do të thotë të jesh “nën stres”. Edhe dishepujt e tij të parë u quajtën “prishës të paqes” (Vap 16,20). Por stresi jo i shëndoshë mund të vijë nga ankthi, kështu që do të lutem me Shën Terezën e Avilës:

 “Asgjë mos të shqetësojë,

asgjë mos të trembë;

Çdo gjë kalon,

vetëm Hyji s`ndryshon kurrë.

Me durim arrijmë çdo gjë.

Kushdo që ka Hyjin, s`i mungon asgjë;

Vetëm Hyji mjafton.”

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë s`e di çfarë do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbartur

Dhe me fuqinë tënde i kam tejkaluar dhe mbijetuar kohët e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa lute në bazë të Fjalës së Zotit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »