Durimi i Zotit me pafrytësinë e jetës sonë
26 tetor 2019 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Rom 8,1-11; Ps 24,1-6; Lk 13,1-9)
Prania e Hyjit
Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më bie ndër mend kur e kam ndjerë praninë e Hyjit;
kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të jem i/e përqafuar me dashurinë e Hyjit?
Liria
O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të përzgjedh që të ndjek ty,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.
Ndërgjegjësimi
Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
a mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se çfarë jam.
Si kaloi dita e djeshme? Si po e ndiej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.
Fjala e Zotit
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.
Lk 13, 1-9
1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:
“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”
6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Hebrenjtë besonin se e keqja që i ndodh njerëzve është një dënim për shkak se kanë mëkatuar. Sa më shumë një person të ketë vuajtur, aq më i madh konsiderohej të ketë qenë mëkati. Jezusi refuzon një mendësi të tillë të thjeshtëzuar. Në vend të kësaj ai thekson pendimin, që do të thotë kthimin te Hyji dhe i afërmi.
- Kultivimi dhe plehërimi i fikut simbolizon mëshirën e Hyjit në veprim. O Zot, ti i di pikat e forta dhe dobësitë e mia më mirë se unë. Ti je i durueshëm dhe i sjellshëm, dhe në zemrën time e ke mbjellë farën e ndryshimit. Tani është koha që ajo farë të japë fryt.
Bashkëbisedimi
O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.
Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.
Përmbyllja
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Të dish t’i lexosh shenjat e kohës Lutja jonë e zbulon kush jemi »