Të jesh i sinqertë në lutje

Oct 27 • Meditimi i ditës

27 tetor 2019 – E diela 30 gjatë viti (C), MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Sir 35,12-14.16-18; Ps 34,2-3.17-19.23; 2Tim 4,6-8.16-18; Lk 18,9-14)

 

Prania e Hyjit

Ajo çka përpiqem të bëj këtu është që ta lë kohën më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Provoj ta paramendoj Jezusin ulur pranë meje
dhe bisedoj me të për të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.
Provoj ta kuptoj që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur se ç` dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

 Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj/ndjej veten sot?

Si po sillem me Zotin? Me të tjerët?

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

A ekziston diçka që do të më duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala e Zotit

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë,

do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Lk 18, 9-14

 

9 U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:

10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ 13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!” – le të jetë kjo lutja ime e sotme dhe e përhershme. Hyji është ai që “shfajëson” tagrambledhësin e keq virtyti i vetëm i të cilit është ndershmëria para Hyjit.
  • O Zot, a jam i/e sinqertë me veten time kur vij para teje? Ti e lexon zemrën time të shkretë. Ti e do “unin” tim real, të metat e mia dhe të gjitha të tjerat. Do të lus për përvujtëri.

 

Bashkëbisedimi

Ç` po ndodh në mua kur lutem?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe i flas për të gjithat ashtu siç i përjetoj.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »