A e ndjejë kujdesin dhe mbështetjen e Zotit

Oct 31 • Meditimi i ditës

31 tetor 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 8,31b-39; Ps 109,21-22.26-27.30-31; Lk 13,31-35)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

Në afërsinë time, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,

në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirisht dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufij.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Që ta sodis bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala e Zotit

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj …

 

Lk 13, 31-35

31 Po në atë moment iu afruan disa farisenj dhe i thanë:

“Dil e ik së këndejmi se Herodi do të të vrasë!”

32 Ai iu përgjigj:

“Shkoni e thuajini asaj dhelpre: Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj, të tretën ditë i jap fund. 33 Porse sot, nesër e pasnesër më duhet ta vazhdoj rrugën, sepse nuk ka hije që profeti të vdesë jashtë Jerusalemit.

34 Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet … e ju nuk deshët! 35 Mirë, pra, ‘shtëpia juaj do t’ju lihet juve!’ Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri [që të vijë dita] të thoni:

‘Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit’!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit  të Shenjtë:

 

  • Do të ulem pranë Jezusit ndërsa vajton mbi Jerusalemin. Do të hyj në imazhin e tij të Hyjit të butë, të cilin e krahason me një klloçkë që kujdeset dhe i mbron zogjtë e vet. Ndoshta klloçka mendon se zogjtë e saj janë rritur e janë bërë pula dhe më s`kanë nevojë për të. Por ne në fakt gjithmonë kemi nevojë në mënyrë të plotë për Hyjin që na mban.
  • O Zot, si fëmija yt i dashur dua që të më mbash nën krahët e tu! Para teje po i vendosi nevojat e mia dhe prekshmërinë, dobësinë time. Lutem që të mund ta ndiej gjithmonë kujdesin tënd të shenjtë në çdo aspekt të jetës time dhe të jetëve të atyre që i dua.

 

Bashkëbisedimi

Shpirti Shenjt më udhëheqtë

në marrëdhëniet e mia me njerëzit e tjerë.

Bëj që me vëmendje ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«