Ringjallja e Kishës në Shqipëri

Nov 5 • Opinion

Nga  At Benedict Kiely

 

“Një vizitë në Shqipëri udhëtarit i kujton më të keqën e modernitetit dhe rënien e njeriut, por gjithashtu të frymëzon me shpresë.”

 

Në vitin1945, kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, Kisha filloi të persekutohej me një egërsi që nuk ishte parë nga shekujt e parë të krishterimit. Despoti Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë në vitin 1967. Të gjitha fetë ishin ndaluar me ligj, kishat dhe xhamitë po shkatërroheshin, dhe kleri, që po shërbente në gjendje të zbehtë, u rrethua dhe u dërgua në kampe. Hoxha kishte një urrejtje të veçantë për Kishën Katolike, të cilën e shihte si ndikuese të jashtme dhe qendër alternative besnikërie për popullin. Si pasojë, Kisha po vuante dënimin më të rëndë; çdo shërbesë katolike duhej të bëhej në fshehtësi. E nëse zbulohej, katolikët do të përballeshin me burgim ose vdekje. Katedralja katolike në Shkodër, qendra e katolicizmit në Shqipëri, u shndërrua në sallë sportive, ndërsa kishat tjera u shtruan rrafsh me tokë.

Shpeshherë Kina quhet si “shteti i parë në Botë nën mbikëqyrjetë plotë”, por Shqipëria ishte prototipi. Hoxha urdhëroi ndërtimin e qindra bunkerëve në të gjithë vendin, në rast invazioni. Paranoja ishte tema kryesore e regjimit. Policia sekrete, Sigurimi, ishte eksperte në përgjimin e shtëpive – sa që sipas llogarive, çdo i treti qytetarë i Shqipërisë gjatë kësaj kohe [detyrohej të[1]] punonte në kampet e punës ose merrej në pyetje nga policia sekrete.

Fjalët e Krishtit në Ungjill, që paralajmëronin se fëmijët do tradhtojnë prindërit e tyre, dhe prindërit fëmijët e vet, u bë realitet përgjatë këtyre dekadave persekutimi të vazhdueshëm në Shqipëri. Nëse fëmijët do vërenin ndonjë përkatësi ose shenjë aktiviteti fetarë – bibël, ikonë – ata do të njoftonin autoritetet. U krijuan torturat më mizore dhe djallëzore: priftërinjtë i mbytnin në kanale septike; rishtarja rregulltare, Marie Tuci, vdiq mbasi u lidh brenda një thesi me kafshë të egra.

Në vitin 1991, ku me rënien e komunizmit tmerri më në fund mbaroi, ndodhi diçka me të vërtetë e jashtëzakonshme. Një kishë u shfaq. U zbulua se disa priftërinj kishin mbijetuar dhe që në mënyrë të fshehtë mbanin një seminar. Njerëzit – të cilët disi e kishin mbajtur besimin, duke pagëzuar fëmijët dhe duke thënë rruzare – i rimorën ndërtesat që më përpara kishin qenë kisha. Në Shkodër vendosën roje të armatosura që të mbronin katedralen, sepse kishin frikë se komunistët do riktheheshin. Mesha që u tha publikisht mbas disa dekadash (ishte “Mesha e shekujve[2]”, duke qenë se Koncili i Dytë i Vatikanit kishte kaluar pa u vënë re nga shteti ateist). Historitë e martirëve dhe martirëve të gjallë po shfaqeshin, burra dhe gra që kishin vuajtur aq shumë që ta ruanin besimin përgjatë viteve të gjata të persekutimit.

Në udhëtimin e mëvonshëm në Shqipëri, u takova me At Gjergj Simonin, një nga këta heronjtë e besimit, që kishte vuajtur dhjetë vite në burg për shkak se “kishte shkruar letërsi kundër regjimit.” Ai mbijetoi një nga kampet më të egra në Shqipëri, në të cilin u ushqye vetëm me bukë dhe supë. Simoni ishte një nga seminaristët e fshehtë, dhe u shugurua si prift në Shqipëri mbas rënies së komunizmit. Vëllai i tij, gjithashtu prift, i dënuar me gjashtëmbëdhjetë vite burgim, ishte një nga ipeshkvijtë e shuguruar nga Gjon Pali II përgjatë vizitës në Shqipëri me 1993.

Kur e pyeta at Simonin se si mbijetoi, ai mu drejtua dhe tha: “Nëpërmjet hirit të Zotit”.
Tani, në vitin 2019, vizitorët mund të dëshmojnë ngjalljen e Kishës shqiptare nga hiri. Sipas nuncit apostolik në Shqipëri, argjipeshkvit Charles Brown, populli mban besim të fortë, e gjithë infrastruktura e Kishës është punuar nga e para, dhe pjesëmarrja në meshë është e lartë – edhe pse ka mungesë priftërinjsh. Në të dielën e Pashkëve të këtij viti isha në katedralen e Shkodrës (ish salla sportive), në Meshë në të cilën morën pjesë katër mijë njerëz. Në të shtunën e madhe, familjet sollën me vete ushqimin e Pashkëve, të cilin priftërinjtë e bekonin çdo orë.

Traditat antike kanë mbijetuar, dhe fuqitë më shtypëse të modernitetit kanë dështuar të mundin diçka shumë më të fuqishme sesa sundimi i Partisë.

Chesterton[3] njëherë shkroi se detyra e Kishës në kohërat moderne është “të shpëtoj gjithë jetën dhe lirinë që mund të shpëtoj, të rezistojë zvarritjet teposhtë të botës, dhe të presë për ditë më të mira.” Për mbajtjen e kësaj detyre, do bënim mirë të shikonim shembullin e Kishës shqiptare të shumëvuajtur.

At Benedict Kiely është themelues i nasarea.org, organizatë që merret me ndihmën e të persekutuarve të krishterëve në Lindje të Mesme./drita.info

 

Përktheu: Albert Bikaj

Titulli i artikullit origjinal: Resurrection in Albania (FirstThings.com)

——————————————

[1]Plotësim i përkthyesit

[2]Fjala është për “Ritin Romak”, të njohur ndryshe si Mesha tridentine që çelebrohej në gjuhën latine. Ky rit shërbeu si liturgjia kryesore e Kishës Katolike që nga fillimi i mesjetës deri në vitin 1970. (shënim i përkthyesit)

[3]G. K. Chesterton – shkrimtar dhe filozof katolik i shquar anglez. (shënim i përkthyesit)

Shpërndaje

Comments are closed.

«