Sa investoj kohë dhe energji në marrëdhënien time me Zotin?

Nov 5 • Meditimi i ditës

5 nëntor 2019 – E marte, I lumi Vinçenc Prenushi e shokët, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 2, 5-11; Ps 21; Lk 14, 15-24

 

Prania e Hyjit
Teksa jam duke qëndruar këtu, e kujtoj se Hyji është i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit.

 

Liria
O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Më udhëzoftë Shpirti Shenjt që si njeri i lirë të shkoj pas teje.

Mbille në zemrën time dëshirën që për çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të dua.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do

i vështroj të gjitha ato që më kanë ndodhur ditën e kaluar,

që nga ky moment në retrospektivë, hap për hap.

Ia kujtoj vetes të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe falënderoj për këtë.

I vërej edhe hijet/gabimet dhe e pyes veten çka më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Lk 14,15-24

 

15 Një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalë, tha:

“Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!”

16 Jezusi i tha:

“Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!’ 18 Por të gjithë ‑ si të ishin marrë vesh ‑ zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’ 19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto!’ 20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’

21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha rrogëtarit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’ 22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’ 23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e afër gardheve e shtrëngoji njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’

24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndalu një çast dhe vendose veten në skenën që e përshkruan Jezusi. Imagjinoje përgatitjen e darkës së madhe, ngutjen dhe nxitjen, ftesat personale …
  • Si mendon se mikpritësi ndihet kur bujaria e tij refuzohet?
  • Dhe kur të varfrit dhe njerëzit e shtypur mirëpriten, si ndihen ata?
  • Historia fillon me një nga mysafirët e Jezusit që presin me padurim mikpritjen qiellore të Hyjit. Ndërsa e dëgjon përsëri, dëgjoje se si Jezusi po përpiqet të na përcjellë diçka nga bujaria e Hyjit. 

 

Bashkëbisedimi
Hyji na fton të gjithë si mysafirët e tij. Disa prej nesh preferojnë ta largojnë atë deri në një kohë më të përshtatshme; disa vijnë me kënaqësi për të shijuar atë që Hyji ka përgatitur për ne. Cili lloj mysafiri jam unë? Çfarë lloj i mysafirit unë dua të jem?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

A mund të kem arsyetime të ndryshme pse s`kam investuar më shumëkohë dhe energji në marrëdhënien timeme ty, o Zot. Cilat mund të kishin qenë ato arsyetime?

Jezus, ti më fton ngrohtësish në gostinë e jetës dhe të dashurisë. Unë mund të vij i/e tillë si jam, në varfërinë time, çalimin tim, verbërinë time. Por a jam mjaft i/e përvuajtur për të pranuar ftesën? Si shkëmbim, a mundta pranoj fqinjin tim që është me mua? Ati ynë..
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«