Nëpërmjet dëgjimit të Fjalës në veprimtarinë bartore të Kishës

Nov 7 • Kulturë, Recension

Nga Mons. Dodë Gjergji

 

Libri “Në fillim ishte dëgjimi”, i autorit Don Anton Uka, për sa i përket objektit trajtues: “Letrat Baritore të Kardinal Carlo Maria Martini”, në Kishën tonë lokale sjell një risi dhe kontribut shumë të çmuar, që synon të ndihmojë në promovimin e vlerave shpirtërore dhe njerëzore. Ndërsa në objektin e tij formal: “Dëgjimi i Fjalës si metodë”, ky studim na rikujton metodologjinë e lashtë kishtare të cilën e kishin praktikuar dhe propozuar Etërit e Kishës, pastaj Shën Injaci i Loyolës, shumë shenjtër të tjerë dhe së fundmi edhe Koncili II i Vatikanit kërkonte që pikërisht nga dëgjimi i Fjalës të lindë predikimi dhe çdo iniciativë baritore. 

Autori, përmes pesë kapitujve të këtij vëllimi, duke e ndjekur itinerarin martinjan, e vendos lexuesin, në një ecje që karakterizohet nga pesë etapa të cilat në mënyrë sistematike, fillimisht, e vetëdijësojnë njeriun për thirrjen e madhe në të cilën është i ftuar, pastaj e forcon (rikrijon) me forcën e Fjalës, e aftëson përmes Eukaristisë me qëllim që ta bëjë misionar dhe dëshmitar të dashurisë. Pra, heshtjen soditëse, forcën e Fjalës, aftësinë e Eukaristisë, dëshminë misionare dhe fuqinë e dashurisë, Autori e paraqet si një mozaik të vetëm, ku secila pjesë e tij përjetohet, shpjegohet, interpretohet dhe jetohet në veçantinë dhe origjinalitetin e vet.

Sfidave të shumta, që e karakterizojnë botën tonë materialiste dhe konsumiste, ku aktivizimi i tepruar dhe frustrues paraqitet si e vetmja mundësi për të qëndruar dhe përballuar nevojat e kohës në të cilën jetojmë, Don Antoni, duke i analizuar Letrat Baritore të Martini-t, në mënyrë paradoksale (anakronike) me botëkuptimin e kohës, njeriut të  mbytur në zhurmë  i propozon heshtjen soditëse, si parakusht për pranimin e Fjalës dhe si vend teologjik (locus theologicus) për  të arritur te thelbi i vetes së vet.

  Përgjatë gjithë pjesës së parë, pranimi apo dëgjimi i Fjalës që përshkohet nëpër heshtjen soditëse – si mënyrë e vetme për të depërtuar në misterin e Hyjit dhe te thelbi i vetvetes – na vjen  si terapi e shpirtit dhe e mendjes që arrin të mposhtë ankthin, ngutin, panikun dhe frikën, emocione këto që nuk e lejojnë njeriun të zbresë në të vërtetën e vet, të ballafaqohet realisht me të; e mbi gjitha, të jetojë në harmoni me thirrjen që është shkruar në brendësinë e shpirtit të tij.

Ndërsa në kapitullin e dytë, Autori përqendrohet të forca e Fjalës, e cila si në kontekstin teologjik Fjala e Hyjit krijon, bashkon dhe mishërohet, ashtu edhe në atë biblik, shpirtëror dhe psikologjik Fjala e frymëzuar nga Hyji e folur nëpërmjet etërve, mbretërve dhe profetëve, mbart në vete fuqinë të krijojë, të ndriçojë, të udhëheqë, të shërojë dhe të shëlbojë secilin që e pranon.

Kapitulli i tretë ka në fokus Eukaristinë, e cila në misterin zbulues të saj, paraqitet sikur thotë C. M. Martini: “Si formë e jetës së Kishës që mbart në vete tharmin brumëzues (formues) që e bën të aftë ta modelojë jetën e njeriut sipas modelit, gjurmës ose figurës së vetë Krishtit, shfaqet në veprën supreme të ekzistencës së tij, që është  Pashka” .

Ndërsa, në kapitujt katër dhe pesë të kësaj vepre, Autori ndalet kryesisht te përmasa misionare e Kishës, si dhe te ajo e dashurisë, përmasa këto që lindin, rriten dhe formohen në atë masë, në të cilën njeriu (besimtari) është i gatshëm të vihet në dëgjim të Fjalës dhe në adhurim të Eukaristisë. Këtë Autori e konfirmon, kur pohon: “Prej një qëndrimi soditës të ekzistencës, prej një dëgjimi të vëmendshëm të Fjalës dhe prej një zhytjeje në adhurimin eukaristik lind, rritet dhe piqet i Krishteri dhe bashkësia, të aftë që të dëshmojnë (përmasa misionare e Kishës) dhe të aftë që të duan sipas shembullit të Samaritanit të Mirë (përmasa e agape-së së krishterë)”.

Krejt në fund, e përgëzoj autorin për këtë kontribut të çmueshëm që po i dhuron Kishës dhe popullit tonë, duke e uruar që sa më parë të botojë edhe pjesët e tjera që ndërlidhen me këtë studim, ndërsa lexuesin e ftoj që me urti dhe përshpirtëri të përfitojë nga këto faqe për përparimin e tij në rrafshin njerëzor, shpirtëror dhe intelektual./drita.info

(Teksti është parathënie e librit. Titulli është i redaksisë)

Shpërndaje

Comments are closed.

«