Jeta e përtejme: dashuri engjëllore dhe plotësi në Hyjin

Nov 9 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXXII gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   2 Mak 7, 1-2.9-14

Populli i Izraelit përndiqet për shkak të besimit të vet, por ky besim do të bëhet më i fortë dhe më i thellë nëpërmjet provës. Mund të besojnë në ngjalljen vetëm ata që janë të aftë të japin jetën e tyre. Vëllezërit makabenj përballë vdekjes dhurojnë jetën e tyre, sepse e dinë se do të marrin si dhuratë nga Zoti ngjalljen. Për herë të parë është zbuluar e vërteta e ngjalljes së trupave me çmimin ndaj të drejtëve dhe dënimin ndaj të këqijve.

 

Lexim prej Librit të dytë të Makabenjve

Në ato ditë, ndodhi që të kapen edhe shtatë vëllezër së bashku me nënën e tyre, të cilët mbreti, duke i rrahur me frushkuj e dej qesh, donte t’i shtrëngonte të hanë mishin e thiut, të ndaluar izraelasve. Njëri prej tyre e mori fjalën në emër të tyre e tha: “Çka do të kërkosh e çka dëshiron të mësosh nga ne? Jemi të gatshëm të vdesim më parë se t’i shkelim ligjet e të parëve tanë!”  Atëherë mbreti, i hidhëruar, urdhëroi që ky të vritet. Pastaj e vunë në mundime të dytin. Ndërsa ky po lëshonte ofshamën e fundit, tha: “Ti, o i pashpirt, mbi të pashpirtë, po na e merr jetën e tashme, por Mbreti i botës e di se po vdesim për ligjet e Tij, do të na ngjallë për jetën e pasosur.”  Pas këtij e munduan të tretin. Kur kërkuan, vrrik e qiti gjuhën dhe trimërisht i shtriu duart e foli me zë të lartë: “Këto gjymtyrë i kam prej qiellit, e, për shkak të ligjeve të tija, i përbuz, por shpresoj se prej Tij do t’i fitoj përsëri.” Kështu, mbreti, dhe ata që ishin me të, mbetën të habitur për guximin e djaloshit sesi i bënte në asgjë mundimet. Mbasi ky dha shpirt në këtë mënyrë, nisën ta copëtojnë edhe të katërtin në të njëjtat mundime. Kur ishte në grahmat e fundit të vdekjes, tha kështu: “Është gjë e mirë të vdiset nga dora e njerëzve me shpresë të gjallë në Hyjin se do të ngjallemi përsëri! Por, ti nuk do të ngjallesh për jetën e pasosur!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   17

 

Ref: Të thërras në ndihmë, o Zot, ti më vështro

————————————

Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,

vështroje lutjen time.

Vëri vesh lutjes sime

që del nga buzët joshtiracake.

————————————

Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua,

që këmbët të mos më marrakoten.

Në ndihmë të thërras ty, o Hyj,

e më vështro,

ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia.

————————————

Më fsheh nën hijen e krahëve të tu,

e unë në pafajësi do ta shikoj

fytyrën tënde,

e një ditë, kur të zgjohem,

do të kënaqem me praninë tënde.

————————————

Leximi i dytë   2 Sel 2, 16 – 3, 5

Apostulli Pali nxit të krishterët selanikas të ecin në lutje dhe në vigjilencë, në qartësinë se janë të mbrojtur nga Zoti. Nëse shumë njerëz janë të këqinj kjo ndodh sepse mungon ndoshta një “shpresë e amshuar”. Bashkësitë tona të krishtera duhet të jenë far që shpërndan Fjalën e Hyjit. Besimi nuk është i të gjithëve, dhe secili është i lirë ta pranojë apo ta refuzojë. Por përgjegjësia jonë është t’ua propozojmë të gjithëve. 

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, Ai i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë. Mandej, o vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet porsi ndër ju dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë dhe të këqij: sepse të gjithë nuk kanë fe! Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i keqi. Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do t’i zbatoni. Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë e Krishtit! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Unë jam ringjallja dhe jeta, thotë Zoti; kush beson në mua edhe nëse vdes do ta ketë jetën.  

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 20, 27-38

Jezusi pohon me forcë se ngjallja e të vdekurve është vepër e Hyjit dhe nuk mund të vlerësohet me kritere njerëzore. Për Jezusin prova më e mirë për ngjalljen e trupave është besëlidhja që Hyji ka vendosur me patriarkët. Hyji nuk do të kishte humbur kohën e tij për të jetuar me njerëz të dënuar për t’u zhdukur përgjithmonë. Nëse Hyji bën besëlidhje me ne, të vdekshmit, e bën pikërisht sepse mendon të angazhohet përgjithmonë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. Edhe i dyti edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatët nuk lanë fëmijë e vdiqën. Në fund vdiq edhe gruaja. Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e të cilit do të jetë, sepse të shtatët e patën grua?”. Jezusi u përgjigji: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që e gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit. E se të vdekurit do të ringjallen, vetë Moisiu e shënoi në fragmenti mbi kaçubën, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit’. Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë”. Fjala e Zotit.

POROSIA

Njerëzit mbajnë në zemër pyetje shqetësuese mbi jetën e përtejshme: ç’kuptim ka ekzistenca jonë mbi tokë? A ekziston Diçka, a ekziston Dikush pas vdekjes?

“Jezusit iu paraqitën disa saducenj”. Saducenjtë mohonin ngjalljen, sepse pranonin vetëm pesë librat e parë të Biblës në të cilët nuk flitet për ngjalljen. “Mësues, Moisiu na urdhëroi …”. Ata nisen nga një normë e Ligjit, që detyronte vëllain e pamartuar të merrte për grua kunatën, nëse vëllai kishte vdekur pa i dhuruar fëmijë.

“Tashti, ishin shtatë vëllezër”. Propozojnë një situatë absurde, për të përqeshur besimin në ngjalljen. “Jezusi u përgjigj: Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra”. Ai refuzon ta paraqesë jetën e përtejshme si të ishte një vazhdimësi e jetës tokësore. E ardhmja që Hyji përgatit përtej vdekjes do të jetë një realitet rrënjësisht i ri i dashurisë së tij.

“Ata që e gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ngjallje të të vdekurve”, janë të ngjallurit, të cilët jetojnë tërësisht me Hyjin, të zhytur në lumturinë e tij e në bashkimin vëllazëror.

“Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.” Hyji i Izraelit, “i Gjalli i amshuar”, është burimi i çdo jete. Ngjallja është si “jetë bashkimi” me Hyjin, përtej ekzistencës sonë të shkurtër historike. Nëse tani jetojmë një marrëdhënie të thellë me Atin e mes vëllezërve, mund ta jetojmë që sot jetën e amshuar e mund të jetojmë tashmë në njëfarë mënyre si të ngjallur.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, ngjallja e të vdekurve i përket themelit të besimit të krishterë. T’i drejtohemi, pra, Hyjit Atit tonë që të na bëjë të jetojmë si bijtë e tij këtu në tokë, në pritje për të kundruar një ditë fytyrën e tij në qiell. Të lutemi së bashku e të themi: 

O Hyj i jetës, na dëgjo!

L. O Zot, bëj që të gjithë pjestarët e Kishës të jenë ngulmues në besim e dëshmitarë të guximshëm nëpërmjet veprave të drejtësi-së, dashurisë dhe paqes. Të lutemi

L. O Zot, ndriçoji përgjegjësit e të mirës së përbashkët, që të fitojnë mbi egoizmin e të gjejnë rrugët e drejta për të favorizuar drejtësinë dhe punën për të gjithë. Të lutemi

L. O Zot, ndihmo çdo të krishterë, që të ecë në lutje dhe në vigjilencë, i sigurt që Ti vigjëlon mbi të dhe e pret në shtëpinë tënde. Të lutemi

L. O Zot, mbështete bashkësinë e mbledhur rreth Eukaristisë, që ta jetojë të dielën nën dritën e Pashkës duke shpallur shpresën e ngjalljes. Të lutemi

M. O Atë, burim gëzimi dhe paqeje për ata që besojnë dhe shpresojnë në ty, na udhëhiq në udhëtimin e jetës që, të forcuar nga Shpirti, të dimë të jemi dëshmitarë të shpresës. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »