A di të fal dhe të kërkoj falje?

Nov 11 • Meditimi i ditës

11 nëntor 2019 – E hënë, Shën Martini nga Toursi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 1,1-7; Ps 139,1-10: Lk 17,1-6)

 

Prania e Hyjit

“Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,

pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!” (Ps 51,1)

Mund të duket e pakëndshme, madje edhe e modës së vjetër ta quaj veten një ‘mëkatar’, por ndihmon për të më kujtuar një gjë: unë jam si të gjithë të tjerët.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i hapur ndaj asaj që Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Lk 17, 1-6

1 Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë. 2 Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve. 3 Ruajuni fort!

Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale! 4 Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë:

‘Më vjen keq’!, fale!”

5 Apostujt i drejtuan Zotërisë këtë lutje:

“Na e shto fenë!”

6 Zotëria u tha:

“Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ndërsa e imagjinoj këtë skenë të Jezusit me miqtë e tij, derisa i mëson ata për kujdesin për njerëzit e tjerë dhe për faljen, si mendon se mund të reagojnë ata ndaj këtij mësimi? Pse mendon se ata përgjigjen duke kërkuar që Zoti t`ua shtojë, t`ua rritë fenë, besimin?
  • Dhe cilat janë ndjenjat e tua, reagimet e tua, kur e dëgjon këtë mësim? A dëshiron edhe ti të kërkosh fe, besim më të madh? Apo e sheh veten se je duke kërkuar diçka tjetër? Çfarë është ajo që ti dëshiron?
  • Ndërsa i dëgjon përsëri fjalët e Jezusit dhe të apostujve të tij, vë re nëse ekzistojnë imazhe ose fraza të veçanta që të prekin dhe si këto të bëjnë të ndihesh.

 

Bashkëbisedimi

Lejo të jesh i/e pranishëm/e te Jezusi.

Merr pak çaste për të biseduar me atë rreth asaj që të ka prekur dhe si je ndjerë.

Gjithashtu mund ta shohësh veten duke i kërkuar atij atë që ti dëshiron.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Sot, Jezus po na paralajmëron që të jemi shumë të kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si ndikojmë në njëri-tjetrin. Nuk guxojmë të provokojmë askënd, qoftë me fjalë a me ndonjë vepër, duke bërë diçka që do të ishte kundër rregullave shoqërore. Ne jemi të thirrur të pendohemi e të kthehemi nëse dikush na lëndon ose zemëron, jemi të thirrur të falim, ashtu si edhe vetë jemi të thirrur të kërkojmë falje nëse bëjmë diçka gabim.

Jezus, ne jemi aq të shpejtë kur është në pyetje ta drejtojmë gishtin drejt dikujt dhe ta emërojmë, aq të shpejtë për të gjykuar dikë, aq zemërngushtë, të përpiktë në atë që kemi diçka kundër dikujt ose të mbajmë pakënaqësinë ndaj një personi, edhe pse kjo mund të ketë ndodhur shumë kohë më parë. Na mëso, o Atë,  të falim si na i ke falur edhe ti fajet tona. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »