Papa Françesku:  ekonomia pa etikë na çon në kulturën “përdor e hidh”

Nov 12 • Kisha në botë, Res socialis

Papa Françesku të hënën pranoi në audiencë anëtarët e Këshillit për një Kapitalizëm Gjithëpërfshirës, të cilëve ua kërkoi një ripërtëritje të thellë të zemrave dhe të mendjeve, në mënyrë që njeriu të vendoset gjithmonë në qendër të jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike. 

 

 

Eminenca Juaj,

të dashur vëllezër e motra,

 

Ju dëshiroj mirëseardhje të përzemërt çdonjërit prej jush, të bashkuar në këtë takim të Anëtarëve të Këshillit për një Kapitalizëm Gjithëpërfshirës. E falënderoj Kardinalin Peter Turkson për fjalët e përzemërta që mi drejtoi në emër Tuaj.

Në takimin tonë para tri vjetësh me pjesëmarrësit e Fortune -Time Global Forum, kam nënvizuar nevojën e modeleve ekonomike më gjithëpërfshirëse dhe të barabarta, të cilët i lejojnë çdo personi të bëhen pjesë e resurseve të kësaj bote e të mund të realizojnë potencialet e tyre. Forum-i 2016 bëri që të shkëmbehen ide dhe informacione për të krijuar një ekonomi më njerëzore, e cila do të kontribuonte në eliminimin e varfërisë në nivel global.  

Këshilli i juaj është një rezultat i Forum-it 2016. Ju keni pranuar sfidat për të realizuar vizionin e Forum-it, duke kërkuar mënyra për ta bërë kapitalizmin një mjet më gjithëpërfshirës për mirëqenien njerëzore të gjithanshme. Kjo nënkupton një tejkalim të ekonomisë ekskluzive dhe zvogëlimin e hendekut që ndanë shumicën e njerëzve nga përparimi, që e gëzojnë pak veta (khs. Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 53-55). Rritja e  nivelit të varfërisë në shkallë globale dëshmon se pabarazia mbizotëron mbi harmonin integrale të personave dhe kombeve. Është e ngutshme të bëhet ç’është e mundur për një sistem të drejtë ekonomik, të besueshëm dhe në gjendje t’u përgjigjet sfidave më të mëdha, me të cilat përballet njerëzimi dhe planeti. Ju inkurajoj të qëndroni të pamposhtur në këtë udhëtim të solidaritetit zemërgjerë dhe të punoni për një kthim të përqasjes etike në ekonomi e në financa, për të qenë në favor të qenies njerëzore (khs. njëjtë, 58).

Një shikim i historisë më të re, posaçërisht kriza financiare e vitit 2008, na tregon se një sistem ekonomik i shëndosh nuk mund të bazohet vetëm në fitime afatshkurtra në kurriz të një zhvillimi dhe investimi prodhues afatgjatë, të qëndrueshëm dhe me përgjegjësi shoqërore.   

Është e vërtetë se veprimtaria sipërmarrëse “është një thirrje fisnike e orientuar për të prodhuar pasuri dhe për të përmirësuar jetën e të gjithëve” dhe “mund të jetë një mënyrë e frytshme për të promovuar rajonin në të cilin i vendos veprimtaritë e veta, sidomos nëse kuptohet se krijimi i vendeve të punës është pjesë e domosdoshme e shërbimit të vet ndaj së mirës së përbashkët (Enc. Laudato si’, 129). Megjithatë, siç na kujton Shën Pali VI, zhvillimi i vërtetë nuk mund të kufizohet vetëm në rritjen ekonomike, por duhet të favorizojë promovimin e çdo njeriu dhe njeriut në tërësi (khs. Enc. Populorum progressio, 14). Kjo do të thotë, shumë më tepër sesa balancimi i buxheteve, përmirësimi i infrastrukturës, ose oferta e një game më të larmishme mallrash konsumi. Përkundrazi, ajo ngërthen një ripërtëritje, një pastrim dhe një përforcim të modeleve ekonomike, të bazuara në kthimin tonë personal dhe  bujarinë tonë ndaj nevojtarëve.

Një sistem ekonomik, i privuar nga etika, nuk çon në një rend shoqëror më të drejtë, por çon në një kulturë ‘përdor e hidh’ të konsumit dhe hedhurinave. Përkundrazi, kur e pranojmë përmasën morale të jetës ekonomike, e cila është një nga aspektet e shumta të doktrinës shoqërore të Kishës, që duhet respektuar plotësisht, jemi në gjendje të veprojmë me bamirësi vëllazërore, duke dëshiruar, duke kërkuar dhe duke mbrojtur të mirën e të tjerëve dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm.

Të dashur miq, ju keni thënë synim vetvetes për shtrirjen e mundësive dhe përfitimeve të sistemit tonë ekonomik për të gjithë njerëzit. Përpjekjet e juaja na kujtojnë se ata që angazhohen në jetën ekonomike dhe tregtare, janë të ftuar t’i shërbejnë të mirës së përbashkët duke kërkuar të rrisin të mirat e kësaj bote për t’i bërë të qasshme/të arritshme për të gjithë (khs. Evangelii gaudium, 203). Si përfundim, nuk është fjala, thjesht, ‘të kesh më shumë’, por ‘të jesh më shumë’. Na duhet ripërtëritja e thellë e zemrave dhe e mendjeve, në mënyrë që njeriu të vendoset gjithmonë në qendër të jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike.

Prania juaj këtu është një shenjë shprese, sepse keni njohur çështjet me të cilat bota jonë po përballet dhe domosdonë për të vepruar me vendosmëri në ndërtimin e një botë më të mirë. Ju shpreh mirënjohjen time për angazhimi e juaj në promovimin e një ekonomie më të drejtë e më njerëzore, në përputhshmëri me parimet themelore të doktrinës shoqërore të Kishës, gjithnjë duke e pasur parasysh tërësinë e personit, si gjeneratën e sotme ashtu edhe të ardhmen. Një kapitalizëm gjithëpërfshirës, i cili nuk e le pas askënd, që nuk e hedh askënd prej vëllezërve dhe motrave, është një aspiratë fisnike, e denjë për përpjekjet e juaja më të mira.

Ju faleminderit për këtë takim dhe ju përcjell me lutjet e mia. Mbi ju të gjithë, mbi familjet e juaja dhe kolegët e juaj, e thërras bekimin Hyjit, burimin e urtisë, forcës dhe paqes. Ju kërkoj të luteni për mua. Faleminderit./drita.info

(Fjalimi i plotë i Atit të Shenjtë Papa Françeskut në audiencën me Këshillin për një Kapitalizëm Gjithëpërfshirës, e hënë, 11 nëntor 2019. Përktheu nga italishtja: Rev. “Drita”)

Shpërndaje

Comments are closed.

«