Si ndihesh kur e imagjinon Zotin se si komunikon me ty?

Nov 12 • Meditimi i ditës

12 nëntor 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 2,23 – 3,9; Ps 34,2-3.16-19; Lk 17,7-10)

 

Prania e Hyjit
“Ma jep, o Zot, një zemër të pastër.”

Ne nuk priremi të mendojnë për veten tonë si të pastër, vetëm për shkak se ndjenjat e këqija në zemrat tona – zemërimi, inati, padurimi – i shohim qartë të pranishme në ne.

Por çfarë është një zemër e pastër?

Është një zemër që është e hapur për Hyjin, që dëshiron çdo gjë që Hyji dëshiron.

Unë e pastroj zemrën time sa herë që i kërkoj Hyjit që të ma tregojë rrugën, sa herë që vullnetin tim ia dorëzoj vullnetit të Hyjit.

Dhe unë mund ta bëj këtë, tani.

 

Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien ekzistuese, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Atij që pranon, shëron dhe ripërtërin mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë. Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur, sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Tit 2,1-8.11-14

1 Ti, pra, o biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus, 2 dhe çka dëgjove prej meje në praninë e shumë dëshmitarëve, ato mësojua njerëzve besimtarë, atyre që do të jenë të aftë t’i mësojnë edhe të tjerët.

3 Vuaj edhe ti bashkë me mua porsi ushtari i mirë i Krishtit Jezus. 4 Askush veç, që merr mbi vete detyrën e ushtarit, nuk ngatërrohet me punët e jetës së rëndomtë që t’i pëlqejë atij që e mori në ushtri.

5 Gjithashtu edhe në garën sportive, atleti nuk e merr kurorën nëse nuk ka luftuar sipas rregullave.

6 Bujku që punon, duhet i pari ta marrë pjesën e vet të prodhimit.

7 Merre vesh çka dua të të them. Patjetër, vetë Zoti do të ta japë mundësinë t’i kuptosh të gjitha këto.

8 Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj.

11 E vërtetë është kjo fjalë: »Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.

12 Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit.

13 Nëse ne nuk jemi besnikë – Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten«.

14 Kujtoji këto gjëra duke u përbetuar para Hyjit se nuk duhen bërë rragatje fjalësh: ato akujt s’i vlejnë gjë. Janë vetëm për rrënim të atyre që dëgjojnë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Leximi flet për veprimin e Hyjit në botë, për hirin që ofrohet për secilin person që t’u mundësojë atyre të jetojnë një jetë që pasqyron praninë e Hyjit. Ndalu një moment që ta marrësh para sysh se si Hyji po të shikon tani.
  • Si ndihesh kur e imagjinon Hyjin se po komunikon me ty? Pali thotë se hiri i Hyjit “na trajnon, ushtron” ne. Hyji na ofron shpresën dhe premtimin e veprimit të tij në jetën tonë. A e ndjeni nevojën për atë lloj “trajnimi” nga Hyji? Çfarë mund të nevojitet nga Hyji për t’u bërë personi që je i/e thirrur të jesh?
  • Në dritën e dëshirave të tua, dëgjoje përsëri dhe shiko se si leximi të flet.

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin për gjithçka që është në mendjen dhe zemrën tënde, duke folur siç do të mund ta bëje me një mik, me besim se je dëgjuar dhe se Zoti ta dëshiron të mirën.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditmi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. O Zot, nganjëherë e kemi kokën plot mendime: çka duhet të bëj tjetër send, çfarë pune më pret, në çka jam duke u vonuar, kush është i pakënaqur me sjelljen time, kujt nuk po i pëlqejnë fjalët e mia… E çka të pëlqen ty vërtet në gjitha këto: të bëj atë që e kam pas për detyrë ta bëjë, me dashuri, por të thith në zemrën time aq dashuri nga ti në mënyrë që të ketë së paku një shtesë të vogël për ata që janë në nevojë, veçanërisht për më të afërmit e mi.

O Zot, unë jam shpesh larg nga mendime të tilla. Shumica e mendimeve të mia janë të bazuara në gjërat tokësore, të preokupuara turravrap dhe me zhurmën e kohës. Më ndihmo të gjej momente të qeta meditimi në mënyrë që të mund t`i lëshohem Shpirtit tënd, që vetëm ai mund të më qetësojë dhe plotësojë me dashurinë tënde jo egoiste! Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »