Tribunë shkencore në Zagreb për Nobelisten e Paqes – Shën Nënë Tereza

Nov 12 • Kisha ndër Shqiptarë

Të shtunën me 09.11.2019 Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, në kuadër të Ditëve të Nënë Terezës, që tradicionalisht mbahen gjatë muajit nëntor tash disa vite, ka organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë në Kroaci, Unionin e Bashkësive Shqiptare në Kroaci dhe Ermira Leka, deputete në Parlamentin Kroat, tribunë shkencore me temën “Nobelistja e Paqes” kushtuar shenjtëreshës shqiptare Nënë Terezës. Tribuna u mbajt në Sallën Vjenac të Institutit Pastoral të Argjipeshkvisë së Zagrebit.

Ligjërues të ftuar për këtë tribunë ishin: Don Lush Gjergji, i cili mbajti kumtesë mbi 40-vjetorin e Çmimit Nobel të Nënë Terezës; Dr. Gjon Berisha, për 330-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit dhe Don Tomislav Hačko, mbi konceptin e martirizimit në Kishën Katolike gjatë shekujve.

Fjalë përshëndetjeje mbajtën Don Kristë Gjergji, misionar, z. Riza Poda, ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Gëzim Kasapolli, ambasador i Republikës së Kosovës, z. Esad Qollaku, kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Znj. Ermina Lekaj-Prlaskaj, deputete në Kuvendin e Kroacisë, Don Marko Kovać, vikari i Argjipeshkvisë së Zagrebit për pastoral, i dërguari i Kardinalit Josip Bozanić, dhe z. Stipe Zebo, nga zyra për bashkësitë fetare e kryebashkiakut të Zagrebit z. Milan Bandić.

Tribuna u përcoll nga organet e mediale katolike të Zabrebit, siç janë “Katolički Hrvatski Radio” revista “Glas Koncila” dhe shtëpia botuese “Kršćanska Sadašnjost”.

Aktiviteti i kësaj tribune dhe ditët e Nënë Terezës u ndihmua nga Këshilli i misionit, bukëpjekësit, filigranistët, grupi i të rinjve dhe motrat e nderit, të cilët kanë përgatitur edhe koktej e darkë të përbashkët.

Ditët e Nënë Terezës përfunduan me meshën e shenjtë në kishën e Shën Pjetrit në Zagreb, të cilës i priu Don Lush Gjergji, në bashkëmeshim me misionarin Don Kristë Gjergji, e në prani të mysafirëve e besimtarëve të shumtë që jetojnë në këtë qytet./drita.info

Teksti dhe fotot: Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci

Shpërndaje

Comments are closed.

« »