Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 2. Mjetet e komunikimit

Nov 13 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Rinia e sotme shpesh konsiderohet se është “e joshur” nga pushteti i mjeteve të komunikimit, në rend të parë televizionit. Para disa viteve, në Kaliforni ishin bashkuar grupe të të rinjve (adoleshentë), të cilët vetveten e kanë quajtur “patate komodine” (couch potatoes), duke aluduar në akuzat e të rriturve që të rinjtë e kalojnë jetën duke “vegjetuar”. Në fakt, shumë prindër, mësues, psikolog, sociolog, madje edhe filozof (p.sh. Karl Popper) e konsiderojnë televizionin të dëmshëm dhe i theksojnë efektet e tija negative për të rinj dhe fëmijë, që janë: e ulin aftësinë e koncentrimit, të kreativitetit dhe të imagjinatës, kurse rrisin agresivitetin dhe sjelljet stereotipe; fëmijët bëjnë pështjellim të realitetit me fiksonin, bëhen jo aktiv dhe të pandjeshëm ndaj vuajtjes etj.

Kundër këtyre, janë të tjerët që mendojnë se këto rreziqe janë të tepruara dhe pesimiste, sepse televizioni mund të jetë, dhe vërtetë është, po ashtu, një mjet i fuqishëm edukativ, i cili ndihmon në shtrirjen e horizonteve dhe rritjes, në veçanti të fëmijëve. Në përgjithësi mund të thuhet se rreziqet eventuale, megjithatë, nuk dalin nga vetë natyra e këtyre mjeteve elektroteknike, por nga mënyra me të cilat përdoren. Një hulumtim ka treguar se funksioni edukativ i televizionit mund të jetë dukshëm i përmirësuar nëse do të krijoheshin programe interaktive, të atilla që do t’iu mundësohej fëmijëve hapësirë për reflektim mbi atë që shikojnë, qoftë kur një person i rritur gjatë programit do të shtronte pyetje kritike, qoftë që ky person i rritur të gjendej afër te shtëpia.[1]

Një kapitull i veçantë janë videolojrat. Edhe në këtë fushë nuk mungojnë akuzat. Janë interesante analizat e L. Castallazzi, profesor i psikiatrisë së fëmijëve në Universitetin Salezian në Romë, i cili relativizon dëmin eventual të pasojave pedagogjike të këtyre lojërave, kurse në anën tjerë ju drejton kritika të ashpra atyre që i prodhojnë.[2]

Në këto dy situata, shfaqet nevoja për një tip të ri të edukimit, për të cilat pedagogjia është në kërkim të përmbajtjes, kufijve, mjeteve, por edhe të emrit të ri.  Jepet si propozim “media education” – edukimi mediatik, për të cilin disa mendojnë se jemi në fillimin e një etapë të re evolutive të formimit.[3] Pastaj, ne duhet të dallojmë shkrim-këndimin mediatik nga edukimin për media; e para do të thotë të dish të lexosh, të kuptosh, të vlerësosh dhe të përdorësh kulturën mediatike, kurse e dyta do të thotë të zhvillosh aftësitë e tua dhe përgjegjësinë në botën e re të medieve.[4]

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

——————————————————

[1] Khs. L. Camaioni – E. Cannoni, “Patate sul divano?”, Psikologia Contemporanea, 28 (2001) N°. 164, 4-11.

[2] Khs. V. L. Castellazzi, Quando il bambino gioca. Diagnosi e psikoterapia. Roma, 2000.

[3] Khs. P. C. Rivoltella, “Media Education: quale profilo epostologico?”, Orientamenti Psicologici, 48 (2001), 67-82.

[4] Khs. M. F. Tricario, “La media education nella scuola primaria”, Rivista di Scienze dell’Educazione, 38 (2000), 35-76.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »