Ftesa e Zotit bëhet me dashuri dhe pret një përgjigje dashurie sesa frike

Nov 15 • Meditimi i ditës

15 nëntor 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 13,1-9; Ps 19,2-5; Lk 17,26-37)

 

Prania e Hyjit
Me të hyrë në lutje sot, filloj duke e pranuar se jam në prani të Hyjit – jo para një Hyji që më duhet të kem frikë, por një Hyji të dhembshur dhe të dashur, në praninë e të cilit jam i sigurt, në praninë e të cilit nuk më duhet të mbrohem, në praninë e të cilit mund të jem i/e qetë. E vendosi veten, shqetësimet dhe shpresat e mia, gjithë jetën time, në duart e Hyjit tim të dashur.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`ia çeli zemrën para tij nëpërmjet këtij meditimi,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka për të cilën gjë do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, dëgjo, lutu.

 

Lk 17, 26-37

 

26 Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë. 28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin, 29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhduku të gjithë. 30

Ashtu do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.

31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e gjërat t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa. 32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit! 33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.

34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet. ”[36]

37 Atëherë e pyetën:

“Ku, o Zotëri?”

“Ku të jetë kufoma ‑ iu përgjigj ‑

aty do të mblidhen edhe shqiponjat.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi duket se u tregon miqve të vet se duhet të jenë të gatshëm, se jeta do t’i kapë papritur. Mësimet e Jezusit mund të jenë të vështira për t’u dëgjuar, si reagon ndaj nxitjes së dishepujve që të jenë të gatshëm dhe vigjilentë?
  • Në kontekstin e Ungjillit në tërësi, këto fjalë të Jezusit mund të bëhen një ftesë për mua që të bëhem më i/e vetëdijshëm/e se si i përgjigjem Hyjit kur të vijë me praninë e tij në jetën time. Ftesa e Hyjit bëhet me dashuri dhe pret një përgjigje dashurie sesa frike. Si dëshiron t’i përgjigjesh kësaj ftese për të qenë i vetëdijshëm për praninë e Hyjit?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri, imagjinoje Hyjin duke e shikuar botën – njerëzit që lindin, njerëzit që vdesin, veprime me bujarinë dhe mëshirën e madhe dhe aktet e luftës dhe terrorit. Mundohu ta imagjinosh se si reagon Hyji ndaj gjithë kësaj.

 

Bashkëbisedimi

Në këtë dritë të këtij leximi dhe reflektimeve të tua, çfarë do t’i thuash Hyjit? Si dëshiron t’i përgjigjesh pranisë dhe ftesës së Hyjit?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Çdo gjë në këtë jetë është e përkohshme, ndodhemi në një pelegrinazh të kthimit në shtëpinë qiellore kështu që nuk duhet të lidhemi për askënd dhe asgjë, duke harruar se kush jemi dhe ku jemi të lidhur. Kjo jeta në tokë do të kalojë, kështu që nuk guxojmë të ndërtojmë shtëpinë tonë në rërë, por në shkëmbin e planit tënd, o Zot për ne. Ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote, po na thua.

O Zot i qiellit dhe i dheut, ashtu siç i ke nxjerrë bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit, na udhëhiq edhe ne për të kërkuar vullnetin tënd, që të duam edhe më shumë dhe të të ndjekim nga afër të gjitha ditët e jetës sonë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »