I lumtur apo i palumtur, kjo është çështja

Nov 16 • Opinion, Uncategorized

Në jetë, si i shikojmë gjërat, është një çështje e perspektivës. Për atë çfarë kemi nevojë shpesh e kemi para hundës e nuk e shohim. Këtu flasim për aspektet që kanë të bëjnë me temën e lumturisë jetësore. Për këtë fushë janë bërë qindra studime empirike dhe analiza psikologjike. Jo vetëm nga hulumtues individual por edhe nga grupe ekspertësh që kanë bërë studime me njerëzit e zakonshëm.

Me këtë temë është marrë edhe shkencëtari social dhe psikologu Dr. David Niven, i cili ka mbledhur një numër të madh të rezultateve të ekspertëve, hulumtuesve dhe shkencëtarëve që flasin për atë se çka e bën njeriun e lumtur ose të palumtur.[1]

Nëse nisemi nga fjalori i gjuhës shqipe, i lumtur është ai që i ka të gjitha të mirat, që është shumë i kënaqur e i gëzuar në jetë e në punë, që jeton në lumturi. Ne shpesh flasim për njeri të lumtur. Vajzë a nënë e lumtur. Fëmijë e prindër të lumtur. I lumtur si fëmijë. E bëri të lumtur dikë. Rronte i lumtur. Qofsh i lumtur! Pra të qenit i lumtur si ndjenjë a gjendja e kënaqësisë së thellë dhe e gëzimit të madh që kemi kur na plotësohet një dëshirë. Lumturi e përgjithshme (familjare, vetjake). Lumturia e njerëzve (e popullit).

Ky është kuptimi dhe përkufizimi i lumturisë. Këtu kemi shtruar pyetjen se, cilat janë ato aspekte që njeriun e bëjnë të lumtur? Çka bëjnë njerëzit e lumtur ndryshe apo më shumë se njerëzit palumtur? Çfarë mund të bëj njeriu që të ketë më shumë nga jeta?

Jeta e secilit ka një kuptim dhe qëllim. Sikur ju të mos ekzistonit shumë gjëra nuk do ishin ashtu si janë. Çdo vend që ke vizituar, me çdo person që ke punuar e kontaktuar do ishte ndryshe pa ty. Nga një studim amerikan i bërë me njerëzit e moshuar nga ajo që ata deklarohen, konstatohet se, njeriu është i lumtur kur jeta e tyre ka një kuptim dhe se janë të përdorshëm.[2] Njeriu është i lumtur kur jeta e tij ka një kuptim dhe qëllim.

Nëse nisemi nga përvojat e njerëzve të lumtur dhe atyre të palumtur ato nuk janë tejet ndryshe sa i përket përvojave të tyre edhe negative. Nuk mund të thuhet se njerëzit e lumtur kanë fatin dhe përjetojnë përherë vetëm suksese kurse njerëzit e palumtur vetëm dështime. Këtu qëndron dallimi se të palumturit dy herë më shumë mendojnë në ngjarjet e pa fat apo të mossuksese a dështimet se sa njerëzit e lumtur, përderisa këta të fundit fokusohen se si mund të përmirësojnë pikëpamjet e tyre personale. Mendohet se disa njerëz edhe lindin më pak a më shumë të lumtur. Mirëpo kjo nuk do të thotë se njeriu nuk mund të ndryshoj dhe se me një strategji kalimi në një jetë të lumtur është i arritshëm. Duhet mendohet se çfarë e bënë njeriun e lumtur dhe të palumtur dhe mandej shfrytëzo strategjinë për të realizuar atë që të bën të lumtur.[3]

Personat që vuajnë nga konkurrenca ekstreme nuk pajtohen në asnjë mënyrë me humbje. Këta njerëz me mendime të tilla të konkurrencës mendojnë se përherë duhet të jenë fitues kategorik por nuk kanë as edhe lumturinë e duhur në fitoret që arrijnë. Ndërsa po humbën u duket se bota është rrënuar, ndërsa po fituan ata nuk mund të kenë një gëzim për arritjen, sepse “kjo ka qenë e pritur” për botën e tyre. Këtyre njerëzve që nuk donë konkurrencë, të pa konkurrentë asnjë arritje nuk është e mjaftueshme ndërsa mossukseset i shohin si rrënuese. Njerëzit që vuajnë nga konkurrenca ekstreme – e papajtueshmërisë me humbjen dhe për fitore me çdo kusht janë të palumtur, sa fitores së tyre i japin nota më të ulëta se disa të tjerë mossukseseve të tyre.[4] Andaj njerëzit e lumtur pajtohen edhe me humbje dhe nuk vuajnë nga shtypja me qenë përherë fitues, ngadhënjyes.

Nëse caqet e jetës tënde bien në kundërshtim me dëshirat e ndryshme që keni, bie fjala nëse dëshironi të bëni jetën familjare dhe njëkohësisht të jeni me punë nëpër qendra të ndryshme të botës, apo nëse e dëshironi qetësinë e jetës private dhe merreni me punë publike, si person publik atëherë mund të ndodh që ju të jeni i palumtur, sepse caqet e jetës tënde duhet të kenë drejtim të njëjtë e jo që ato të shkojnë në drejtime të kundërta. Nëse rrotat e makinës tënde shkojnë në drejtime të kundërta atëherë nuk është për t`u habitur që një ditë do jeni i palumtur me situatën ku gjendeni.

Një studim dhjetë vjeçar konstaton ndërlidhjen mes kënaqësisë personale dhe qëllimeve, caqeve të mëtuara. Caqet familjare, punës, shkollimit, dhe ajo e vendit të dëshiruar për të jetuar marrë të gjitha së bashku përbëjnë 80% të lumturisë jetësore por këto caqe duhet të jenë, vihen në harmoni me njëra tjetrën, të kenë një kaheje të përbashkët.[5]

Një familje 5 anëtarësh kishte jetuar në rrethana të thjeshta familjare. Vëllai i madh me të përfunduar shkollimin fillor e kryen një zanat dhe hyn në punë. Ai me punën e tij e ndihmon familjen. Me kalimin e viteve familja përmirësohet financiarisht dhe dy vëllezërve më të vegjël u jepet mundësia me i përfundua studimet. Mirëpo vëllai i madh duke e krahasuar pozitën e vet me arritjet e vëllezërve që kishte përkrahur, fillon të ndjehet i palumtur. Me krahasimi me të tjerët duhet pasur kujdes. Nëse ne krahasohemi me ata që kanë më shumë ndjehemi të palumtur, ndërsa po e krahasuam vetën me ata që kanë më pak, atëherë jemi falënderues për të arriturat. Nëse i kthehemi familjes 5 anëtarësh duhet potencuar se vëllai i madh për t`u ndier i lumtur duhet të krahasoj vetën me ata njerëz që janë rritur në rrethana e kohë të njëjtë e jo me ata që kanë pasur kushte tjera nga ai. Sepse kjo nxjerr në dritë anën pozitive dhe arritjet e sukseset personale e në këtë këndvështrim ai fiton më shumë nga lumturia e jetës dhe do pajtohej me sukseset e vëllezërve të tij në moshë më të vegjël. Kjo mënyrë krahasuese vërtetohet edhe me një hulumtim në kuadër të një testi psikologjik me një grup studentësh që marrin një detyrë me zgjedh një fjali me fjalë të përziera. Ata që gjejnë zgjidhjen por krahasohen me ata më të shpejtit tregohen të palumtur me vetveten, ndërsa disa të tjerë që e krahasonin vetëm me ata që detyrën e kishin kryer edhe më ngadalë, ndjehen shumë më të lumtur dhe nuk ua vinin shumë vëmendjen atyre që kishin kryer enigmën shumë më shpejtë.[6]

Të gjithë njerëzit kanë nevojë për ndjenjën me qenë pjesë e një organizimi më të madh. Pra, njeriu ka nevojë për marrëdhënie shoqërore, me marrë pjesë në jetën e të tjerëve dhe të fitojë ndjenjën se edhe të  tjerët atë e perceptojnë seriozisht. Kështu që marrëdhëniet e ngushta sociale janë një parametër për lumturinë e njeriut. Andaj bëhu pjesë e marrëdhënieve sociale, sepse kjo ndihmon në lumturinë tënde. Nëse jeni afër me njerëzit e tjerë, keni shansin më të madh të jeni në harmoni me vetveten se sa të mos keni fare afërsi me ndokënd.[7]

Ajo që e largon vëmendjen njeriun nga substanca reale jetësore janë mediat e ndryshme si telefoni, kompjuteri, televizioni. Psikologët kanë konstatuar se konsumimi i tepërt i televizionit ndikon që njeriu të humbë aftësinë me bisedua. Një konstatim nga këto studimet psikologjike thuhet se ky medium na merr shumë kohë, por nuk jep asgjë. Nëse shikoni, atëherë vetëm ato programe të zgjedhura dhe jo të konsumoni gjithçka që ju ofron ky medium apo mediumet tjera. Kaloni kohën më mirë me miq, natyrë apo familje. Shikimi i tepruar i televizionit apo edhe konsumimit të mediumeve të ngjashme trefishon dëshirën për posedim dhe njëkohësisht redukton kënaqësinë tuaj jetësore rreth 5 % në orë e ditë.[8]

Veten tuaj duhet ta pranoni ashtu si jeni, pa kushte. Ju nuk jeni identik me shumën e parave që keni në bankë, rrethin ku jetoni, apo me punën. Në fakt, jeni si gjithë njerëzit tjerë, një përzierje e paparamenduar dhe komplekse, me aftësi dhe paaftësi. Andaj, duhet të pranoni se njeriu ka gabime, dobësi si edhe gjithë të tjerët. Pranimi i këtij fakti nuk do të thotë se nuk duhet të bëhet përpjekje për përmirësimin e tyre. Në një studim për vetëbesimin e njerëzve të rritur konstatohet se ata me ata njërës të lumtur me vetëbesimin e tyre një humbje e shpjegojnë më lehtë, atë e trajtojnë si rrëshqitje që nuk ka të bëj asgjë me aftësinë e tij, përderisa njerëzit e palumtur në të veprojnë në të duke i dhënë peshë e duke e rritur humbjen a gabimin e tyre. Humbjen e shikojnë si shprehje e inferioritetit dhe kështu në/mbi këtë e bazojnë edhe ardhmërinë e tyre.[9]

Të kujtosh prejardhjen tënde familjare dhe etnike, nga vjen, kjo mund të jap shumë ngushëllim. Andaj kujtoni mundësisht ndjenjat më të mira që keni me prejardhjen tuaj familjare. Nga vij, dhe si kam ardhur këtu ku jam tani. Nëse e njohim historinë familjare dhe prejardhja etnike – kjo mund të jetë ngushëlluese. Në dhjetë hulumtimet shkencore të bëra me studentë konstatohet se një përforcim i ndjenjës së identitetit etnik ata i ka bënë për 10% më të lumtur.[10]

Bie nata dhe vjen koha për gjumë. Paraprakisht i hapni mendimet e ndryshme që ju preokupojnë dhe filloni të mendoni për brengat e ndryshme që ju mundojnë apo edhe për tema për të cilat nuk kanë drejtpërdrejtë me personin tuaj. Dhe këto brenga e mendime në kokën tuaj sillen në rreth dhe ju shkaktojnë stres dhe pengojnë relaksimin e kështu edhe pengojnë gjumin. Nëse me mendimet tona kërcejmë nga këtu atje, e nga atje diku tjetër kjo shkakton shqetësime. Siç tregojnë studimet që janë bërë me studentë nëpër kolegje të ndryshme shpërthimi i mendimeve të ndryshme para rënies në gjumë shkaktojnë pengesa gjumi, kështu që në vijimësi kualiteti i dobët i gjumit ndikon edhe në ndjenjën e lumturisë. Kështu, tregojnë rezultatet e këtyre studimeve se, ata që bëjnë gjumin mirë 6% janë më të lumtur se gjumë bërësit mesatar dhe 25% më të lumtur se ata që e bëjnë gjumin keq.[11] Para se te flesh, merru vetëm me një temë.

Nëse doni të dini se një njeri a është i lumtur, atëherë mos e pyesni sa ka para në bankë e as sa ka rrogën, por duhet pyetur për shokët. Siç e thotë një thënie: “Parat janë si dorëza, kurse shoqëria si dora jote. Njëra është e dobishme tjetra vendimtare për jetë.” Dy shokë hapin një firmë kontabiliteti. Pas një kohe suksesi, firma fillon të humbë nga viti në vit. Firma me krizën financiare shkakton edhe krizën mes dy shokëve. Ata akuzonin njëri tjetrin për krizën. Detyrohen ta mbyllin firmën. Një vit mbas mbylljes vendosin të drekojnë së bashku. Gjatë bisedës te dy e pranojnë se, kanë pësuar një humbje të madhe dhe ajo nuk ishte paraja por shoqëria. Numri i shokëve, intimiteti i shoqërisë, afërsia pran familjes si dhe raportet me kolegët e punës dhe fqinjët – gjithë këta faktor sipas një studimi e përbëjnë 70% të lumturisë personale.[12] Shoqëria peshon më shumë se paraja.

Nëse e shikojmë mirë njerëzit e lumtur nuk i kanë e nuk i marrin gjitha çka u dëshiron zemra, mirëpo e dëshirojnë më së shumti atë që ju jepet. I japin vlerë asaj që mund ta fitojnë e arrijnë. Njerëzit e palumtur shpesh i japin vetit caqe të parealizueshme e kështu që dështimi është i paraprogramuar. Kush i vënë vetit qëllime të mëdha dhe ato edhe i realizon nuk është më i lumtur se ndonjë që i ka vënë vetit qëllime, caqe solide. Andaj kur mendon i për pozitën tuaj në punë apo për raportet e juaja me familje hidhni mendimet në fantazinë tuaj i të qenit njeriu më i pasur në botë apo për një familje “ideale”. Kthehuni realitetit. Kjo nuk do thotë se nuk duhet të përpiqeni për përmirësime, por jo të vuani nga perfeksioni. Ekziston një korrelacion mes lumturisë dhe përputhshmërisë me qëllimet dhe aseteve në anën tjetër. Sa më të realizueshme që janë qëllimet aq më e madhe është pajtueshmëria me vetveten. Kush i vënë vetit caqe të parealizueshme, në krahasim ka shans vetëm një të dhjetën për t`u ndier i lumtur.[13]  Andaj duhet të jeni realist në pritjet e juaja.

Jeni të hapur për të renë. Bota përherë ndryshon. Andaj jeni të hapur para ndryshimeve. Nëse mbeteni vetëm pran asaj që për ju është e njohur dhe jeni të mësuar në ato rrethana e ritëm jete, me kohë, me moshën sa më të madhe tuajën gjithnjë e më shumë do fërkoheni në mjedisin tuaj. Shpesh ballafaqimi me përshtatjen në ndryshimet dhe rrethanat lidhet me frikën që ka njeriu përballë ndryshimeve. Sipas një studimi amerikan i bërë me njerëzit e moshuar konstaton se gatishmëria për përshtatje është më e rëndësishme për ndjenjën e kënaqësisë se sa paraja dhe kualiteti i marrëdhënieve aktuale.[14]

Marrëdhëniet mes njerëzve bazohen në vlerësimin e ndërsjellët dhe kjo mund të demonstrohet më së miri dhe mund t`i tregohet njëri tjetrit, se sa i rëndësishëm është ai apo aj për njërën a tjetrin, quke ia bërë të ditur këtë. Në universitetin Houston-it është bërë një hulumtim pse nuk i thuhet njerëzve që i kemi për zemër apo i nderojmë se, sa të rëndësishëm janë ata për ne. Të testuarit japin arsyetimin se, ajo çka i ka penguar në shprehjen e vlerësimit për personat me të cilët kemi marrëdhënie ka të bëj me konkurrencën, fuqinë, pushtetin dhe demonstrimi i pozicioneve. Te të papunët në moshë konstatohet se, kohëzgjatja e të qenit i pa punë nuk është aq vendimtare për vetëbesim se sa mbështetja që kanë te prindërit, të afërmit, dhe miqësia.[15] Mos ngurroni t`ua tregoni atyre me të cilët keni marrëdhënie se, sa kanë ata rëndësi për ju.

Përgatiti:  Zef Ahmeti

Master of Mediation

Dipl. ILP

————————————————————————-

[1]Niven, D., die 100 Geheimnisse glücklicher Menschen, 2006.

[2] Lepper, H., „In Pursuit of Happiness and Satisfaction in Later Life… Disertacion në University of California. 1996.

[3] Lyubomirsky, S., The hedonistic Consequences of social ComPARISON : Implications for Enduring Happiness and Transient Mood, Disertacion në  Stanford University, 1994.

[4] Thurman, C., Personality Correlates of the Type a Behavior Patern, Dis. Në Unoversity of Georgia, Athens, Georgia, 1981.

[5] Wilson, A., Haber, D., Weaver, G., Freeman, J., Altruistic Activity. Në: Activities, Adoption, and Aging, 1997.

[6] Lyubomirsky, S., Ross, L., Hedonistic Consequences of Social Comparison, publikuar në: Journal of Personality and Sozial Psychology, 1997.

[7] Magen, Z., Birebaum, M., Pery, D., Experiencing Joy and Sorrow. International Forum of Logotherapy, 1996.

[8] Wu, P., Goal Structures of Materialists vs. Non-Materialists, doktoratur në University of Michigan, 1998.

[9] Brown, J., Dutton, K., The Trill of Victory, the Complexity of Defeat: Self-Esteem and People’s Emotional Reaction to Success and Failure. Journal of Personality and Social Psychology, 1995.

[10]Neto, F, Predictors of Satisfaction in Life. Social Indicators Research, 1995.

[11]Abdel Khalek, A., Al-Meshaan, o., Al-Schatti, A., Themes of Preesleep Thoughts. Journal of the Social Sciences, 1995.

[12] Murray, C., Peacock, M. J., A Model-Free Approach to the Study of Subjective Well-Being. Mental Health in Black Amerika. Thousand OAKS, California: Sage. 1996.

[13] Diener, E., Fujita, F., Recources, Personal Strivings, and Subjective Well-Being. Journal of Personality and Social Psychology. 1995.

[14]Clarc, F., Carlson, M., Zemke, E., Gelya, F., Petterson, K., Ennevor, B.L., Life Domains and Adaptive Strategies of a Group of Low Income, Well Older Adults, American Journal of Occupational Therapy, 1996.

[15]Lackovic-Grgin, K., Dekovic, M., Social Support and Self-Esteem in Unemployed University Graduates, Adolescence, 1996.

Shpërndaje

Comments are closed.

«