Jezusi këshillon: Ruajuni të mos t’ju gënjejnë mësues të rrejshëm!

E diela XXXIII gjatë vitit – viti C

 

Leximi i parë   Mal 3, 19-20

Dita e Zotit nuk është larg; ajo do të na bëjë të zbulojmë vetveten dhe do të shfaqë atë që ne jemi me të vërtetë. Nëse dikush është i varfër do të pasurohet, nëse dikush vuan do të gëzohet, nëse dikush është i vogël do të bëhet i madh. Atë ditë do të gjykojë njerëzit dhe do të bëjë të triumfojë drejtësia mbi të këqijtë dhe mëshira mbi të drejtët.

 

Lexim prej Librit të Malakisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë dita që po vjen – thotë Zoti i Ushtrive – e s’do t’u lërë as rrënjë as gem! Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullotë.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   98

 

Ref: Eja, o Zot, për ta gjykuar botën

———————————-

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

———————————-

Le të buçasë deti me ç’ka në të,

rruzulli me banuesit e tij;

lumenjtë le të duartrokasin,

e malet le të gërthasin me hare.

———————————-

Le të gërthasin me hare para Zotit,

që po vjen për të gjykuar dheun.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi,

e popujt me maturi.

———————————-

 

Leximi i dytë   2 Sel 3, 7-12

Nuk ka vend për parazitët të cilët jetojnë në kurriz të të tjerëve dhe mbjellin kudo grindje. Të punosh do të thotë të fitosh lirinë tënde, të bësh botën të banuar dhe jetën të mundur, të kesh diçka për të ofruar dhe për të bashkëndarë.  Të presësh botën tjetër nuk duhet të jetë një justifikim për të harruar detyrat dhe përgjegjësitë e jetës së përditshme.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull, që të na përngjani. Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!” Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve u urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vet! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 21, 5-19

Jezusi përdor shpesh këtë shprehje “duhet të ndodhin këto gjëra”, për të shpallur si mundimet e tij ashtu edhe përndjekjet e të krishterëve të parë.  Ai e përdor edhe për të profetizuar rënien e Jerusalemit dhe të tempullit të tij të mrekullueshëm. Jezusi nuk u premton besimtarëve të vet fitoren, përkundrazi ata do të jenë me të vërtetë dishepujt e tij nëse do të përballen me fatkeqësitë e historisë duke iu besuar diturisë dhe forcës së Ungjillit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, kur disa po flisnin për tempullin sesi është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni, nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.” E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”. “Ruajuni – u përgjigj – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.” Atëherë u tha: “Do të ngritët një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli.  Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi. Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Fundi i botës nuk është një moment i përcaktuar i historisë njerëzore e personale por është një qëllim drejt të cilit ne ecim, duke jetuar ngjarjet e dhimbshme e plot me shpresë të historisë.

Jezusi thotë: Do të vijnë ditë në të cilat …”. Është fjalimi i fundit publik i Jezusit në Jerusalem, ku Ai shpall shkatërrimin e tij. Ndërsa dishepujt shpallin madhështinë e tempullit, Jezusi deklaron se çdo madhështi artificiale, simbol i fuqisë, edhe fetare, është e dënuar të shkatërrohet.

“Mësues, kur pra do të ndodhin këto gjëra …?”. Jezusi ka për zemër jo fatin e Jerusalemit, por fatin e të tijve e si duhet të sillen gjatë pritjes së ardhjes së tij. Duhet të vigjilojmë që të mos lejojmë të gënjehemi nga mashtrues të çdo lloji. Për Jezusin shkatërrimi i Jerusalemit, i quajtur nga judenjtë si një tragjedi, është pjesë e planit të Hyjit, por nuk përkon me fundin e botës.

“Kjo do të jetë mundësia juaj për të dëshmuar”. Ata që do t’i qëndrojnë besnik Jezusit, në vuajtje janë shumë të mirëpritur nga Hyji e do të gëzojnë mbrojtje të sigurtë nga Ati.

“Me këmbënguljen tuaj do të shpëtoni shpirtrat tuaj” (꞊ njerëzit tuaj, jetët tuaja). Termi “këmbëngulje” domethënë: durim, guxim përballë të gjitha provave deri në fund. Krishti, kur të vijë, duhet të gjejë secilin prej nesh në vendin e vet të punës. Pritja e botës së ardhshme na detyron të punojmë për realitet tokësore, dhe na nxit të përmirësojmë shoqërinë tonë me angazhimin konkret e dashurisë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, jemi pothuajse në fund të vitit liturgjik, t’ia drejtojmë lutjen tonë Atit të drejtësisë dhe të mëshirës. Vetëm Ai e njeh deri në fund dobësinë tonë.

L. Të lutemi së bashku me besim: Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën e Shenjtë, që beson, vuan dhe shpreson në çdo anë të botës: që e forcuar nga Shpirti Shenjt të jetë dëshmi e Krishtit Zot. Të lutemi

L. Për bujqit dhe të gjithë punëtorët: që, duke zhvilluar aktivitetin e tyre, të ndihen bashkëpunëtorë të Hyjit në shërbim të jetës dhe të mirëqënies së çdo njeriu. Të lutemi

L. Për njerëzimin: që shqetësimi për nevojat e përditshme të mos e bëjë të harrojë jetën e ardhshme dhe vëmendjen ndaj të afërmit. Të lutemi

L. Për bashkësinë tonë: që të mos bjerë në tundimin e frikës, por të shpallë besimin në ngjalljen e Krishtit me veprat e jetës. Të lutemi

M. O Hyj, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, arsyeja e shpresës sonë, në mirësinë tënde dëgjoje lutjen tonë; ti që njeh dobësitë tona, në Provaninë tënde na ndihmo me Hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: