Papa Françesku, penalistëve: drejtësia të jetë në mbrojtje të dinjitetit e të drejtave të njeriut

Nov 16 • Kisha ndër Shqiptarë

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Kongresin XX të Shoqatës Ndërkombëtare të së Drejtës Penale, Papa Françesku kujtoi aspektet kritike të drejtësisë njerëzore dhe drejtësinë në këndvështrimin e krishterë të botës.

 

 “E drejta penale nuk ka arritur ta ruajë veten nga kërcënimet, të cilat, në ditët tona, rëndojnë mbi demokracinë”. Kështu tha Papa Françesku, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Kongresin XX të Shoqatës Ndërkombëtare të së Drejtës Penale, që i priti sot në audiencë në Vatikan. Ati i Shenjtë vuri në dukje dy aspekte të rëndësishme, që lidhen me “idhujtarinë e tregut” dhe me “rreziqet e idealizmit penal”.

 

Idhujtaria e tregut

“Njeriu i brishtë e i cënueshëm – shpjegoi Françesku – është i pambrojtur para interesave të tregut”. “Sot, disa sektorë ekonomikë – siç thuhet në enciklikën ‘Laudato Si’’ – ushtrojnë më shumë pushtet sesa vetë shtetet”.

“Gjëja e parë që duhet të pyesin juristët sot është: çfarë mund të bëjnë ata, me njohuritë e tyre, për t’iu kundërvënë këtij fenomeni, i cili vë në rrezik institucionet demokratike dhe vetë zhvillimin e njerëzimit. Konkretisht, sfida e tanishme për çdo penalist është të ndalë irracionalitetin ndëshkues, i cili manifestohet, veç të tjerash, në burgosje masive, në mbipopullimin dhe në zbatimin e torturës nëpër burgje, në arbitraritetin dhe abuzimet e forcave të sigurisë, në zgjerimin e sferës të dënimit, në kriminalizimin e protestës shoqërore, në abuzimin me burgimin parandalues dhe në mosrespektimin e garancive më elementare penale dhe procedurale”.

 

Rreziqet e idealizmit penal

“Një nga sfidat kryesore aktuale të shkencës penale – vërejti Papa – është kapërcimi i vizionit idealist”. “Vendosja e një sanksioni nuk mund të justifikohet moralisht me pretendimin se duhet forcuar besimi në sistemin normativ dhe në mundësinë që çdo individ të marrë përsipër rolin e vet në shoqëri dhe të sillet ashtu si pritet prej tij”.

 

Denoncimi i Papës

Reduktohen të drejtat shoqërore, denoncoi më tej Papa Françesku, ndërsa minimizohen jashtëzakonisht mashtrime të rënda si “parajsat fiskale”, ose “fenomenet masive të përvetësimit të fondeve publike”, që shpesh “kalojnë pa u vënë re, ose trajtohen sikur të ishin thjesht konflikte interesi”.

“Verifikohet periodikisht që përdoren akuza të rreme kundër liderëve politikë, në bashkëpunim me mediat, kundërshtarët politikë dhe me organet e kolonizuara gjyqësore. Në këtë mënyrë, me mjetet e avokaturës – vërejti Bergoglio – instrumentalizohet lufta, gjithnjë e domosdoshme, kundër korrupsionit, me qëllimin për të luftuar qeveri të padëshiruara, për të reduktuar të drejtat shoqërore dhe për të promovuar ndjenja kundër politikës, nga të cilat përfitojnë ata, që duan të ushtrojnë pushtet autoritar”.

“Njëkohësisht – tha Papa – është kurioz fakti, që përdorimi i parajsave fiskale, të cilat shërbejnë për të fshehur të gjitha llojet e krimeve, nuk perceptohet si çështje korrupsioni dhe kriminaliteti të organizuar”.

 

Mbrojtja juridike e ambientit

Nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar, nënvizoi më tej Papa Françesku, të gjitha ato sjellje, që mund të konsiderohen si “ekovrasje”: “ndotja masive e ajrit, e burimeve të tokës dhe e ujit, shkatërrimi në shkallë të gjerë i florës dhe i faunës, si edhe çdo veprim, në gjendje të çojë drejt një katastrofe ekologjike, ose të shkatërrojë një ekosistem”. Papa kujtoi se kohët e fundit, gjatë sinodit për Rajonin Panamazonik, etërit sinodalë propozuan ta quajnë “mëkatin ekologjik si një veprim kundër Zotit, të tjerëve, bashkësisë dhe ambientit”. Françesku shtoi se Kisha po mendon të fusë në  Katekizmin e Kishës Katolike edhe mëkatin kundër ekologjisë:

 “Siç është sinjalizuar gjatë punimeve tuaja, ‘ekovrasja’ nënkupton humbjen, dëmtimin, ose shkatërrimin e ekosistemeve të një territori të caktuar, aq sa banorët nuk kanë më mundësi ta gëzojnë atë. Kjo bën pjesë në kategorinë e pestë të krimeve kundër paqes e, duhet të njihet si i tillë nga bashkësia ndërkombëtare. Sot, përmes jush, dua t’iu bëj thirrje të gjithë liderëve dhe përfaqësuesve të sektorit, që të kontribuojnë me përpjekjet e tyre për të siguruar mbrojtjen e përshtatshme juridike të shtëpisë sonë të përbashkët”.

 

Këndvështrimi i krishterë mbi të drejtën penale

Së fundi, Ati i Shenjtë kërkoi që e drejta penale të mos jetë thjesht dënim, pasi përgjigjja ndaj së keqes nuk mund të jetë një e keqe tjetër. Është fjala të vendoset drejtësia për viktimën e jo thjesht, të dënohet agresori. Papa shpjegoi këndvështrimin e krishterë për këtë çështje:

 “Në botëkuptimin e krishterë, modeli i drejtësisë gjen një mishërim të përsosur në jetën e Jezusit, i cili pasi u trajtua me përbuzje dhe madje, me dhunën, që e çoi drejt vdekjes, në fund të fundit, me ringjalljen e Tij, solli dhe sjell një mesazh paqeje, faljeje dhe pajtimi. Këto janë vlera të vështira për t’u arritur, por të domosdoshme për jetën e mirë të të gjithëve”. (RV)

Shpërndaje

Comments are closed.

«