A ke dëshirë ta shohësh Jezusin

Nov 19 • Meditimi i ditës

19 nëntor 2019 – E marte,  MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Mak 6,18-31; Ps 3,2-7; Lk 19,1-10)


Prania e Hyjit

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat vetjake.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime
që të lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet se çfarë do nevojitej apo çfarë do duhej të jem.
Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të pjekurisë sime në vazhdim e sipër.
Do të lus për një ndjenjë më të lartë të lirisë së brendshme
dhe që të mund të arrij diçka të re prej asaj çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retroaktive, hap për hap.
E kujtoj gjithë atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.
I vërej edhe hijet (gabimet) dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 19,1-10

1 Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet.

2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.

5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të murmurisin:

“Ktheu të rrijë te një mëkatar!”

8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:

“Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!”

9 Atëherë Jezusi i tha:

“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Pai, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Zakeu na kujton sot dy gjëra. Së pari çështjen se kush jemi dhe kujt i përkasim, dhe së dyti, ta lartësojmë shikimin, perceptimin tonë.

Kush është Zakeu? Zakonisht ne në këtë pyetje nxjerrim një përgjigje sipërfaqësore nga shkrimet e shenjta. Në fakt, Luka ungjilltar kur e përshkruan Zakeun si një person që kishte shtatin e vogël, dëshiron të nxjerrë në pah se si njerëzit gjykojnë në mënyrë sipërfaqësore. Të tjerët e shikonin Zakeun në bazë të pamjes së jashtme, sepse ishte tagrambledhës. Shën Luka e di se ne shpesh e gjykojmë një libër nga kapakët e saj. Por ai na e hap skenarin, sepse, në këtë paragraf të vogël, na kujton edhe një herë se me besimin e një kokrre të sinapit, mund t`i lëvizim malet.

Zakeu e di se kush është vetë, dhe për këtë arsye ai e di gjithashtu se kush nuk është. Ai nuk është mëkati i tij. Ai nuk është mashtrimi i tij. Ai nuk është frika e tij. Ai nuk është dyshimet e tij. Zakeu është një mëkatar, por kjo NUK është ajo se kush është ai. Zakeu, i vetëdijshëm për mëkatin e vet, e di se kush është, kujt i përket. Ai është krijuar në imazhin dhe ngjashmërinë e Hyjit, ai është i bekuar me dinjitet dhe vlerë që, pasi ajo i është dhënë nga Hyji, askush apo asgjë nuk mund t`ia marrë; ai është një pasardhës i Abrahamit, një fëmijë i dashur i Zotit: kjo është ajo së cilës ai i takon.

  • Së dyti: Ne kemi nevojë ta lartësojmë, ta ngrehim shikimin, perceptimin tonë. Mos të shikojmë cekët, në mënyrë sipërfaqësore. Duke e ditur se ai është një fëmijë i Zotit, i pajisur me dinjitet dhe vlerë, dhe që posedon një besim që mund t`i lëviz malet, lexojmë në Shkrimin e sotëm që Zakeu “dëshironte të shihte se kush ishte Jezusi”. Jezusi po kalonte andej. Zakeu ishte duke e kërkuar para së gjithash Zotin. Zakeu është i gatshëm të bëjë çfarëdo qoftë vetëm që ta njihte Jezusin. Ai është i gatshëm të rrezikojë gjithçka për të hyr në marrëdhënie të drejtë me Zotin e tij. Ai u ngrit. Ai shkoi përpara. Ai u ngjitë në një pemë dhe me të vërtetë e vuri veten në rrezik për të qenë me

 

Bashkëbisedimi

Jezusi po kalonte nëpër qytetin e Jerihonit. Dukej sikur ai s`kishte ndërmend të qëndronte aty. Megjithatë, e ndryshoi planin e vet dhe u kthye për të qenë mysafir te Zakeu. O Zot, më mëso të mos jem i/e ngurtë si druri apo si guri, por t’iu përgjigjem momenteve të papritura të hirit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. O Zot, bëj ta dëgjoj sesi më flet: “Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” Eja e rri, të lutem, çdo ditë! Përndryshe, jam i/e humbur. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »