Jezusi është Mbreti i të mirës, faljes dhe Parajsës

Nov 23 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela XXXIV gjatë vitit (C) – Jezu Krishti Mbret i gjithësisë

 

Leximi i parë   2 Sam 5, 1-3

Davidi ka fituar famë si luftëtar i pathyeshëm. Fiset e veriut duan një kryetar që i mbron dhe i kërkojnë Davidit nëse do të jetë mbreti i tyre.  Ai pranon, por nuk ka asgjë fetare në këto ngjarje. Megjithatë Hyji nëpërmjet lojës së ngjarjeve politike, përgatit ardhjen e Mesisë.

 

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Në ato ditë, erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.” Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   122

 

Ref: Ku është Zoti, aty mbretëron paqja

———————————

Sa u gëzova kur më thanë:

“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”

Ja, tashmë këmbët tona shkelën

në dyert e tua, o Jerusalem!

———————————

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,

thuaj se i tëri një copë të vetme je!

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,

sipas rregullores në Izrael,

për të kremtuar Emrin e Zotit.

———————————

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,

selitë e shtëpisë së Davidit!

Lutuni për paqen e Izraelit:

“U priftë e mbara atyre që të duan ty!”

———————————        

                                                                     

Leximi i dytë   Kol 1, 12-20

Kolosianët imagjinonin se energjia hyjnore përhapej nga Hyji tek engjëjt, njerëzit, lënda, dhe mendonin të vendosnin Krishtin në këtë shkallë hierarkike. Pali kundërshton dhe dënon këtë konceptim mbi krishtërimin. Edhe sot rikthehet tundimi për të futur Krishtin në një filozofi njerëzore, të ndërtuar jashtë Ungjillit. Krishti vendoset në një nivel tjetër: Ai është i parëlinduri i njerëzimit dhe e shpëton prej vdekjes.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin, faljen e mëkateve. Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.  Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.

Aleluja

 

Ungjilli   Lk 23, 35-43

Mundimet e Krishtit te Luka janë përshkruar me optimizëm. Ndërsa kryetarët e popullit shprehin urrejtje dhe ironi, populli qëndron i pa folur duke e kundruar. Është shumë domethënës dialogu i Jezusit me dy hajdutët: Krishti, edhe pse u mund, triumfon mbi të keqen dhe dhuron  mëshirën e tij, duke u bërë kështu Zot i qiellit dhe i tokës, burim i shpëtimit për të gjithë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, populli rrinte aty e po kundëronte. Anëtarët e Këshillit të Lartë e përqeshnin duke thënë: “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.” Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky – ky s’bëri asnjë të keqe!”. Dhe tha: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parriz.”. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Mbretëria e botës është e kundërta e mbretërisë së Krishtit. Mbreti i kësaj bote ushtron forcën dhe fuqinë e tij me sundimin dhe zotërimin. Krishti është mbreti i gjithësisë, sepse është Shpëtimtari i njeriut dhe i gjithësisë, nëpërmjet flijimit të vetvetes e shërbimit të dashurisë. “Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve”. Në arsyen e dënimit Jezusi ka kërcënuar sovranitetin e perandorit romak. Ndërsa për besimtarin Jezusi është me të vërtetë mbret, një mbret që ka si fron kryqin. “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!”. Ushtarët dhe njëri prej keqbë-rësve e nxisin në këtë sfidë të cilën Jezusi nuk e pranon. Mbi kryq ai nuk shpëton vetveten, por dhuron vetveten për të na shpë-tuar ne. “Jezus, të bie ndër mend për mua, kur të arrish në Mbretërinë tënde”. Keqbë-rësi tjetër nuk bashkohet me fyerjet e të tjerëve: ka kuptuar se Jezusi jeton me Hyjin një marrëdhënie unike dashurie. “Me të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë”. Falë dashurisë së mëshirshme të Jezusit të kryqëzuar, shpëtimi i dhurohet këtu plotësisht hajdutit të kthyer, që do të jetojë me Jezusin një marrëdhënie lumturie të pafund. Ja Mbreti ynë! Jo ai që sundon e poshtëron me arrogancën e fuqisë. Por ai që shërben derisa të japë jetën, Ai që duke vdekur shpëton. Ta njohësh si mbret domethënë të kthehesh, të pranosh faljen e tij e të mësosh të shërbesh me stilin e përkushtimin e tij.

 

Lutja e Besimtarëve

  L.T’ia drejtojmë me besim lutjet tona Krishtit Mbretit të Gjithësisë, që, me anë të kryqit të tij të lavdishëm, të ripërtërijë të gjithë njerëzimin në drejtësi e në paqe. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

   L. O Zot Jezus, shikoje këtë Kishën tënde: drejtoje në rrugën që të dërgon në shpëtimin e amshuar. Të lutemi

  L. O Zot Jezus, Mbret i Gjithësisë, bekoji mbarë popujt dhe përhape Mbretërinë tënde të dashurisë, të drejtësisë dhe të paqes mes gjithë qytetarëve të saj. Të lutemi

   L. O Zot Jezus, ngushëlloji ata që vuajnë: bëj që ata që jetojnë të poshtëruar në dinjitetin e tyre dhe të shtypur në të drejtat e tyre të gjejnë forcën të shpresojnë në një të nesërme më të mirë. Të lutemi

   L. O Zot Jezus, na jep solidaritet të plotë me njerëzimin e vuajtur, që troket në portën tonë: bëj që të angazhohemi në emrin tënd, duke fituar mbi çdo respekt njerëzor.   Të lutemi

   L. O Zot Jezus, tregoje mëshirën tënde mbi këtë bashkësi: bëj që, duke ndjekur shembullin tënd, të jetë dëshmitare profetike e dashurisë sate që shpëton.Të lutemi

   M. O Hyj, Atë i Jezu Krishtit Mbret i Gjithësisë dhe Zot i historisë, që ke pranuar lutjen e hajdutit të mirë, dëgjoji me mirësi kërkesat që të drejtohen Ty nga zemrat e besimtarëve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

«