Dhurata është e madhe aq sa ka dashuri në të

Nov 25 • Meditimi i ditës

25 nëntor 2019 – E hënë, Shën Katarina e Aleksandrisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 1,1-6.8-20; Ps: Dan 3,52-56; Lk 21,1-4)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë raporte – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që përshkohet nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye e ndiej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala e Zotit

E gjatë është rruga nga koka deri te zemra. Gjërat që i marrim me mend, që i kuptojmë duhet të kalojnë nëpër zemër që të fillojmë edhe t`i zbatojmë në jetë.

Më pëlqen që Shën Injaci kërkon që ta përdorim imagjinatën. Shpesh herë njerëzit e kanë vështirë të lëvizin nga koka drejt zemrës. Shën Injaci kërkon që ta imagjinojmë skenën e ngjarjes që jemi duke e medituar. Duhet të hyjmë e të gjallërohemi në rrjedhën e ngjarjes, ta vërejmë erën dhe zërat, tingujt, të bëhemi një nga personazhet e pasazhit të Shkrimit Shenjt. U përpoqa ta dëgjoja këtë këshillë, dhe interesant, fillova ta ndiej se po i lejoja Jezusit të hynte në zemrën time.
Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta dëgjoj ungjillin me mend e zemër…

 

Lk 21, 1-4

1 Jezusi shikoi dhe pa se si të pasurit po hidhnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës. 2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore që hodhi dy lepta 3 dhe tha:

“Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë. 4 Sepse të gjithë të tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamjes së vet gjithçka pati për jetesë.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në ungjillin e sotëm dëgjojmë një histori të shkurtër rreth një vejushe të varfër që kishte dhënë aq sa kishte nga varfëria e vet. Tregonte një besimtar: Duke hyrë në këtë paragraf me imagjinatën time planifikova që ta merrja rolin e gruas së varfër. Mirëpo, ndërsa i lejova vetes të zhytesha në ngjarje, përfundova te një person i pasur në turmë. Nuk isha ajo vejusha e përulur që pata shpresuar se do të jem. Përkundrazi, u bëra një nga njerëzit te të cilët Jezusi kishte vënë re mangësi. Në imagjinatën time po qëndroja në radhë, duku i ndjekur rregullat, duke u përgatitur për ta hedhur dhuratën time në arkëzën e lëmoshës. Unë dhe një miku im, me para në dorë. Nuk e pranoja se kisha nevojë për Hyjin.
  • Pastaj vura re një grua të veshur si skamnore që i vinte erë e keqe. Po i bëja rrugë të kalonte. Nuk e pash Jezusin. Nuk e vura re se ishte atje. Isha i interesuar më shumë për të përmbushur detyrimin tim sesa të kisha besim në Zotin. Ende isha i tërhequr pas erës së keqe të gruas së moshuar duke i hapur rrugë të vinte te arkëza. Vura re, menjëherë pasi ajo i hodhi paratë e veta në arkëzën e lëmoshës, buzëqeshi me besim në Jezusin dhe u largua. E ndjeva veten sesi ngadalë po bëhesha i vetëdijshëm se dëshiroja të isha si ajo. Doja t`i besoja Zotit me gjithçka që kisha.
  • Duke u lutur me ungjill, në vend se ta lexoja, ai ma tërhoqi zemrën. Dhe vërtetë, nëpërmjet Fjalës së Zotit arrijmë ta njohim Jezusin dhe arrijmë ta njohim pak më shumë vetveten. E dëgjoj edhe një herë ungjillin dhe lejoj që të gjejë jehonë në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

Ku na tërheqë zemrat tona sot Zoti?

Si mund t`i lejojmë veprimit të gruas së vejë të na sfidojë t`i besojmë më shumë Zotit?

Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.

Dashuria ima u përhaptë dhe i prektë të tjerët.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Nuk llogaritet shuma që është dhënë, por zemra – dashuria me të cilën diçka është dhënë.

“Ajo qiti prej skamjes së vet gjithçka pati për jetesë.” Më ndihmo, o Zot, që sipas shembullit të kësaj gruaje të paemëruar që të më ndihmojë që edhe unë të jap të paktën diçka nga bollëku im. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »