Jezusi: mos shkoni pas profetëve të rrejshëm

Nov 26 • Meditimi i ditës

26 nëntor 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTËLutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 2,31-45; Ps: Dan 3,57-61; Lk 21,5-11)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Relaksohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të bëhem njeri i lirë nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Vetëdija

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim e ndafsha gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 21, 5-11

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

7 E pyetën:

“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:

“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Leximet e sotme flasin për qëndresën me shpresë se Mbretëria e Hyjit do të vijë.

Duke i shikuar lajmet që transmetohen çdo mbrëmje, mund të pushtohemi nga dhimbjet dhe vuajtjet e botës sonë. Lufta të vazhdueshme për pushtet çojnë në keqkuptime, ndarje, urrejtje dhe luftë. Dhimbja dhe vuajtja që ne shohim përreth nesh mund të na trullosë. Mund të ndjehemi të pafuqishëm, të paaftë për të sjellë ndonjë ndryshim. Por besimi ynë i krishterë na tregon se ky nuk është plani i Zotit. Besimi ynë na jep shpresë. Leximet e sotme mbajnë premtimin e një tjetër mënyre të jetesës dhe ekzistimit. Fjalët e profetit Daniel dhe të ungjillit sipas Lukës na tregojnë se Mbretëria e Hyjit do të vijë. Bashkësitë e shtypura në të gjithë botën kanë dëgjuar për këtë premtim nga thellësia e dhimbjes së tyre. Ata kanë kënduar këngët lirie, ata kanë dalë me guxim dhe bindje për të çliruar popullin e tyre. Le të marrim pak kohë për të kujtuar ata që kanë qëndruar me guxim kundër shtypjes dhe urrejtjes, sepse ata e sjellin Mbretërinë e Hyjit në mesin tonë.

  • Ne mund të humbasim gjëra që i konsiderojmë nga më të çmueshmet: marrëdhënien, familjen, shëndetin, miqësinë, sigurinë, punën, pronën. Ç`na mban të qëndrueshëm kur na ndodh kjo – në këtë kohë krize? Në vështirësitë tona, a e drejtojmë zemrën tonë kah Zoti në mënyrë që të rritemi në forcë?

 

Bashkëbisedimi

Në kohët tona, shkatërrimi i mjedisit po na sjell vuajtje. A krijon kjo vetëm pikëllim, mbyllje në vetvete apo nxit në ne dhembshuri dhe gatishmërinë për një përgjigje praktike? Dhe a besojmë se natyra mund të ripërtërihet nga Hyji i cili edhe e krijoi i pari atë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Unë mund të humbas diçka që është më e çmueshmja për mua: marrëdhënien, familjen, shëndetin, miqësinë, sigurinë, punën, pronën. Ç`më mban të qëndrueshëm në këtë kohë krize? O Zot, bëj që në vështirësitë e mia, t`ia drejtoj zemrën time zemrës sate në mënyrë që të përforcohem? Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »