U kremtua festa e Shën Katarinës, pajtorja e Famullisë së Pejës

Nov 26 • Kisha në Kosovë

Dje, më 25 nëntor 2019, kalendari liturgjik i Kishës katolike përkujton Shën Katarinën e Aleksandrisë, virgjër dhe martire. Kjo shenjtëreshë është pajtore e Famullisë së Pejës, e cila për çdo vjet kremtohet në mënyrë solemne.

Meshën e festës e kryesoi Don Tomë Mihaj, salezian nga Shkolla Don Bosko në Prishtinë, në bashkëmeshim famullitarin Don Lenc Sopi dhe meshtarë tjerë të ardhur për të bashkëkremtuar pajtoren e kësaj Kishe.

Më poshtë e gjeni të plotë homelinë e predikatarit Don Tomë Mihaj, e cila na jep një pasqyrë të gjithanshme të kësaj feste:

“Në fillim të këtij meditimi dëshiroj të përshëndes famullitarin Don Lencin, meshtarët e pranishëm, motrat e nderit, ju të dashur vëllezër e motra këtu të pranishëm dhe ata që na dëgjojnë nëpërmjet valëve të Radio Marisë. Jam i nderuar të kryesoj këtë Meshë Shenjte, në festën e famullisë, këtu në Pejë. Të jem pjesë e ecurisë së kësaj famullie historike të kishës sonë, është një dhuratë prej Zotit për mua sot. Ju përshëndes përzemërsisht.

Të dashur vëllezër e motra, jemi mbledhur këtu për të lavdëruar Zotin për dhuratën e Shën Katarinës, martire. Nderimin e kësaj shenjte të shekullit III, e lindur në Aleksandri-Egjipt, e gjejmë shumë të përhapur anë e mbanë Evropës.

Por le ta pyesim veten: pse kjo shenjte, virgjër e martire, një vajzë tetëmbëdhjetë vjeçare, pati një jehonë kaq të madhe në Kishë? Çfarë kishte të veçantë Shën Katarina, më shumë se të tjerët e kohës së saj: që ishin të pasur, të pushtetshëm, apo edhe mendjemprehtë? E që nuk i kujton historia?
Përgjigjen e marrim duke shikuar jetën e saj. Ajo është e madhe, sepse jetën e saj ia dhuroi Krishtit, Mbretit dhe Shëlbuesit të vet. Pranoi me gatishmëri kurorën e martirizimit.
Dëshiroj që të bashkëndajë me ju shkurtimisht vetëm disa veçori të jetës së saj.
Katarina, një e krishterë në lulen e rinisë, vetëm 18 vjeçare, qe bijë e një familjeje shumë të pasur që jetonte në një qytet shumë të rëndësishëm të lashtësisë: Aleksandria e Egjiptit.
Në 305 emërohet si guvernator i Egjiptit dhe Sirisë, Maksimin Daja (më vonë do e quaj veten August). Me rastin e ardhjes së tij organizohen festa madhështore, të cilat përfshijnë gjithashtu edhe flijimin e kafshëve perëndive pagane. Një veprim i detyrueshëm për të gjithë, e për këtë arsye edhe për të krishterët.

Në kulmin e këtyre organizimeve, Katarina refuzon që t’u flijojë zotave paganë, por merr guximin dhe paraqitet para guvernatorit, duke e ftuar atë që të njohë Jezu Krishtin si Zot i vërtetë dhe shëlbues të njerëzimit.

Guvernatori thërret një grup intelektualësh për të bindur Katarinën që të adhurojë zotat paganë. Por, është Katerina që, me urtësinë dhe fjalët e saja, i bind ata të bëhen të krishterë. Për këtë konvertim, Guvernatori jep urdhër të vriten.

Ai tenton edhe një rrugë tjetër për të bindur Katarinën, atë të propozimit për martesë, duke i premtuar pasuri. Por zemra e Katarinës ishte e Krishtit. Pasi merr një tjetër refuzim, Guvernatori jep urdhër që të dënohet me në një vdekje të tmerrshme: një rrotë e madhe me dhëmbë do e masakrojë trupin e saj. Por, për mrekulli, del e gjallë andej. Për këtë e vrasin, duke ia prerë kokën.
Tradita thotë se engjëjt mrekullisht e bartin trupin e saj nga Aleksandria deri në Malin Sinai, ku edhe sot mali afër Gebel Musa (Malit të Moisiut) ndodhet Gebel Katherin. Kjo ndodhi më 24-25 nëntor 305.

Martirizim: Nuk është e panjohur kjo fjalë për ne. Edhe kisha jonë, që në zanafillën e saj është martirizuar në bijtë e saj. E pse gjithë kjo, sepse jeta e të krishterit i përket Krishtit, autorit të jetës. Të njëjtën gjë dëshmuan edhe martirët e kombit tonë. Ata dhanë jetën për Fe e Atdhe.
Martirizimi është një dhuratë e jashtëzakonshme, dhe na kujton që nuk ka besim “low cost – me çmim të ulët” (Papa Françesku). Feja kërkon një forcë të lartë shpirtërore. Kërkon dëshmi tërësore. Fuqia e besimit ka nevojë për fjalë, ka nevojë për vepra, ka nevojë për argumente, ka nevojë për imazhe, ka nevojë për emocione. Duhet të jetë në gjendje të japë arsye – thotë apostulli Pjetër – me shpresën që është në ne.

E di, një dëshmi e tillë nuk është e lehtë. Shpeshherë ndodhë që, dëshmia e një besimi të tillë etiketohet si fanatizëm. Ndërsa relativizmi, mos-besnikëria, duke e lënë veten në duart e çdo lloj rryme, që na luhatë djathtas e majtas, paraqiten si qëndrimi normal dhe me interes. Nuk është kjo që na dëshmon sot Shën Katarina.

Edhe pse nuk mungojnë edhe sot martirët për fe, e janë të shumët për fat të keq, nga Lindja në Perëndim, nga Veriu në Jug të Planetit tonë, të dhemb zemra kur shikon si ka një martirizim tjetër, që në heshtje vret pak e nga pak: “martirizimi i vlerave”.

Vrasja e vlerave të familjes, të dashurisë, të mirësisë, të besimit, të paqes, vrasja e shpresës. Papa Benedikti e quante “diktatura e relativizmit”. Në emër të përfitimit personal, në emër të egoizmit, në emër të kënaqësisë, në emër të parasë, në emër të pushtetit, njeriu po harron se kush është, harron nga vjen e ku duhet të shkojë. Shën Katarina sot na thotë të kundërtën.

Të dashur vëllezër e motra, ajo që mbetet është besnikëria, është forca e madhe e shpirtit, që na vjen nga jeta jonë me Zotin, që na bën ta jetojmë jetën si martirë të vërtetë është besimi.

Të jemi dëshmitar do të thotë të dimë të shkojmë kundër rrymës. Të jetojmë jetën duke ndërtuar shenjtërinë në përditshmërinë tonë. Sepse çdo i krishterë është i thirrur të jetojë një jetë të shenjtë. Të jetojë jetën e vet në Krishtin: të kemi guxim. Nuk duhet të na vijë turp që të dëshmojmë atë që jemi, të jetojmë atë që na është dhënë. Jo me dhunë, por me dashuri.

Ky është misioni që Zoti na ka besuar: të jemi ura bashkimi. Urë bashkimi me praninë tonë në familje, në bashkësi, në shoqëri: të jemi fytyra e Krishtit. Me veprën tonë: të jemi ura që bashkon lutjen me dashurinë vepruese për të varfrit, për të vegjlit, për ata që kanë nevojë.
Mes shenjtërinë tonë: mes botës së etur për të vërtetën dhe Krishtit që është Udha, Jeta dhe e Vërteta.

Veprat e dashurisë janë “flakë hyjnore!” – thotë Shkrimi i Shenjtë – dhe se as “ujërat e mëdha dashurinë nuk mund ta ndalin”. Po, të dashur vëllezër e motra, kështu është dashuria: një flakë që gjallëron e kurrë nuk shuhet. Edhe në momentet e kryqit, ajo akoma ndizet. As gabimi, as dobësia apo mëkati ynë nuk e shuajnë. Ajo digjet vazhdimisht për ne. Kjo është udha jonë … e njëkohësisht edhe kryqi ynë.

Thotë Fjala e Zotit: “Kush do të jepte gjithçka ka në shtëpinë e vet me qëllim të blejë dashurinë, do të përbuzej prej gjithkujt”. Zgjedhja jonë shpesh është e pakuptueshme, bota nuk e kupton … ndërsa Hyji na fton që të jemi dritë e kripë për botën.

– Në këtë kohë të konsumizmit dhe të teknologjisë, ku çdo gjë duket virtuale dhe e kalueshme, jemi të thirrur akoma më shumë ta shenjtërojmë kohën.

– Në një botë ku fjalët janë aq të shumta dhe përdoren pa u dhënë shumë rëndësi, jemi të thirrur të jemi të dashuruar pas Fjalës. Aty gjen pushim shpirti ynë, aty ushqehet inteligjenca jonë, aty forcohet vullneti ynë.

– Në një botë që shtohet egoizmi dhe ndarja, ku ngriten mure, jemi të thirrur të jemi njerëz të paqes dhe shpresës. Të ushqejmë veten tonë me Krishtin e vetëm kështu mund t’ua dhurojmë të tjerëve, siç thoshte edhe Nënë Tereza.

– Në një botë ku kënaqësia personale është “virtyti” më i kërkuar, jemi të thirrur të dëshmojmë se lumturia vjen duke dashur me lirinë e shpirtit, me një dashuri zemërgjerë.

– Në një botë ku “shitet” edhe shpirti për 30 monedha argjendi për përfitime të ulëta, jemi të thirrur të dëshmojë se në jetë është diçka tjetër që ka më shumë vlerë.

– Në një botë ku vëllai shtyp vëllain për të zotëruar dhe pasur pushtet, jemi të thirrur të tregojmë fytyrën e Atit të mëshirshëm e të dimë të falim, pa dallim, sepse kështu kryejmë vullnetin e Atit qiellor.

– Në një botë që mundohet të përjashtojë të vobektit dhe të dobëtit, në një botë që zhytet në imazhin e dukjes, duhet të jemi pionierë dhe ekspertë të jetës me të tjerët dhe për të tjerët.

Kjo është shenjtëria jonë, në përditshmërinë e ekzistencës sonë. Modeli dhe Burimi i shenjtërisë është Krishti… Maria, Zoja e Bekuar, dhe Shenjtërit janë dëshmitarë besnikë dhe ndërmjetësuesit tanë në këtë ecje. Amen.”

Shën Katarina, pajtorja e Famullisë së Pejës, ndërmjetësoftë për besimtarët e kësaj bashkësie dhe për të gjithë ne./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«