Edhe në çaste të vështira Zoti është me ne

Nov 27 • Meditimi i ditës

27 nëntor 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 5,1-6.13-14.16-17.23-28; Ps: Dan 3,62-67; Lk 21,12-19)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe pa rënë në sy.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Hyjit – të paktën disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë në lidhje me atë se si jam.

Si kaloi dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala e Zotit

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.

Që t`i dua të afërmit si vetveten.

Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 21, 12-19

12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’j dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 19 Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”

 

Ç` po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Do t`ju padisin” madje edhe më të afërmit tuaj. Kur dështojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore, e kam të njohur të vërtetën e këtij paralajmërim. Por a besoj se Zoti është shumë afër meje dhe kujdeset për mua – që “as një fije floku s’do të më bjerë prej kresë”? A më ndihmon kjo për të mbajtur ekuilibrin dhe integritetin tim?
  • “Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tua.” Do të reflektoj se si jam përballur me kërcënime gjatë kohës së kaluar. A jam rritur duke kaluar nëpër to. Ndoshta tani jam më elastik, duke e ditur nga përvoja se Zoti gjithmonë vepron duke u përpjekur për të nxjerrë të mirën nga trazirat e mia.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më neveritet?

Ndërsa e imagjinoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

Duke u mbështetur në besimin e tij, si shoku shokut, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shenjat dhe salvimet

Disa mendime mbi pasazhin Lk 21, 12-19 të Shkrimit të Shenjtë:

Jezusi vazhdon paralajmërimet e tij, por tani kryesisht iu drejtohet dishepujve të tij. Ai parathotë përvoja dhe ngjarje të cilat do të realizohen së shpejti në Veprat e Apostujve, e mos të përmendim historinë e mëvonshme të Kishës gjatë shekujve, duke mos përjashtuar as ato tonat.

Jezusi flet për shfrytëzime e persekutime. “Do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje …” Termi ‘dorëzoj’ është një fjalë tematike që e hasim shpesh në Besëlidhjen e Re. Gjon Pagëzuesi i qe dorëzuar Herodit i cili e futi atë në burg dhe më pas e ekzekutoi. Vetë Jezusi i qe dorëzuar së pari udhëheqësve të popullit të tij dhe më pas Romakëve që do ta ekzekutojnë. Dhe tani Jezusi iu thotë dishepujve të tij se edhe ata mund të presin se do të “dorëzohen” dhe të tërhiqen zvarrë para gjykatave civile dhe fetare dhe “të gjithë për shkak të emrit tim”.

Por, thotë Jezusi, nuk kanë nevojë të frikësohen apo të shqetësohen. Kur të vijë koha, do të dinë se çfarë të bëjnë dhe çfarë të thonë. Ai do t`iu tregojë atyre se çfarë të thonë dhe se si të përgjigjen. Një premtim që është treguar i vërtetë vazhdimisht gjatë historisë. Gjë me të vërtetë e trishtueshme është se ata që do t`i tradhtojnë tek autoritetet shpesh do të jenë anëtarë të familjes së tyre – “prindërit, vëllezërit, të afërmit dhe ‘miqtë’.” Përsëri, edhe kjo profeci fatkeqësisht është realizuar shumë shpesh gjatë historisë.

Por a besoj se Zoti është shumë afër meje dhe kujdeset për mua – që “as një fije floku s’do të më bjerë prej kresë”? A më ndihmon kjo për të mbajtur ekuilibrin dhe integritetin tim?

“Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tua.” Kjo është ajo që e kanë dëshmuar edhe martirët tanë Shqiptarë gjatë regjimit komunistë. Kujtimet e tyre janë të çmuara dhe janë frymëzim për të gjithë ne.

  • Do të reflektoj se si jam përballur me kërcënime gjatë kohës së kaluar, gjatë viteve. A jam rritur duke kaluar nëpër to. Ndoshta tani jam më elastik, duke e ditur nga përvoja se Zoti gjithmonë vepron duke u përpjekur për të nxjerrë të mirën nga trazirat e mia.
  • Le të lutemi që të mund të kemi guximin t`iu qëndrojmë besnikë vlerave tona të krishtera pavarësisht kostos. Mos të befasohemi që besimi ynë dhe feja jonë mund të krijojnë zemërim dhe armiqësi. Në të njëjtën kohë, mund të marrim forcë vazhdimisht nga e vërteta dhe dashuria për të zhdukur frikën e paarsyeshme që besimet tona fetare mund të shkaktojnë te të tjerët.
Shpërndaje

Comments are closed.

« »