Në shikimin e Jezusit ne e shohim shpëtimin

Nov 28 • Meditimi i ditës

28 nëntor 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 6,12-28; Ps: Dan 3,68-74; Lk 21,20-28)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala e Zotit

Lk 21, 20-28

20 “Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër! 21 Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet! 22 Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi i shenjtë. 23 Vaj në ato ditë për gratë shtatzëna e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli! 24 Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.”

25 “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tij. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë ‘do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.

28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”

 

Ç´po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Miliona refugjatë e dinë të vërtetën e këtij ungjilli të sotëm. Janë rreth 20 milionë. Por të krishterë në botë ka 2,18 Ne mund të bëjmë diçka për t’i ndihmuar ata.
  • Si mund t`iu `afrohet` Biri i Njeriut atyre njerëzve në kohë fatkeqësish? Shën Pali thotë se në qoftë se një pjesë e trupit të Krishtit vuan, “të gjithë pjesët e tjera vuajnë bashkë me të” (khs. 1 Kor 12,26). Prej nesh kërkohet të tregojmë solidaritet me ata që janë të prekur ashtu sikurse ne vetë do të dëshironim që ata të tregonin solidaritet me ne në nevojat tona.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët e tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lutem.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban të gjitha çka dëshiroj të them.

 

Përfundimi

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit dhe ardhjen e Birit të njeriut

Disa mendime mbi pasazhin Lk 21, 20-28 të Shkrimit Shenjt

 

Jezusi i vazhdon paralajmërimet e tij se çka ka për të ndodhur.
Është një përzierje e asaj që do të ndodhë në Jerusalem dhe asaj çka do të ndodhë në mbarimin e botës. Imazhet janë kryesisht biblike dhe apokaliptike, nga profecitë e Besëlidhjes së Vjetër dhe nuk duhet të merren si një përshkrim i saktë i asaj që në të vërtetë ka për të ndodhur pas nja 40 vjetëve më vonë.

Jezusi nuk i thekson aq shumë ngjarjet aktuale por kauzën, qëllimin e tyre – pabesinë dhe korrupsionin e kaq shumë vetëve. Shkatërrimi është rezultati i tyre i pashmangshëm. Kështu që kur ai i quan ato “ditët e ndëshkimit” ose “koha e ndëshkimit”, nuk e ka për qëllim të shprehë hakmarrjen e Hyjit, por rezultatin natyror të së keqes dhe të korrupsionit, paralajmërime këto që janë shumë të pranishme në Shkrimin të Shenjtë, sidomos te profetët.

Jezusi flet për disa shenja kataklizmike dhe apokaliptike për të sinjalizuar fundin e kohës. Ato janë dukuri tipike biblike dhe nuk duhet marrë si parashikime të sakta të ngjarjeve. Ato ndërlidhen me vizionin e Danielit mbi Birin e Njeriut mbi një re që vjen me fuqi dhe lavdi të madhe (khs. Dan 7). Kjo nuk ka për qëllim për t`iu futur njerëzve frikën e tmerrin, me përjashtim të atyre ndoshta që kanë jetuar jetë të liga.

Por për dishepujt, pasuesit besnikë të Jezusit, kjo është një kohë për t’u “drejtuar dhe për të çuar kokën lart, që ta dimë se është afër çlirimi”. Vuajtjet dhe turbullirat janë pjesë përbërëse e jetesës së krishterë në plotësi. Mesazhi ynë dhe vizioni ynë është një “shenjë kundërshtie”, një fanar drite për shumë vetë dhe për të tjerët një kërcënim që të shkulen me rrënjë pabesia dhe korrupsioni.

Por, për ata që janë përpjekur të jetojnë nga vizioni dhe vlerat e Ungjillit, për ata që janë përpjekur për të kërkuar dhe për të gjetur Jezusin në të gjithë njerëzit dhe ngjarjet e jetës së tyre, të cilët kanë kaluar orë me të në dialog intim, është e koha e çlirimit të tyre përfundimtar, një kohë kur s`do të ketë më dhembje, s`do të ketë më lot, s`do të ketë më vuajtje, s`do të ketë më zhgënjime. Përkundrazi, ata do të hyjnë në një kohë të pandërprerë dashurie dhe intimiteti, lirie dhe paqeje, gëzimi dhe ngushëllimi.
Pra, ndërsa i afrohemi fundit të një viti tjetër liturgjik, e bëjmë këtë me një notë ngjitjeje, optimiste.

Shpërndaje

Comments are closed.

«