Fjalët e Jezusit mbesin përgjithmonë

Nov 29 • Meditimi i ditës

29 nëntor 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 7,2-14; Ps: Dn 3,75-81; Lk 21,29-33)

 

Prania e Hyjit

 Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës a të natës.

Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.

Çfarë bekimi i mrekullueshëm!

Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
Dhe më tërheq kah gjithçka që është e mirë,
Duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
Në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
Pranon, shëron dhe ripërtërin
Mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala e Zotit

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 21, 29-33

29 Pastaj u tregoi shëmbëlltyrën:

“Vëreni fikun e të gjitha pemët. 30 Kur të bulëzojnë edhe vetë e dini se vera është afër. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër. 32 Për të vërtetë po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha. 33 Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë.”

 

Ç´po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezus, si duket ke mësuar shumë nga natyra. Ma jep të njëjtën vetëdije që të mund të mësoj në lidhje me praninë, kujdesin dhe veprimin e Hyjit në jetën time.
  • Përmendja e pemës së fikut po ma kujton një tjetër fik që iu dha një shans i dytë për të dhënë fryt. A kam guximin për të filluar përsëri kur gjërat s`funksionojnë me të parën?

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Mësimi i fikut

Disa mendime mbi pasazhin Lk 21, 29-33 të Shkrimit të Shenjtë

 

Jezusi vazhdon qortimet e tij rreth gatishmërisë për të ardhmen. Kryesore është që të shikojmë shenjat domethënëse, që duan të na çojnë përtej të dukshmes.
Ashtu sikurse te fiku ose ndonjë pemë tjetër, bulëzimet e gjelbra në zhvillim e sipër tregojnë se vera po vjen. Kur gjërat që Jezusi i përmend se janë duke ndodhur, të tmerrshme siç duken të jenë disa prej tyre, ato në fakt janë shenja të verës. “Mbretëria e Hyjit është afër.” Në raste të tjera, Jezusi pat thënë se Mbretëria tashmë është e pranishme, por Mbretëria mund të shihet në mënyra të ndryshme. Mbretëria është e pranishme kudo ku vlerat e Ungjillit janë duke u jetuar, por ajo nuk do të realizohet plotësisht deri në fund kur të gjithë të jenë mbledhur në Të.
“Nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha.” Kur Jezusi thotë se “kjo brezni e tanishme” nuk do të kalojë derisa të ndodhin të gjitha, kjo nuk do të thotë se ardhja e fundit e Jezusit do të ndodhë gjatë jetës së dëgjuesve të tij, siç e kishin imagjinuar disa, por me vuajtjen dhe vdekjen e tij, do të fillojë pajtimi i ri dhe i amshuar të cilin ai e inauguron me Mbretërinë. Për ironi, përmbushja e profecisë së Jezusit është përuruar me shkatërrimin e Jerusalemit dhe fundin e Tempullit. Ajo përuron një prani të re të Hyjit në botë, një prani “në shpirt dhe në të vërtetën”.
Megjithatë, fjalët e Jezusit mund të thonë gjithashtu se populli hebre si racë (këtu referuar si “kjo brezni”) do të vazhdojë së ekzistuari deri në fund të kohës, në ardhjen finale të Jezusit.
Së fundi, bota në të cilën jetojmë do të zhduket një ditë, por fjalët e Jezusit, fjalët e së vërtetës dhe të jetës do të qëndrojnë përgjithmonë të vlefshme, sepse ato përfaqësojnë një vizion të jetës dhe ato vlera të përjetshme që i kuptojmë se burojnë nga Hyji dhe për të cilat çdo qenie veç e veç njerëzore është e thirrur t`i përvetësojë.
Ndërsa i afrohemi fundit të vitit liturgjik është koha që të marrim vendim nëse duam të bëhemi pjesë e mbretërisë që Jezusi po e përuron. Jo vetëm t`i takojmë asaj, por edhe të bëjmë që ajo Mbretëri të përhapet jetën tonë të përditshme, në fjalët dhe veprat tona. Pastaj, pa marrë parasysh se kur të vijë të na thërrasë, ne jemi gati.

Shpërndaje

Comments are closed.

«