Papa Françesku dërgon kontribut prej 100.000 eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri
Papa Françesku ka vendosur të dërgojë një kontribut të parë prej 100.000 eurosh për të ndihmuar popullsinë shqiptare të goditur nga tërmeti, në këtë fazë të emergjencës. Shuma do të përdoret në dioqezat e zonave të tërmetit, në veprat e shpëtimit dhe të ndihmës.
Papa Françesku mendon sërish për Shqipërinë, pas përshëndetjes së popullit shqiptar në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, kur i shprehu afërsinë tij të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit dhe, pas telegramit të ngushëllimit për viktimat. Sot, Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor njofton se Ati i Shenjtë ka vendosur të dërgojë një kontribut të parë prej 100 mijë eurosh për të ndihmuar popullsinë në këtë fazë të parë të emergjencës.
Fondi do të përdoret për ndihmë
Në këtë mënyrë, Ati i Shenjtë dëshiron të shprehë afërsinë e tij shpirtërore dhe mbështetjen e tij atërore për njerëzit dhe për territoret e prekura. Shuma do të përdoret në dioqezat e zonave të tërmetit, në veprat e shpëtimit dhe të ndihmës së popullsisë, në marrëveshje me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri.
Fjalët e Papës në audiencën e përgjithshme
Gjatë audiencës së përgjithshme, ditën e djeshme, Papa Françesku u shpreh kështu: “Dëshiroj t’i dërgoj një përshëndetje dhe t’i shpreh afërsinë time popullit të dashur shqiptar, që vuajti shumë këto ditë. Shqipëria ishte vendi i parë i Evropës, që desha ta vizitoj. Jam shumë pranë viktimave, lutem për të vdekurit e të plagosurit. Zoti e bekoftë këtë popull, që e dua aq fort”.
Impenjimi i Kishës Katolike në mbështetje të popullsisë
Kontributi i Papës, që arrin në Shqipëri përmes Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, i cili shoqëron lutjen e Atit të Shenjtë për popullsinë, është pjesë e ndihmës së Kishës Katolike universale. Përveç Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore, që po aktivizohen njëra pas tjetrës, në ndihma janë përfshirë edhe shumë organizata bamirësie. (burimi: https://www.vaticannews.va/sq/papa/news/2019-11/perkrahja-e-papes-per-te-demtuarit-nga-termeti-ne-shqiperi.html)
« Fjalët e Jezusit mbesin përgjithmonë Në Katedralen Shën Nënë Tereza do të bëhet Rivarrimi simbolik i Pjetër Bogdanit, në 330-vjetorin e kalimit të tij në amshim »