Jezusi ka dhimbje për njerëzit dhe ju del në ndihmë
4 dhjetor 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 25,6-10a; Ps 23,1-6; Mt 15,29-37)
Prania e Hyjit
Zot i dashur, më ndihmo që të hapem me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.
Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë që është parashikuar për sot.
Lexoj pa u ngutur
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.
Mt 15, 29-37
29 Jezusi u nis prej andej, ra bregut të detit të Galilesë, u ngjit në një kodër e u ul të rrijë atje. 30 Iu afrua një turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi. 31 Populli u mrekullua duke parë se si memecët flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqeptët ecnin drejt, të verbërit shihnin dhe i dha lavdi Hyjit të Izraelit.
32 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes nxënësit e vet e u tha:
“Më dhimbset ky popull se, ja, ka tri ditë që rri me mua e nuk ka çka të hajë. Nuk dua t’i nis të uritur që të mos u bie të fikët udhës.”
33 Nxënësit iu përgjigjën:
“Po ku të gjejmë këtu në shkretëtirë aq bukë sa të ngijmë gjithë këtë popull?”
34 Jezusi pyeti:
“Sa bukë keni?”
“Shtatë bukë e pak peshq të vegjël” ‑ iu përgjigjën ata.
35 Atëherë i dha urdhër popullit të ulej për tokë. 36 Pastaj mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi Hyjin, i theu, ua dha nxënësve të vet e nxënësit popullit.
37 Të gjithë hëngrën deri sa u nginë, e me copat që tepruan, çuan plotë shtatë shporta. 38 Ata që hëngrën ishin, përpos grave e fëmijëve, katër mijë burra.
39 Kur e shpërndau popullin, hyri në barkë e shkoi në Krahinën e Magadanit.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Zotëri, ti je ai që vë re kur jemi të uritur, të lodhur, të çorganizuar dhe pa vonesë na afrohesh për nevojat tona të përditshme.
- Grumbuj njerëzish, duke sjellë edhe të gjymtuar, memecë dhe të verbër, të ka rraskapitur. Dhe akoma përsëri, ti je në Ungjill ai që ushqen të uriturit dhe u jep atyre forcë për udhëtimin e tyre. Ti je buka e jetës.
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban gjithçka dua të them.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Me sy dhe dëgjim të brendshëm mund ta shohësh dhe dëgjosh Hyjin Rivarrimi i Pjetër Bogdanit në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë »