Rivarrimi i Pjetër Bogdanit në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Dec 8 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Të premten e kaluar, më 6 dhjetor 2019, në ditëvdekjen e 330 të Imzot Pjetër Bogdanit, Dioqeza Prizren-Prishtinë, ka organizuar rivarrimin e tij simbolik në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, me tri aktivitete: konferencë shkencore, meshë të shenjtë dhe akademi solemne të rivarrimit.

Imzoti i Prishtinës, qe varrosur në Kishën e Shën Françesk Ksaverit në Prishtinë në 1689, pas u prek nga mortaja vdekjeprurëse, në kohën ky me burrat trima të Kosovës e në bashkëpunim me ushtrinë austriake punonte në kryengritjen për ta çliruar vendin e tij nga pushtuesi otoman.

Por eshtrat e tija nuk mund të pushon në tempullin e vendit të tij, pasi otomanët dhe tartarët, që ishin vërsulur të tërbuar ndaj Kosovës, e zhvarrosën trupin e tij dhe e hodhën në sheshin e Prishtinës për ushqim të qenve, si shenjë hakmarrjeje e sakrilegj ndaj të njeriut që i dronin për eshtrat e tija. Që atëherë ne nuk e kemi as varrin e prelatit tonë, njeriut poliedrik të kulturës sonë shqiptare dhe pararendësin e rilindjes sonë të vonuar.

Mungesa e varrit, e ka shtyrë Kishën Katolike në Kosovë për ta përgatitur një varr-vend nderimi dhe kujtimi të përhershëm në Katedralen e Shën Nënë Terezës, përkatësisht në Kriptën e Katedrales. E koha më e mirë ishte ky përvjetor i 330 vjetorit të kalimit të tij në amshim.

 

KONFERENCA SHKENCORE 

Për dy orë (16:00-18:00), 10  studiues të Bogdanit trajtuan figurën dhe veprën  shumëdimensionale e Bogdanit, në fushën e filologjisë, letërsisë, teologjisë, historisë, arkeologjisë politologjisë. Në sallën e Qendrës “BogdaniPolis”, të mbushur përplot me dashamirës të kësaj figure kolosale, në prani të prelatëve; ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, argjipeshkvit të Tivarit në pension Imzot Zef Gashi e argjipeshkvit aktual të Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, famullitarit të Prishtinës Don Fatmir Koliqi dhe prof. Xhavit Beqiri (moderator), studiuesit na i prezantuan të arriturat e tyre, së pari nga filologjia dhe arkeologjia; prof. Anila Omari, nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, studiuesja më eminente e leksikut të Bogdanit, shfaqi figurën e tij si hulumtues i mbishkrimeve të vjetra dhe kontribuuesin e mbledhjes së kulturës së të shkruarit dhe të folurit në trojet e tona arbërore, me temën: Relacioni i vizitës apostolike të Bogdanit (1658) dhe mbishkrimi i Kishës së Shirgjit. Prof. Anton Berishaj, docent në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin e Filologjisë trajtoji poetikën e Bogdanit. Prof. Evalda PACI, nga Akademia e Studimeve Albanalogjie në Tiranë, trajtoi dimensionin e shkrimtarit dhe i lëvruesit të gjuhës në personalitetin e Pjetër Bogdanit. Prof. Kujtim SHALA, trajtoi temën e poezive të Bogdanit te shkalla IV, të Cuneus Prophetarum autori përkthen e shkruan poezi të sibilave. Ndërsa prof. Aljula JUBANI, nga Universiteti i Tiranës, trajtoi temën Pjetër Bogdani: kleriku “që kish për të kiane” martir për fè e atdhè.

Nga fusha e teologjisë u paraqitën dy teolog, Don Robert Kola, profesor i Seminarit Ndërdioqezan në Shkodër dhe Vikar Gjeneral i Dioqezës së Sapës, me temën e hermeneutikës së Shkrimit të shenjtë në kryeveprën e Bogdanit “Çeta e Profetëve” dhe Don Shtjefën Dodes, drejtor i Radio Marisë Kosovë, mbajti kumtesën e tij mbi kristologjinë në veprën e Bogdanit. 

Në pjesën e historisë, të fundit të kësaj konference, paraqitën trajtesa tre studiues: Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës dhe studiuesi i psikologjisë sociale, me temën Gjendje fetare në Kosovë në kohën e Imzot Pjetër Bogdanit, Dr. Gjon BERISHA, nga Instituti i Historisë së Kosovës, me temnën Elementi shqiptar në kryengritjet antiosmane të kohës së Bogdanit dhe Dr. Mirie RUSHANI, diplomate e ambasadore, trajtoi Bogdanin në aktivitetin politik dhe diplomatik, duke e cilësuar njërin ndër figurat eminente të kombit tonë në këtë fushë pas Gjergj Kastriotit.

 

MESHA E SHENJTË

Pika e dytë e kësaj ditë kushtuar të madhit dhe të përndritshmit prelat të kishës sonë, u kremtua mesha e shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza (ora 18:00), të cilës i priu Mons. Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivari, në bashkëmeshim me Imzot Dodë Gjergjin, nikoqirin, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë dhe Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, me shumë meshtarë e popullin e Zotit.

Homelinë e rastit e mbajti Imzot Zef Gashi, i cili ndër të tjera theksoi: Çfarë rastësie interesante. Pikërisht sot në festën e Shën Kollit, ipeshkëv, figurë madhështore në historinë e Kishës universale, përkujtojmë ditën e kalimit në amshim të njërës prej figurave më të rëndësishme të historisë së kishë sonë ndër shqiptar, argjipeshkvin Pjetër  Bogdanin. Që të dy këta heronj të Zotit sot i nderojmë dhe admirojmë për shkak të një jete të shenjtë dhe heroike që kanë pasur para Zotit dhe para popullit, siç themi ne. Shën Kolli, pajtor e mbrojtës i fëmijëve, shenjt i mrekullive, fort i nderuar nga miliona e miliona njerëz, anë e mbanë botës. Shenjt që është nderuar dhe nderohet sot e kësaj dite gjatë shekujve me të njëjtin intensitet. Ai le të lutet dhe ndërmjetësojë  për ne të gjithë.

Argjipeshkvi i famshëm Pjetër Bogdani, një martir e një bari i shenjtë edhe pse i pashpallur zyrtarisht, është personalitet të cilit ia kemi kushtuar ditën e sotme, ditën e kalimit të tij në amshim para 330 viteve, pikërisht këtu në qytetin tonë – Prishtinë. Para meshe patëm një simpozium shkencor mbi figurën impozante të P. Bogdanit, ndërsa pas meshe është në program një  Akademi me rastin e Rivarimit të tij në kriptën e Katedrales sonë.

Para 30 viteve në 300-vjetorin e vdekjes së tij, në vitin 1989 isha famullitar këtu në Prishtinë. Ky përvjetor ishte një rast i mirë për ta bërë dhe zgjeruar një njohuri sa më të madhe dhe sa më cilësore për këtë kolos të fesë, kulturës dhe kombit tonë shqiptar. Prandaj, me10 dhjetor të këtij viti, pra në 1989 në famullinë e Shna Ndout në Prishtinë e organizova një manifestim fetar e kulturor me 3 pika kryesore:1). Mesha për shpirtin e të madhit argjipeshkëv Pjetër Bogdani, që e pati udhëhequr Imzot Nikë  Prela, pasardhësi i tij në selinë ipeshkvisë së Prizrenit. 2). Pas meshe u mbajt një Akademi solemne kushtuar kësaj figure të ndritshme me fjalime, recitime e këndime. 3). Dhe në fund ishte zbulimi i bustit të Pjetër Bogdanit oborrin në kishës, i cili më vonë u quajt “Sheshi i Pjetër Bogdanit”. Zbulimin e bustit e pati bërë Dr. Ibrahim Rugova, që atëherë ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe njëkohësisht njohësi më i miri i personalitetit të  Bogdanit.

Në kontekstin e rrethanave të kohës dhe ndërrimeve që pasuan pastaj shtrohej pyetja: Çfarë jehone pati ky manifestim bogdanian?

Jehona ishte e madhe, për faktin se mijëra njerëz e gjenin te figura e Bogdanit, inspirimin dhe guximin për lëvizje të reja për lirinë e vendit, që tash disa vite ishte në gjendje të rëndë. Njerëzit vinin në shtegtim te Bogdani sikur të ishte një profet i tyre që ju tregon rrugën drejt lirisë. Kujtimi i kësaj figure, paraprijës i rilindësve dhe përpjekjeve të mëdha kombëtare, bëri që të ringjallet përsëri shpirti liridashës të shqiptarëve të kosovës.

Edhe Kisha jonë, te kjo figurë e gjente motivimin, frymëzimin dhe guximin për angazhime të gjithanshme për popullin e Kosovës. 

Edhe sot, Imzot Pjetër Bogdani, duhet të jetë një figurë e ripërtirë në jetën e kishës, kulturës dhe vendit. Ai le të lutet për ne në qiell që të mund t’i përballojmë të gjitha vështirësitë e tashme, të qëndrojmë në rrugën e trasuar pret tij, e të na udhëheqë dëshira e madhe e tij për me e dashtë dhe me i shërbye vendit tonë deri në fund të jetës.”

 

AKADEMIA SOLEMNE PËR BOGDANIN DHE RIVARRIMI SIMBOLIK

Çasti kulminant i kësaj dite ishte Akademia solemne e rivarrimit (ora 19:00) në sallën e madhe të qendrës “BogdaniPolis”, e cila u përbë nga këngë, recitime dhe fjalime, shpalljen e dekretit të rivarrimit dhe procesioni drejt kriptës së Katedrales.

Akademia filloi me këngën “Shpejto, o Zot, na ndihmo” i interpretuar nga anëtarë të Korit të Katedales, të udhëhequr nga Don Shtjefën Dodes dhe m. Domenika Gjergja, e cila përkon me lutjen shumë të famshme të Bogdanit “Miserere Domine, primus” shq. ki mëshirë, o Zot, se marum, që e kishte nxjerr në momente të vështira të ekzistencës së popullit dhe kishës sonë, e sot ajo u bë për ne sot kjo këngë, u bë një lutje e kohës sonë që po e jetojmë.  Në vazhdim u interpretua nga aktorja Arijeta Ajeti poezie e bukur eLuka Bogdanit, i cili i këndonte kushëririt të vet, që e shprehte me një gjuhë të bukur arbnore.

Fjalën e rastit në akademi e mbajti Imzot Dodë Gjergji, pasardhësi i nëntëmbëdhjet i Bogdanit në Prishtinë, i cili thas se Bpgdani “do të mbetet gur  i çmueshëm në kurorën e atdhetarëve më të mëdhenjtë të popullit tonë.  Ai, – u shpreh ipeshkvi – me veprën e tij intelektuale, e sidomos me librin “Çeta e Profetëve”,   u bë “dritë  në fund të tunelit” të errët, ku ishte katandisur vendi dhe populli ynë, më se 200-vite, pas vdekjes së Kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit-Skënderbe.”

Duke i duke i falënderuar relatorët dhe të gjithë kontribuuesit për organizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme për shënimin e 330 vjetorit të Pjetër Bogdanit, i mori disa thënie të njohura të Bogdanit dhe përmes tyre dha porosi të thukta dhe të rëndësishme për jetën tonë sot:

Më lejoni  t’i theksoj disa thanje të këtij Bariu të madh, që po i dëgjuam me kujdes dhe dashuri do të dëgjonim një jehonë deri në realitetin e ditëve tona. Jehonë e cila, për dikë mund të jetë mësim, për dikë thirrje e për një tjetër qortim.

 

Të marrim thënien e tij:

  • “Populli jem u bâ rob se s’pat dije” 

Në terin e mosdijes e kishte zhytur fati keq i kohës, rrethanave historike  e sidomos okupimi Otoman. E sa të tmerrshme ishin këto rrethana shohim nga përshkrimi që ai i banë realitetit të kohës tij:  “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim… gjithkah ikje..! Unë nuk dëshiroj të iu bëj analizë rrethanave të kohës së Bogdanit, por dy fjalë për kohën tonë më duhet t’i them: Nëse ai, në këso rrethanash, dinte të gjente fuqinë e fesë, dritën e shpresës dhe dashurin për vendin e vet e për të ardhmen e popullit tij, si është e mundur, që sot, kur ne kemi gjitha këto të dhëna historike, dëshmi të mahnitshme, libra shkolla dhe universitete, akoma jetojmë në mosdije për vetën tonë. Ose  preferojmë  të “mrizojmë” të menduarit tonë nënë hijen e gabimeve historike vetëm se s’arrijmë të shohim dritën e së vërtetës. Si është e mundur që ne, të cilët sot kemi cilësinë më të mirë të jetës se kurdoherë, gjithë këtë përparim në të gjitha fushat dhe prapë se duam vendin tonë, e lakmojmë ta braktisim shpirtërisht, të mos e duam me zemër dhe të ikim fizikisht prej tij.

 

  • “Na shpëto, o Zot, se marruam”

Kjo ishte lutja më e bukur, që në gjunjë ia drejtonte Krishtit Shpëtimtar. Po edhe njëkohësisht përzierje mjeshtërore mes territ të dëshpërimit dhe dritës së fesë, që krijon shkëndi të përhershme shprese në zemrën e secilit.  Po a nuk jemi ne dëshmi dhe dëshmitarë, që kjo lutje është dëgjuar? Pasi ne s’kemi mbaruar. Këndej, nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen: Si është e mundur që njeriu i jonë ose t’ia atribuon Zotit të zezën e veta,  ose i hutuar pas famës, pushtetit dhe pasurimit – pa mund e pa meritë, mendon s’ka nevojë për Zot,  s’ka çka i duhet rendi moral i vlerave apo siç thuhet shpesh “dokrrat e klerikëve”, kurse traditat pozitive i konsideron kontingjent për koshin e plehrave.

 

  • “Edhe veshja është patriotizëm – “Me u vesh arbnisht”

Mbi gjitha, nëpërmjet të dhënave historike që na jep dhe e trashëgiminë  që na i ka lanë, ai mbetet kontribuesi më i madhe i kohës tij sa i parket fesë së krishterë, kulturës etnike, qytetërimit evropian që i përkasim.

Frymëzimi, dëshmia dhe mësimi i tij  kanë frymëzuar gjeneratat e  shumta të Ipeshkvijve, meshtarëve e besimtarëve të cilët kanë bartë këtë zjarr shprese, feje dhe dashurie në popullin tonë, që atë herë e deri më sot.  

Këndej, me plot të drejtë, mund të themi se Bogdani, si “pionier” i rilindjes sonë kombëtare, ka qenë dhe mbetet frymëzues i fuqishëm në rrugën tonë të përbashkët drejtë restaurimit të traditës, zhveshjes së etnisë nga mbishtresat kulturore, ri-freskimi i memories kolektive mbi veten tonë.

Shpeshherë dëgjojmë duke thënë që “duhet të kthehemi në shtratin e qytetërimit tonë”.  Mendoj që, ky proces ka përfunduar që moti,  pasi në këtë  “shtrat” na kanë kthye Rilindësit tanë.

Por, duke vështruar realitetin tonë të sotëm, metët të mendojmë dhe të shtrojmë pyetje nga më të çuditshme, si për shembull:  

Përse një pjesë e jona nuk ndihet rahate në këtë “shtrat”?

Përse disa nga tanët,  promovojnë “shtratin”,  por refuzojnë të shtrihen në të e vazhdojnë të  “flenë  në tokë”. Ose, përse disa popuj  kanë frikë nga ne dhe mendojnë që ne do të dëmtojmë “këtë shtrat” kulturor të qytetërimit?

Vëllezër dhe motra, Zonja dhe Zotërinj, një reflektim i tillë i të shumëve nën  frymëzimin e etërve tanë,  do të jetë  shkëndijë  e fuqishme Urtie, për  të shndritë e dhe mâ mosdijet eventuale,  rreze që hiç dyshimet e shpirtit, po edhe dritë që arrin të depërtojë në çdo skutë të errët të zemrave tona.

Me rastin e 30 vjetorit të këtij kolosi kombëtar dhe prelati kishtar, vitin e Zotit 1989, falë angazhimit të Shkëlqesisë së Tij Imzot Zef Gashit, famullitarit të atëhershëm të Prishtinës, Ipeshkvit të Shqiptarëve Imzot Nikë Prela, po edhe Presidentit Rugova, është vendosë një Bust te Kisha e Shën Ndout. E tani, 30 vjet më vonë kur kemi më shumë paqe, liri dhe shtet, në Kriptën e kësaj Kishe apo, në Kryevendin e kësaj qendre që ja kemi kushtuar Bogdanit, do të kemi një varr komemorativ.

Kështu që filluar nga sot, aktivitetet kulturore si Ditët e Gjeçovit dhe Ditë e Don Mikelit do të përmbyllen në këtë Qendër me “Ditët e Bogdanit”, në të shtunën e parë pas festës së Shën Kollit.

Pas fjalimit të ipeshkvit, u interpretua një pjesë e tekstit origjinal të “Te primite perpara letterarit” nga Çeta e Profetëve dhe një këngë, vjerdhë e sibilave, përmes të cilave aktorja Ajeti na e solli gjuhën e Bogdanit dhe ritmin e tij arbnisht.

Akademia vazhdoi me leximin e Dekretit të rivarrimit, të cilën e kishte nënshkruar Imzot Dodë Gjergji, me të cilin Dioqeza Prizren-Prishtinë e cakton një varr në Kriptën e Katedrales, përmes të cilit i caktohet vendi i nderit në kriptë. Dekreti u lexua nga vikari gjeneral i Dioqezës Don Shan Zefi dhe u shfaq para të pranishmëve. I njëjti u vendos në gurin e përgatitur dhe u dyllos nga ipeshkvi dhe në procesion, të shoqëruar nga meshtarët, motrat dhe disa besimtarë, duke kënduar e lutur u vendos në kriptë, bashkë me një kopje të Çetës së Profetëve, veprën e Bogdanit, si vepra më e madhja e tij që e kemi si trashëgim.

Në fund të kësaj ceremonie të bukur dhe njëkohësisht të dhembshme, u nda nga një medalje e bogdanit për të gjithë të pranishmit dhe u shtrua një koktej vëllazëror në pjesën e Agora të Qendrës “BogdaniPolis”.

Shpirti bogdanian, u ripërtëriftë e rroftë, kurrë mos u harroftë tek pasardhësit e tij, që të mund të shërbejnë, sipas shembullit të tij, për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të këtij vendi./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »