Dimensioni i shkrimtarit dhe i lëvruesit të gjuhës në personalitetin e Imzot Pjetër Bogdanit

Dec 9 • Kulturë, Letërsi

Nga  Evalda PACI

Një përvjetor si i sivjetmi, me një domethënie të fortë celebrative nuk mund të mos risjellë vëmendjen ndaj kontributeve konkrete të Imzot Pjetër Bogdanit e përkushtimit të dëshmuar prej tij për konsolidimin e kulturës shkrimore në gjuhën amë e më tej, të një leksiku më të specializuar siç është ai i teologjisë së krishterë, të cilin duket fare qartë që ai e zotëron më së miri. Një lëvrues i motivuar i gjuhës amtare si Pjetër Bogdani nuk la pa vënë në dukje dhe viset në të cilat kishte kaluar kapituj të jetës së vet, të gjitha me një domethënie të caktuar për atë vetë dhe për çka do ta priste më tej, dhe një fakt të tillë do ta gjejmë të ndërmendur në jo pak pasazhe të veprës me të cilën e lidhim pothuaj gjithmonë autorin tonë, ndër më të rëndësishmit e letërsisë sonë të shkruar. Pjetër Bogdani shënoi në shumë pikëpamje shekullin në të cilin jetoi dhe përmbushi hapa të një ekzistence unike, të cilën dhe e paramendonte falë zgjedhjeve të bëra përgjatë një rrugëtimi të motivuar nga një thirrje që nuk përqafohet prej kujtdo.

Për sa tradita studimore mbi një periudhe të përcaktuar kohore që lidhet me letërsinë e vjetër shqipe njeh një parapërgatitje të konkretizuar mes dokumentesh shkrimore që nuk paraqiten në formate veprash të plota, po aq konsideron dhe në pikëpamje rëndësie dhe plotësie ndërtimi vepra që nuk do të mungonin më vonë e që do të pasonin njëra-tjetrën dhe si dëshmi e një ecurie që hap pas hapi shënohej nga tipare të përveçme të natyrës gjuhësore dhe letrare.

Në momente të caktuara kohore dhe vetë studimet shqiptare do të karakterizohen nga një shfaqje e dukshme interesi për periudhat më të hershme të zhvillimit të shkrimit shqip e në këtë pikëpamje paraqitej si domosdoshmëri dhe rindërtimi i një historiku që nuk do të përqendrohej vetëm në gjurmimin e një epistolografie që përbën dhe dokumentim shkrimor të hulumtimeve që bëheshin më herët në lidhje me këtë periudhë, por dhe me sprova për të sjellë më afër lexuesit tekste konkrete nga këto vepra, jo vetëm të autorëve më të hershëm, Buzukut e Matrangës, por dhe atyre të Gjashtëqindës, me përfaqësues tipikë Budin dhe Bogdanin. Në pikëpamje studimore do të duhej të dallonim qartë mes teksteve që përcillen te Meshari (1555), apo që sillen nga një autor si Matranga, dhe atyre që të rimarra një shekull më vonë do të reflektojnë patjetër dhe modifikime jo të thjeshta përmbajtjesore, që nuk shpjegohen vetëm me distancën kohore që i ndan nga paraardhësit, por dhe me ndikimin nga ngjarje të natyrës thellësisht reformative të cilat Pjetër Bogdani i njihte më së miri, duke qenë një prelat, që jo vetëm përshkoi me dinjitet një rrugëtim formativ të duhur për kohën, por dhe kryesoi dioqeza të rëndësishme kishtare nën petkun e hierarkut dhe bariut. Një autor si Bogdani operon ndër të tjera dhe me Vulgatën latine, si një ndër burimet parësore që i shërbyen në formësimin e arsyetimeve apo parashtrimin e trajtesave me të cilat plotëson kapituj të tërë të kësaj vepre, e një fakt i tillë përbën një tjetër shtysë për të menduar se dhe ai vetë përzgjidhte arsyeshëm mes referencave që do të përbënin materien e parë në kuptimin e ndërtimit të kësaj të fundit.

Përpjekjet për të rievokuar psiken e një populli mes gjuhës së shkruar, transmetimit të teksteve themelore për doktrinën e kërshtenë, por dhe për të ruajtur një arsenal formash e përdorimesh që jetonin mes himnesh e këngësh të dashura për një popull si yni, konkretizohen më së miri në veprat që përfaqësojnë letërsinë e vjetër shqipe e një pjesë e mirë e tyre rigjejnë vend në librat e kësaj letërsie, por dhe në variantet që disa prej autorëve të saj provojnë të rindërtojnë me vetëdijen e një misioni kompleks e me rëndësi të veçantë për kohën. Koha që bëri të mundur plazmimin e botimeve dhe ribotimeve të veprave të kësaj letërsie sprovoi në çdo pikëpamje dhe vetë autorët që i realizuan këto të fundit, të cilët u bënë simbol e shembull i një flijimi të pazakontë, që dhe sot e kësaj dite i shoqëron si fakt në çdo trajtesë të natyrës biografike që lidhet me ta. Dija, (scientia), leximi, njohja mbi botën, krijimin a gjenezën, krijuesin, natyrën trinare dhe unike të tij, kenësinë e tij të mistershme e aq themelore për njeriun që besimin nuk duhet ta ndajë nga dashuria për të tjerët e për kontekstin që e rrethon, të gjitha këto mbeten disa nga sfidat themelore që një autor i një formati të plotësuar si Pjetër Bogdani do të ndërmerrte të trajtonte jo vetëm përmes tekstesh të shqipëruara e të përshtatshme për lexim dhe brendësim, por dhe me anë sermonesh, që mbi të gjitha i japin vlerë e domethënie një vepre që për nga përmasat dhe argumentet që ngërthen në vetvete, qaset më së miri me modele që botimet evropiane aso kohe synonin të realizonin nën vetëdijen e një sprove aspak të lehtë për vetë përpiluesin e për një auditor të përcaktuar që do t’i receptonte:

E shofëmë përditë se nd atë dhē ku lulëzojnë dotorëtë, letërarëtë e dijeja lulëzon ende shêjteja fē, me gjithë vepëra të mira, e nd atë dhē ku nukë janë dotorëtë, letërarëtë e të dijshimitë fēja sā e ka përditë lëngon, ligetë e shqimbetë: vepërat˜e mira, uratëtë, lëmoshënatë e njinesëtë venë tue u dvarunë.[1]

Një paragraf i tillë, ndër më të rëndësishmit si pohim në përmbajtjen e Prefationës së veprës Cuneus prophetarum (1685), është dhe dëshmi e një motoje jete për autorin tonë, i cili nuk veçon dijen mbi Hyjin nga kultura e jetës dhe marrëdhënia me botën. Autori nuk kursen të japë dhe elemente biografike që paraqiten me interes për këdo që i përafrohet veprës së tij dhe shqyrtimit të rrethanave të përpilimit të saj, duke qenë jeta e tij mjaft e vështirë dhe e prirur për t’u përballur me jo pak ndeshtrasha, të cilat dhe gjen mënyrë për t’i ndërmendur në sythe të caktuara të relacioneve që mbajnë autorësinë e tij. I karakterizuar nga një modesti e natyrshme, ai ofron dhe detaje që lidhen me një shkrimtari që kaloi sprova të një perkursi lëmimi dhe përpunimi, duke shpjeguar dhe hollësi të ndikimit nga të folme që i përvetësoi në proces të ushtrimit të misionit që i ishte caktuar në dioqezat kishtare. Një proces i natyrshëm ky që do të konkretizohet në faqet e veprës madhore të tij, që na ofron njëkohësisht dhe modelin e një përpilimi kompleks, që do të ruajë të shprehur dhe dëshminë e respektimit të kanoneve kishtare, dhe prirjen që me ndihmën e artificeve gjuhësore, mjeteve të formimit që diti t’i vërë në shërbim të një mekanizmi krijues dhe shprehësie, elementeve të kulturës shkrimore që i lejonte njohja e një letërsie antike jo vetëm të botës së krishterë të realizonte trajtesa të denja për një njeri të mirarsimuar dhe të brumosur me nocionet e një besimi që nuk do ta linte të vetëm deri në fund të jetës së tij.

Prirja për t’iu përmbajtur modeleve më të mira, por dhe më të afërta në pikëpamje të sinkronisë kohore lexohet fare mirë që në elementet tekstore më themelore të kësaj vepre, duke përfshirë dhe një aparat ikonografik që bën të mundur të ndihet një frymëmarrje e gjerë evropiane. Vepra duket se ka përshkuar një itinerar që konkretizohet përmes konsideratash e kushtesash që shprehen me forma të qarta krijimtarie, por dhe me emra krijuesish që paralajmërojnë rëndësinë që do të paraqiste një realizim i tillë, që për hir të së vërtetës kaloi disa sprova derisa pa më në fund dhe dritën e botimit. Larmia e varianteve gjuhësore që shprehen përmes dedikimeve që do të mund t’i gjejmë në pjesët hyrëse të veprës do të përforcohet së tepërmi nga tekste që të përpiluara në shqipen e kohës, janë dhe dëshmi e përdorimit të ndërtimeve që nuk i gjejmë vetëm te Pjetër Bogdani, por dhe të bashkëkohës të tij, siç qe dhe rasti i Luka Bogdanit, kushtues i një ode të plotë për veprën e të afërmit të tij.

Falë Pjetër Bogdanit mund të flasim lirisht për një kulmim më se të merituar të realizimeve në vepra të shkruara gjatë periudhës së letërsisë së vjetër shqipe dhe një fakt i tillë konkretizohet në çdo krye a kapitull të veprës së tij, pa lënë mënjanë dhe ç’dokumentohet në lidhje me të, marrëdhëniet diplomatike që përpiqej të ruante, por dhe përmasën e bariut të mirë që e rindërtoi natyrshëm në çdo fazë të rrugëtimit të tij si misionar dhe meshtar i përkushtuar. Komponenti didaktik që mund të receptohet veçanërisht në hyrje të nëndarjeve të kësaj vepre nuk i ka zbehur aspak të tjera vlera që më së pari kanë të bëjnë me shtjellimin e lavdërueshëm gjuhësor që ky i fundit u ka bërë mjaft koncepteve aq në qendër të vëmendjes për kohën, bashkë me një nomenklaturë që jo vetëm njohu një konsolidim konkret në sajë të kësaj vepre dhe përftesave që dëshmohen në të, por dhe vijoi të ishte orientuese për këdo që dhe më vonë ndërmori të përpilonte doracakë të përmasave më modeste, duke iu përmbajtur domosdoshmërisht të njëjtit regjistër dhe të njëjtit leksik në pikëpamje vijimësie dhe vërtetësie të referimit. I ndërgjegjshëm për konotacionin që fjalë të caktuara mund të kishin dhe falë faktit që kishin referentë në një botë parakristiane, autori ynë nuk mëtoi t’i vishte vlera semantike që u qëndruan më së miri në kontekstin e veprës së tij, madje duke ilustruar kësisoj se si përdorime të caktuara mund të shprehnin koncepte të leksikut të krishterë, pa qenë nevoja të ngatërrohej kuptimi gjegjës që mund të kishin pasur në tekste letrare të një profili të mëparshëm, sigurisht me diferencim kohor të diktuar nga shekuj dhe periudha të mëhershme. Ka një arsye konkrete që shpjegon dhe ndërmendjen nga ana e tij e përfaqësuesve ekzemplarë të një letërsie të rëndësishme për kulturën evropiane siç është ajo latine, po aq arsye konkrete do të mund të shpjegojnë pse ky i fundit nuk la jashtë vëmendjes autorë që nuk i lidhim thjesht me një traditë letrare, por me historinë e mendimit filozofik në lashtësi. Duke dashur të nënvizojë dhe rëndësinë e njohjes së kulturës dhe dijes që transmetohet dhe përmes autorësh që ndoshta dhe pa vetëdije kanë trajtuar koncepte që do t’i vlenin autorit tonë në proces të përpilimit të veprës së tij, Bogdani ka ofruar dhe një model vijimësie të receptimit të tyre që sigurisht kush i njeh nga afër përmes tekstesh dhe kronologjisë që i rendit si përfaqësues të një tradite letrare përkatëse, e ka të qartë dhe e konsideron natyrshëm si element të brendisë së trajtesave të tij. Kësisoj do të mund të kuptohet pranëvënia në pikëpamje citimi të autorëve që nuk i diferencon vetëm koha, por dhe motivimi në pikëpamje shkrimtarie dhe qëllimi të përdorimit të letërsisë.[2] Ҫka ka përzgjedhur të citojë vetë Bogdani nga të tillë autorë, mbetet një dëshmi konkrete e faktit që ky i fundit peshonte në masën e duhur dhe përfshirjen e teksteve që ilustronin më së miri fijet tematike që përshkojnë ligjëratat e veprës së tij, tekste këto që përbëjnë një suport të vlefshëm në pikëpamje të aparatit shkencor që mbështet fund e krye përmbajtjen e ndërtimin e saj.

Një regjistër interesant emërtimesh do të gjejmë në faqet e kësaj vepre dhe në lidhje me një nomenklaturë të posaçme që ka të bëjë me hierarkët në vise të ndryshme, veçanërisht në antikitet e kryesisht në Lindje, për të mos lënë mënjanë as Romën e lashtë. Popujt e Lindjes janë ndër më të ndërmendurit në pasazhe të caktuara të veprës së Bogdanit, bashkë me episode që gjejnë rievokim dhe në vetë Besëlidhjen e Vjetër, e vendosur në qendër të vëmendjes së autorit tonë në shumë rasa dhe në mjaft krerë të saj. Me gjasë dhe vetë kategorizimi tekstor e epistemiologjik që nuk mungon në konceptimin e Bogdanit mbi veprën e tij bashkë me trajtimin e personazheve të caktuara që i lidhim përherë me të tillë libra nga Bibla, e bën këtë të fundit objekt interesi të vazhdueshëm në pikëpamje studimore dhe të përafrueshme me interesa hulumtimi sa konkrete, aq dhe të orientuara drejt një domene të posaçme vëzhgimesh. Në këtë vepër të realizuar në një kapërcyell kohor jo të rastësishëm do të mund të gjurmohen një sërë përftesash që në një mënyrë ose në një tjetër rimerren në botime të mëvona, dhe pse të realizuara nën pretendime më modeste e gjithashtu dhe me një përmbajtje më të përcaktuar në pikëpamje konciziteti. Rimarrja e nocioneve themelore të teologjisë së krishterë një prirje të ngjashme me ç’paraqitet në Cuneus prophetarum (1685) figuron që në variante doktrinare që panë dritën e botimit rreth 50-60 vite më vonë, ndërkohë që në botimin e akteve të Koncilit të parë të Arbënit (1706) do të mund të gjurmohen përdorime që figurojnë me të njëjtin konotacion dhe te Bogdani.

Qëmtimi i një terminologjie specifike, por dhe komplekse përbën në të vërtetë një aspekt që mundëson të thuhet mjaft e të trajtohen krerë të tërë nga vepra e Pjetër Bogdanit, ndërkohë që ky i fundit paraqitet gjithashtu si një ravijëzues personazhesh që vetë bota shqiptare kishte kohë që i përjetësonte në himne, këngë dhe krijime që reflektojnë aspekte të qarta të një mendësie në të cilën feja dhe besimi përbënin një komponent mjaft të rëndësishëm. Mjeshtër i gërshetimit të një tërësie emërtesash që evokon sakralen në disa sythe të rëndësishme të sferës përkatëse semantike; mjeshtër i kontekstualizimit të jetës së profetëve, librat e të cilëve i gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër; portretizues i arrirë i profilit të Marisë, Amës së Tinëzot, së cilës i kushton pjesë të tëra nga kjo vepër; një artifex i mirëfilltë në pikëpamje të shqipërimit të sintagmave që mbartin një vlerë të qartë terminologjike për leksikun teologjik dhe më tej atë të liturgjisë, Bogdani përfaqëson një auctor në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, një magister litterārum të cilën kujtesa e dijes do ta ndërmendë gjatë e me plot të drejtë. Risitë kryesisht leksikore që do të konstatohen në proces të brendësimit të teksteve të kësaj vepre përbëjnë dhe sot e kësaj dite argumente për t’u thelluar e që rikujtojnë rëndësinë e disponimit të një botimi të tillë për studimet albanologjike, por dhe për gjurmime në fushë të studimit të historisë së ndërmendjes së disiplinave të caktuara, përfshirë dijen mbi natyrën dhe shkencat ekzakte.

Botimi i vitit 1685 (Patavii), por dhe ribotime të mëtejme që konsiderohen nga tradita e studimeve filologjike mbi autorin dhe veprën e tij, paraqiten në një format dygjuhësh që në të vërtetë duhen parë si elemente të një tërësie nëse bëhet fjalë për ta trajtuar librin Cuneus prophetarum (1685) si një objekt studimi nga këndvështrimi i disa disiplinave, përfshirë filologjinë e tekstit dhe ndonjë drejtim studimor me profil historik e diakronik. Bëhet fjalë për pranëvënie variantesh gjuhësore që në veçantinë që i karakterizon dëshmojnë sprovën jo të zakontë që duhet të ketë ushtruar në proces të një pune shumëvjeçare autori i saj, ndërkohë që duhet pohuar hap pas hapi që secili syresh dëshmon jo vetëm arsenalin gjegjës gjuhësor të pasur e të plotë, por dhe një perspektivë mjaft interesante që nuk ka munguar të paraqitet e tillë dhe kur autorë të tjerë të një kohe të përafërt kanë realizuar në një plan të ngjashëm veprat a vepërzat e tyre, të përpiluara nën një destinacion të ngjashëm me atë të botimit të Cuneus prophetarum (1685). Tekstet latine të ofruara në format citimesh sa koncize aq dhe korrekte, variantet e shqipërimit të tyre në kolonën më të afërt që përbëjnë dhe dëshmi shkrimore të sprovave me tekstin biblik në gjuhën shqipe, janë një prej linjave studimore më me interes në lidhje me këtë vepër, e cila pikërisht për këtë arsye përbën një prej botimeve që shërbejnë për të rindërtuar dhe një gradualitet arritjesh në lidhje me prurjet nga Bibla në gjuhën shqipe. Renditja në një vijimësi të arsyetuar e mjaft pasazheve nga Ekleziasti, Psalmet, libri i Jobit, libri i Izaisë profet, libri i Hieremisë, i Exekielit, Danielit, libri i Ozesë etj., por dhe i elementeve ungjillore që lidhen me paralajmërimin e ardhjes së Mesisë, të konkretizuara në një frazë shumë të njohur që shërbeu dhe si incipit për lutjen themelore Ave Maria, përbëjnë në të vërtetë momente të formësimit të një mjeshtërie në të shkruar që një autor si Bogdani tashmë e ka të vetën dhe e ushtron në linearitet në krejt shtrirjen e veprës së tij.[3] Trajtesa në pamje të parë biografike që ai ngërthen në pjesën e dytë të kësaj vepre e që i kushtohet figurës së Marisë përbën një tjetër linjë në të cilën mund të gjurmohet gjerësisht jo vetëm arti i të shkruarit, por dhe operimet me sintagma, shprehje e ndërtime që do të shihet se te ky autor kanë vetëm një formë pikënisjeje a dokumentimi, për të marrë më tej një status vijimësie jetëgjatë dhe fatlume.

Autori i veprës Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) ka sjellë për çdo nënsistem gjuhësor një shumësi formash dhe ndërtimesh, në lidhje me të cilat mund të rindërtohen regeste të tëra, që sot dëshmojnë dhe për një lloj përpjesëtimi të atëhershëm mes formash gramatikore analitike dhe sintetike në gjuhën shqipe, të shtjelluara në mjaft tekste dhe paragrafe të kësaj vepre. Familje të tëra fjalësh janë një tjetër dëshmi e trajtave dhe ndërtimeve të konsoliduara që gjejnë mundësi përdorimi në të njëjtin kontekst në faqet e veprës së Bogdanit, për t’u rimarrë më tej në vitet dhe shekujt në vijim, nga vepra në vepër, nga botimi në botim.

Duke dashur të nënvizojmë sërish dhe rëndësinë e studimit të teksteve të tilla në nivelet universitare dhe pasuniversitare, do të shtonim që sa më tepër rëndësi t’i jepet një periudhe të tillë dhe autorëve me të cilat ajo përfaqësohet, aq më e dobishme do të paraqitet për ne të gjithë dhe disiplina e filologjisë së tekstit dhe historia e studimit të teksteve të vjetra shqipe, me gjasë të domosdoshme jo vetëm në degë studimore si gjuha e letërsia shqipe.

Sa herë që konsultojmë shënimet në kaligrafi të Imzot Pooten, të mbajtura dhe në lidhje me kishën e Shkodrës dhe historikun e ipeshkvijve të saj (1863 v.), e pikërisht paragrafin e kreun kushtuar këtij prelati të kishës së Arbërit, që fillon si më poshtë (po aty, f.254): Natus erat Prizreni, e familia Bogdan, Collegii Illyrici Lauretani alumnus, et libris scriptis claruit; – më vijnë në mend dhe fjalë që do të doja të shprehja pikërisht sot:

Patriam suam et linguam Albaniensem valde amabat, fidem Christianam usque ad mortem coluit, nunc in luce immortalitatis cum angelis et Domino nostro Iesu Christo gaudet./drita.info

(Ligjëratë e lexuar në konferecën shkencore në 330-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit, Qendra “BogdaniPolis”, Prishtinë, 6 dhjetor 2019)

 

————-

[1] Bogdani P., Cuneus prophetarum, botim kritik përgatitur nga A.Omari, Tiranë, 2005, Të primitë përpara Letërarit, f.XIV. Shih dhe paragrafin përkatës që shqipërohet prej Bogdanit nga një krye i librit të Ozesë profet, po aty, botim kritik i cituar, Shkall.III, Ligj.X, f.136: Cap.4.Heshti fambullia eme, përse nukë pat dijenë; e përse ti dvove dijenë, kam me dvuem ende unë tȳ priftënijet simeje./ Lat.: Conticuit Populus meus, eo quod non habuerit ʃcientiam: quia tu ʃcientiam repulisti; repellam te, ne Sacerdotio fungaris mihi.

[2] Bogdani P., Cuneus prophetarum, botim kritik i cituar, Shkall.I, Ligj.I, f.4: 14 Aqa u rrit ky mpkat e u derdh ndëpër dhēt, sa për qishdo kafshë kishinë nevojë nierëzitë i shëkrojinë lter’ e vet, e adhëronjinë për Hyj, ndjerë barënatë e kopështinjevet. Ndë Misirt mbajnë për Hyj qepët’ e purrijt, përse vetëhej mugullojnë, e thojnë se kan’atë vërtyt vetëhej, e jo s’jetër aneje. Gjovenali poetë i qeshën tue thanë:

Lumja ti o gjind’ e mirë, Hyji tȳ si purrini, Kopështinjevet pa hirë, posi gramthi vetë bini. 15 Me të njehunë pëganëtë mbë shekullit mbajtinë tridhjetë mijë Hyja e Hyjënesha. I S.Agostini thotë se Romajntë mbajnë 12 Hyj e Hyjënesha ndëpër muej˜të motëmotit. Indistantë mbajnë 30 Hyj e Hyjënesha, ndëpër but˜të venësë; disa adhërojnë bukëlënë për Hyj përse përzijn’ e mbytënte mijtë, të sijtë çartekishinë drithënat; aqa sa thuese nukë po i nxij shekulli, sa po cpifeshinë përditë së paditunit së nierëzet.

[3] Bogdani P., Cuneus prophetarum, botim kritik i përgatitur nga A.Omari, Tiranë, 2005, Shkall.I. Ligj.III, f.12: Falemi Mrī hīrplota, Zotynë me tȳ, bekuem je ti përmbī gjithë grāt.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »