Të falem, o Hirplote!
9 dhjetor 2019 – E hënë, Zoja e Papërlyer, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zan 3,9-15.20; Ps 98,1-4; Ef 1,3-6.11-12; Lk 1,26-38)
Prania e Hyjit
Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.
Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.
Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.
Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.
Ndërgjegjësimi
Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.
Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.
Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.
Fjala
O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
Lk 1, 26-38
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Maria gjeti hir para Hyjit, e megjithatë do të jetë e përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve që do të mund të hidhnin hije mbi dinjitetin e saj. A e rrezikoj ndonjëherë reputacionin tim për shkak të asaj që Hyji kërkon prej meje?
- “Për Hyjin asgjë nuk është e pamundur.” A duhet të kërkoj ndihmën e Gabrielit për të besuar në këtë?
- A kam guxim të them: “Më ndodhtë sipas fjalës sate”? Me hirin e Hyjit do të përgjigjem kur Hyji do të më kërkojë ndonjë gjë.
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban gjithçka dua të them.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Dimensioni i shkrimtarit dhe i lëvruesit të gjuhës në personalitetin e Imzot Pjetër Bogdanit Elementi shqiptar në kryengritjet antiosmane të kohës së Bogdanit »