A besoj në vlerën e çdo personi?

Dec 10 • Meditimi i ditës

11 dhjetor 2019, E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 40,25-31; Ps 103,1-4.8.10; Mt 11,28-30)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë kësaj kohe të Ardhjes reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se kush jam përnjëmend.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala e Zotit
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.

Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 11, 28-30

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kur ngarkesa është aq e rëndë sa që as lutjen nuk mund ta formosh, mbështetu në Zotin. Kur je aq i/e lodhur, i/e dobët sa që as kokën s`mund ta çosh përpjetë, pusho mbi shpatullat e tij, duke e ditur se barra disi do të bëhet më e lehtë, do të ndahet dhe me kohë do të zhduket. Ai ka thënë kështu dhe qëndron besnik ndaj premtimeve të veta.
  • O Zot, bëj që të kem pjesë në punën tënde. Hapmi sytë t`i shoh ngarkesat që i mbartin të tjerët. Hapma zemrën për dhimbjet nuk mund të ndahet, për frikën që nuk mund të shprehet dhe për ata që përballen vetë me errësirë​​n.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

JEZUSI PREMTON PAQEN SHPIRTËRORE

Disa mendime mbi paragrafin Mt 11, 28-30 të Shkrimit të Shenjtë

 

Fjalët e Ungjillit na kujtojnë se Hyji ynë nuk është shumë larg, sidomos në kohë ngushtice. Jezusi e bën këtë premtim dhe këtë ftesë: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh.” Jezusi ripohon atë që thotë Isaia profet (Is 40,25-31), se e kemi një Hyj të dashur dhe të palodhshëm i cili kujdeset për të tijtë. “Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”
Jezusi duket se në rend të parë është duke iu referuar zgjedhave të cilat Ligji i Moisiut ua ngarkonte njerëzve, sidomos siç interpretoheshin nga disa skribë e farisenj. Duke jetuar sipas tyre, ishte thuajse e pamundur të mos e qitësh këmbën diku në vend të gabuar. Dhe, siç e shikonin ata, përsosmëria në sytë e Hyjit ishte vëzhgim i vazhdueshëm dhe zbatim pikë për pikë detyrimesh. Jezusi na çliron nga të gjitha këto. Kjo s`do të thotë që të bëjmë atë që na ka qejfi, por tani gjithçka është reduktuar në një urdhërim të thjeshtë, urdhërimin për ta dashur pa kushte Hyjin dhe të gjithë vëllezërit dhe motrat tona. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, por do ta kuptojmë se mbajtja e urdhërimit të dashurisë ka një efekt çlirues. Kjo na ndihmon të bëhemi njerëz siç duhet të jemi. Duke qenë njerëz që këqyrin vetëm ta zbatojnë ligjin, unë kujdesem për ‘përsosjen’ time vetjake. Duke ndjekur ligjin e dashurisë, përfitoj unë, por edhe vëllai ose motra ime.

Jezusi nuk thotë se në qoftë se shkojmë tek ai se s`do të kemi më probleme, as dhimbje, as zhgënjime … Do të ketë “barrë” për të mbartur, por ai do ta mbartë me ne.
Dikush sugjeroi se “zgjedha e rëndë” të cilës Jezusi është duke iu referuar është një zgjedhë e dyfishtë e përdorur si dy qetë që e tërheqin atë së bashku. Jezusi me atë rast është duke thënë se ai e mbart zgjedhën së bashku me ne.

Jezusi kurrë nuk premton se do ta heq dhimbjen. Ajo që Jezusi bën është ndihma që na jep për të kaluar nëpër dhimbje. Një jetë pa dhimbje, pa asnjë dështim apo zhgënjim, një jetë pa vështirësi apo pa sfida nuk është jetë. Kur fëmijët mbrohen nga prindër të papërvojë që ua plotësojnë çdo tekë të tyre dhe duke parashikuar çdo ndjenjë negative, cili do të jetë rezultati? Bërtitës të llastuar.
Jezusi nuk do të na prishë në atë mënyrë. Sfidat e jetës janë të nevojshme për ne që të rritemi dhe të piqemi. Por ato janë më të lehta të mbarten kur ai i mbart ato me ne, kur ne e dimë se nuk jemi kurrë vetëm në vështirësitë dhe hidhërimet tona. Dhe, për shkak të dhembjeve tona vetjake, jemi në një pozitë shumë më të mirë për të ndihmuar të tjerët të bartin zgjedhat e tyre të mërzisë ose dhembjes, ose të ndonjë sëmundjeje. E çuditshme sa mund të duket, është e mundshme që një botë pa dhimbje do të ishte shumë egoiste dhe individualiste.

Kur ngarkesa është aq e rëndë sa që as lutjen nuk mund ta formosh, mbështetu në Zotin. Kur je aq i/e lodhur, i/e dobët sa që as kokën s`mund ta çosh përpjetë, pusho mbi shpatullat e tij, duke e ditur se barra disi do të bëhet më e lehtë, do të ndahet dhe me kohë do të zhduket. Ai ka thënë kështu dhe qëndron besnik ndaj premtimeve të veta.

O Zot, bëj që të kem pjesë në punën tënde. Hapmi sytë t`i shoh ngarkesat që i mbartin të tjerët. Hapma zemrën për dhimbjet që nuk mund të ndahen, për frikën që nuk mund të shprehet dhe për ata që përballen vetë me errësirë​​n.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »