Jozefi e dëgjon zërin e Zotit

Dec 18 • Meditimi i ditës

18 dhjetor 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 23,5-8; Ps 72,1-2.12-13.18-19; Mt 1,18-24)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht para teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma përkujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala e Zotit

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 1,18-24

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,

të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑

që do të thotë: Hyji me ne!

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jozefi përballet me një vendim të vështirë. Jeta e tij është e shqetësuar për shkak se ai e do Marinë. Do të përpiqem disa momente ta imagjinoj se sa e mirëseardhur ishte për të mesazhi i engjëllit. Sa shpejt vepron duke lejuar që ta udhëheq zemra, jo ndjenja e nënshtrimit të rregullave.
  • Sa shpesh në Shkrimin Shenjt lajmërohen nxitjet e Shpirtit nga brenda, në formë ëndrrash? Sa të ndjeshëm duhet të jenë ata që ëndërrojnë duke e identifikuar Shpirtin Shenjt në zemrat e tyre. A e thërras Shpirtin Shenjt që të më nxisë? A jam i/e gatshëm/e të dëgjoj atë që propozon?

 

Bashkëbisedimi

Ç`po ndodh në mua kur lus?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferente?
E paramendoj Jezusin se si qëndron apo është ulur afër meje
dhe ia tregoj të gjitha ato që ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Paragrafi i sotëm vijon menjëherë pas të djeshmit lidhur me gjenealogjinë e Jezusit.

 

JOZEFI DËGJON ZËRIN E ZOTIT

Disa mendime mbi paragrafin Mt 1, 18-24 të Shkrimit të Shenjtë

Për Hebrenjtë e kohës së Jezusit ekzistonin tri faza të vënies kurorë. Ishte angazhimi, pastaj fejesa, dhe më në fund vënia kurorë. Fejesa ishte një angazhim serioz. Ajo tashmë ishte pjesa e parë e martesës. Nuk do të kishte marrëdhënie seksuale pasi çifti nuk jetonte ende së bashku, por kjo ishte një marrëdhënie e detyrueshme. Jeta normale bashkëshortore fillonte disa muaj më vonë, kur burri e merrte të fejuarën e tij në shtëpinë e vet. Ta shkelësh fejesën duke pasur marrëdhënie seksuale me një person tjetër ishte e barabartë me tradhti.

Paramendoje, pastaj, dilemën e tmerrshme të Jozefit. Ai zbulon se gruaja për të cilën ai ishte tashmë i fejuar, por me të cilën ai nuk e kishte konsumuar lidhjen e tyre në martesë, tashmë qenkësh shtatzënë. Këtu mund të ekzistonte vetëm një shpjegim, ajo paskësh qenë e pabesë dhe qenkësh duke e bartur fëmijën e një burri tjetër. Kjo ishte një çështje shumë serioze dhe, në qoftë se do ta bënte publike, Maria do të bëhej përgjegjëse dhe do të vritej me gurë.
Por Jozefi ishte njeri “i drejtë”. Si ndjekës i devotshëm i Ligjit të Moisiut, ai do të mund të thyente bashkimin me dikë që e kishte thyer kështu seriozisht Ligjin. Megjithatë, për shkak se ishte një njeri aq i mirë, ai nuk deshi ta ekspozonte atë një dënimi të ashpër. Këtu, për kohën e tij dhe në të vërtetë për kohën tonë, ai tregon vetëpërmbajtje të jashtëzakonshme. Pak njerëz do të pranonin një situatë të tillë me qetësi dhe vetëpërmbajtje të tillë. Shumica do ta konsideronin atë një goditje e fortë ndaj burrërisë së tyre.

Ky është ai momenti i ndërhyrjes hyjnore dhe Hyji i komunikon situatën e vërtetë të Jozefit, i cili u sigurua se asnjë burrë tjetër s`kishte qenë i përfshirë, se ajo mbeti shtatzënë me anë të fuqisë së Shpirtit të Hyjit. Jozefi qe udhëzuar më tej ta quante fëmijën e porsalindur Jezus. Jezus, në hebraisht “Joshua”, në këtë kohë kishte kuptimin “Zoti shpëton”. Jezusi u quajt kështu sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.
Dhe, siç i pëlqen Mateut të bëjë, ai tregon se e gjithë kjo është përmbushje e një profecie të Besëlidhjes së Vjetër (duke ndjekur tekstin e Septuagintës Isaia 7,14) se një e virgjër do të lindë një djalë dhe ai do të quhet “Emmanuel” ose “Hyji-është-me-ne”. Kjo do të ri-jehojë kur, në fund të ungjillit të Mateut, Jezusi u tha dishepujve të vet pak para se të ngjitet te Ati i tij: “Unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!”. Jezusi mbetet me ne përjetë.

Jozefi, tani i qetësuar, e mori në shtëpi Marinë për grua. Dhe ai nuk pati marrëdhënie seksuale me të, derisa lindi Jezusi. Kështu s`ka asnjë dyshim rreth origjinës së Jezusit. Ai ka një nënë njerëzore, por një At hyjnor. Ai do të jetë Shpëtimtari i përsosur i popullit të tij: në një person plotësisht njerëzor fuqia e Zotit vetë do të jetë në vepër.
Jezusi është ende Emmanueli ynë, Hyji ende jeton me popullin e tij. Ai e bën këtë përmes Trupit të Jezusit të Ngjallur, Kishës, Bashkësisë së krishterë dhe bashkësive të saja në të gjithë botën. Çdonjëri prej nesh është i thirrur për të qenë Emmanuel. Nëpërmjet nesh njerëzit mund ta takojnë Hyjin dhe të dëgjojnë mesazhin e dashurisë dhe shpëtimit, të faljes dhe pajtimit. Le ta ripërtërijmë angazhimin tonë për të qenë Emmanuel për njerëzit në jetën tonë.

(“livingspace.sacredspace.ie”; përktheu: Don Shtjefën Dodes)

Comments are closed.

« »