Mos u tremb, Zakari, lutja jote u pranua…

Dec 19 • Meditimi i ditës

19 dhjetor 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gjq 13,2-7.24-25a; Ps 71,3-6b.16-17; Lk 1,5-25)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj të kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që përshkon përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë prishur, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye e ndiej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala e Zotit

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Çfarë jam duke dëgjuar?
Lexoje tekstin disa herë.

 

Lk 1, 5-25

 

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë. 6 Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.

8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha:

“Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre. 17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.”

18 Atëherë Zakaria i tha engjëllit:

“Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar.”

19 Engjëlli iu përgjigj:

“Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm. 20 Dhe, ja, ti do të mbetësh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha.”

21 Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore. 22 Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.

23 Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet. 24 Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte:

25 “Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Zakari, ke jetuar një jetë të përkushtuar dhe të ndershme. Po shërbeje atë ditë si prift para Hyjit, si çdo ditë tjetër. Me përpikëri i mbaje ritet e pastrimit. Por asgjë nuk ka mundur të të përgatitë për një takim të drejtpërdrejtë me Hyjin. Kurrë nuk ke menduar se do të të dëgjohet dëshira për të pasur një fëmijë. A të përngjaj ndopak ty?
  • Sa e jetojmë jetën thjeshtë duke bërë atë që jemi të detyruar të bëjmë ose atë çfarë pritet prej nesh? A mund të kemi më shumë jetë duke kërkuar hirin e momentit? A mund t`i drejtohemi Hyjit tonë dhe të dimë se Ai na dëgjon? A mund t`i duam më të dashurit tanë në mënyrën që kurrë më s`do t`i shikojmë përsëri? Zakaria i shkretë, po ta kishte një shans të dytë, do ta kishte përqafuar engjëllin, sepse në takim i pat premtuar “gëzim dhe galdim”.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

FRIKA DHE BESIMI
Disa mendime mbi paragrafin Lk 1, 5-25 të Shkrimit të Shenjtë

 

Thomas Bambrick, S.J.

“Pa e parë, s`besoj” (“Më duhet ta shoh njëherë, pastaj besoj.”) Sa herë i kam thënë (ose menduar) këto fjalë! Dhe zakonisht ndodh kështu për shkak se jam i frikësuar – kam frikë se do të dukem qesharak, frikë se do të zhgënjehem, apo edhe frikë se ç`do të thotë në qoftë se besimi a dëshira ime del e vërtetë. Shumë shpesh u lejoj ndjenjave të frikës të më udhëheqin duke më larguar për të parë dhe vepruar me besim, besë dhe shpresë.
Në udhëzimet e tij lidhur me shoshitjen e shpirtrave, Shën Injaci na mëson se frika në përgjithësi nuk vjen nga Hyji. Kur e ndiejmë se kemi frikë, kemi nevojë të shkojmë te ajo frikë në veten tonë, përpiqemi ta gjejmë se prej nga është duke ardhur ajo, dhe pastaj refuzojmë të veprojmë apo marrim një vendim nga kjo frikë. Në vend të kësaj, gjithmonë duhet të përpiqemi të veprojmë në mënyrën që na tërheq më thellë në besim, shpresë dhe dashuri.
Në Ungjillin sipas Lukës 1, 5-25, Zakaria zgjedh të lejojë që frika e tij ta udhëzojë. Edhe pse engjëlli Gabriel i paraqitet dhe i ofron atij po atë gjë për të cilën ai dhe Elizabeta ishin lutur shumë, Zakaria refuzon të besojë. Në vend se të pranojë me besim “gëzimin dhe galdimin” që engjëlli parakallëzonte, Zakaria insiston se ai nevojitet të shohë atë për të besuar.
Ndonjëherë, ndoshta na duhet të besojmë për të parë. Ndoshta na duhet të lejojmë të shkojnë ndjenjat tona të frikës që zakonisht çojnë vetëm në dëshpërim dhe vuajtje, dhe të zgjedhim për të parë me sytë e besimit.

A beson se Zoti është në veprim në ty dhe në jetën tënde? Si mund t`i lëshosh ndjenjat e tua të frikës në mënyrë që të mund të shohësh dhe të përgjigjesh me besim në mënyrën se si Hyji tashmë është duke vepruar në ty dhe në botën rreth teje?

Shpërndaje

Comments are closed.

« »