Ungjilltari i Zotit Dashuri
27 dhjetor 2019, E premte, Shën Gjoni ungjilltar, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Gjn 1,1-4; Ps 97,1-2.5-6.11-12; Gjn 20,1-8)
Prania e Hyjit
“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.
O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.
Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Zoti i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala e Zotit
Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.
Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Gjn 20, 1-8
1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”
3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. 6 Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.
8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- “Nxënësi të cilin Jezusi e donte” është Gjoni, ungjilltar. Ai nuk është emëruar direkt dhe për këtë arsye aplikohet për mua dhe për të gjithë anëtarët e “Momentit të shenjtë” sepse Jezusi edhe ne na do.
- Ngjallja është iniciativë hyjnore për ta shpëtuar botën tonë. Hyji depërton në historinë njerëzore dhe asgjë më nuk do te jetë njëjtë. Tani e kemi shpresën, por jo në veten tonë, por në atë çka bën Hyji. Jetojmë në një botë që e provon dhimbjen e lindjes së ngjalljes së re.
- Do të lus që për këtë të mund të dëshmoj me jetën time.
Bashkëbisedimi
Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.
Dashuria ima u përhaptë dhe i prektë të tjerët.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Krishtlindja ime: Zoti vjen për ta ngrohur planetin tonë Zemërimi i tepëruar vret të pafajshmit »