CARPE DIEM – Vlerësimi i kohës dhe përdormi i saj

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Nëse koha gjen kuptimin e vet në amshim,

atëherë kjo duhet të kuptohet duke u nisur nga kjo e fundit.” 

Martin Heidegger

 

Në periudha të ndërrimit të moteve, është bërë e zakonshme, madje e pashmangshme, të ngrihen shumë pyetje rreth atyre gjërave që bota moderne bashkëkohore i quan drejtpeshime a balancime, planifikime, parashikime, analize e s’di çfarë.

Këto ditë, në mbarim të një viti të lënë pas dhe në fillim të një viti të ri kalendarik, kemi planifikuar shumëçka që do të mund të realizohet brenda një intervali kohor 365 ditësh. Dëshirat tona janë që të përmbushim kohën me gjëra të ndryshme në sferën profesionale, shpirtërore dhe materiale.

Planifikimet, parashikimet, përllogaritjet… duket se janë të domosdoshme, të shikuara si procese dhe si mënyra për t’i zbatuar dhe realizuar aspiratat shumëdimensionale të njeriut. Sot, nëse nuk planifikon dhe s’ngutesh për të kapur zhvillimet më të reja që po ndodhin gati-gati çdo minutë, mund të ngelesh mbrapa dhe ritmin vështirë se mund ta zësh më. Ne njerëzit kemi filluar ta bëjmë jetën në vrap, sa që shumë pak e ndoshta asgjë nuk ndodh pa “ankth” e “stres”. Gjithnjë e më shumë po e përjetojmë këtë vrap të madh e të pandalshëm të njeriut të sotëm. Ky mentalitet na ka mbërthyer në ritmin e vet, duke na vjedhur çaste (më) të vlefshme; ndjenjën e dëgjimit, të kundrimit dhe përjetimin e vetvetes. Nëna Tereze e shpreh bukur këtë mentalitet të kohës së sotme, kur thotë: “Sot nuk kemi më kohë as ta shohim në fytyrë tjetrin, nuk kemi kohë të flasim, të rrimë pak bashkë. Bota ka nevojë të dëshpëruar për ëmbëlsi dhe mirësjellje; njerëzit vdesin nga uria për dashuri, sepse të gjithë vetëm vrapojnë pa e kthyer kokën“.

Ky ritëm mbarëbotëror, në mënyrë të veçantë, na shtyn të mendojmë për vlerësimin dhe përjetimin e kohës, domethënien e saj, rëndësinë dhe raportet tona me këtë realitet ‘magjik’.

Prej se njerëzimi ka filluar ta planifikojë me arsye kohën si realitet i pandashëm i qenies njerëzore, qysh atëherë nuk pushon të shtrohet pyetja: Çka është koha?

Kjo pyetje është shumë tunduese për njeriun, sepse ajo të tërheq në vazhdimësi për të përsiatur fuqinë e saj metafizike. Koha nuk është objekt i kapshëm në mënyrë empirike. Ajo ikën vazhdimisht nga empiria jonë, duke u bërë e “matanshme”, e mistershme, e njëkohësisht e këtushme, jetojmë bashkë me të dhe përballja me të është e pashkëputshme. Përpjekjet e shumta për të përkufizuar kohën, në të shumtën e rasteve, kanë qenë donkishotiane.

Aristoteli në filozofinë e tij a ka kuptuar kohën si një ndër kategoritë filozofike të të qenit, apo tipar i ekzistencës. Për te koha është lëvizje (çastesh) e asaj para dhe asaj pas, përkatësisht si lëvizje e çasteve të ardhshme. Edhe për shumë filozofë të tjerë të mëdhenj koncepti kohë ka qenë një arrë e fortë, siç thuhet, për t’u përsiatur, dhe secili prej tyre ka dhënë definicione të ndryshme, përkufizime jo edhe të ngjashme njëra me tjetrën, e kështu ka mbetur i pakapshëm deri në fund kuptimin i saj. Për Platonin dhe Newtonin koha është reale, për Kantin është formë apriori shqisore. E për ndonjë tjetër koha është ireale.

Një ndër ata që e ka ngacmuar për së tepërmi koncepti kohë, ka qenë edhe Shën Augustini, filozof dhe teolog i madh i shek. IV. Ai në “Rrëfimet” e tij e ka thelluar mendimin me shumë pyetje në lidhje me kohën, duke e parashtruar atë me një theks të veçantë në raport me krijimin dhe amshimin, përkatësisht me Hyjin. Përsiatjet e tij kanë filluar në kundrimin e asaj që shohim, krijesat që vetë Zoti i ka krijuar në një kohë. Ato, si të tilla, janë krijuar në një çast (kohor) dhe pas një kohe ato ndryshojnë dhe, së fundi, edhe mbarojnë së qeni në kohë. Augustini, i nxitur nga dijetarë të tjerë, pyet: A ka pasur kohë para krijimit? D.m.th. kategoria kohë a është kategori e rendit të krijimit të botës apo ajo ka ekzistuar edhe para krijimit, përkatësisht a ka kohë në Qenësinë e Hyjit?

Duke i shkoqitur dy konceptet filozofiko-teologjike kohë dhe amshim, Augustini vjen në përfundim se koha është kategori e krijimit, ajo ka filluar të ekzistojë atëherë kur Zoti ka krijuar gjithësinë me fjalët: Le të bëhet. Dhe nga çasti i krijimit, e ekzistuara ka filluar të jetojë në kategoritë e veçanta që janë e veçanta e botës së krijuar. E si mund të jetë ndryshe kur Zoti është Qenie në vete e pandryshueshme? Zoti është e Tashmja e amshueshme, kurse në kalojmë, ecim dhe e kemi mundësinë e ndryshimit.

Viti kalon e ia lë vendin vitit tjetër që vjen. Është një rritje në kohë që jepet si mundësi e qenësisë sonë. A nuk do të mund të kuptohen fjalët e zanafillës biblike në këtë kuptim, përkatësisht fjalët “Shkoni e shumojuni e mbusheni tokën”. Koncepti kohë është mundësi dhe dhuratë për t’u rritur, për të ndryshuar…

Ne jemi të mbështjellë në tredimensionalitetin e kohës: me kohën e kaluar, me të tashmen dhe me të ardhmen. Ne e masim kohën në këtë tredimensionalitet. Por edhe kjo matje për Shën Augustinin është një mënyrë jo e përsosur për ta kapur në plotësi atë çka koha është në vetvete. Sepse e kaluara nuk është më, e tashmja zgjat shumë pak dhe e ardhmja nuk ka ardhur ende. Mundësia e të shprehurit të njeriut emërton realitetin e kohës duke e perceptuar vetëm të tashmen si çast që lëviz dhe atë e quan të kaluar, dhe atë që vjen e quan të ardhme, kurse çastin e drejtpërdrejtë e quan të tashme. Shën Augustini këtë tredimensionalitet e përsiat sipas asaj se si përjetohet në qenien tonë, në shpirtin tonë, sepse ajo, në të vërtetë, s’mund të ekzistojë në një vend tjetër. Sipas tij ekziston vetëm e tashmja në tri dimensione: e tashmja e asaj që ka kaluar është në kujtesën tonë, e asaj që është e tanishme është perceptimi, e asaj që është e ardhshme është parashikimi (khs. Rrëfimet 11, 20, 26). Jemi para një misteri të madh! Shën Augustini këtij misteri i përgjigjet kështu: “Në qoftë se nuk më kërkon kush (ta shpjegoj), unë e di; në qoftë se dua t’ia shpjegoj atij që më kërkon, nuk e di.” (Rrëfimet 11,14).

Duke qenë se jemi përballë një realiteti që s’ka mundësi të manipulimit dhe sundimit mbi të, ne njerëzit i nënshtrohemi ligjeve të saja. Por ky nënshtrim nuk duhet nënkuptuar si një pesimizëm, përkundrazi, koha është njëra ndër dhuratat më të çmuara të Zotit për çdo njeri. Në kohë lindim, jetojmë dhe në kohë e mbarojmë rrugën e jetës tokësore. Për këtë arsye shekuj me radhë njerëzimi e ka vlerësuar, çmuar kohën si thesar, si gjënë më të shtrenjtë të jetës dhe është munduar ta shfrytëzojë që ajo të jetë në “favor” të tijin. Sepse në kohë ne ndërtojmë vetveten, përjetojmë çastet, periudhat e ndryshme të jetës.

Hyji, këtë dhuratë, na ka falur si mister, një burim të përhershëm kërkimi, për të na udhëhequr dhe dërguar drejt një misteri më të madh, që është amshimi. Sa ma shumë që e perceptojmë kohën, d.m.th. sa ma shumë e përjetojmë misterin e kohës, si pjesë të jetës sonë të përditshme, aq më tepër i afrohemi dhe participojmë, parashijojmë amshimin e Tij.

Me të drejtë poeti romak Horaci në librin e vet me poezi lirike “Carmen 1, 11” thotë: carpe diem – shfrytëzoje ditën (kohën), përmbushe ditën, kape çastin. Kjo thënie është bërë fjalë e urtë thuajse tek të gjithë popujt, e cila na përkujton rëndësinë dhe vlerësimin e kohës si dhuratë. Koha nuk guxon të na ikën në kotësi, në dehje, gjumë e ëndërrime. Çdo çast kohor është pjesës e pakthyeshme e ekzistencës sonë. Siç e thoshte në mënyrën augustiniane Shën Nënë Tereza: “E djeshmja nuk është më, e ardhmja ende nuk ka ardhur. E kemi vetëm të sotmen. T’ia fillojmë”. Të mos e përjetosh çdo çast të jetës është një humbje, dëm, mëkat i madhe për njeriun.

Koha duhet me u marrë në prizmin e përjetësisë, po deshëm ta kapim kuptimin e saj të vërtetë, apo siç e thotë në krye të këtij shkrimi Martin Heidegger: “Nëse koha gjen kuptimin e vet në amshim, atëherë kjo duhet të kuptohet duke u nisur nga kjo e fundit.” Kjo duket të jetë e vërtetë, pasi në vetë njeriun pushon një dëshirë e madhe për amshimin, për Hyjin – burimin dhe qëllimin e tij.

Koha dhe amshimi takohen, pajtohen dhe përmbushen në Personin e Jezu Krishtit, Zot e Njeri, dhe vetëm në Personin e Tij e gjejmë kuptimin e kohës dhe na zbulohet misteri i amshimit./drita.info

Shpëndaje: