Jezusi rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti…
30 dhjetor 2019 – E hënë, Tetëditëshi i Krishtlindjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,12-17; Ps 96,7-10; Lk 2,36-40)
Prania e Hyjit
Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.
Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.
Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga frika dhe brengat e mia,
që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.
Ndërgjegjësimi
Kur i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.
Fjala e Zotit
Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.
Lk 2, 36-40
36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.
39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.
40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Merre me mend gëzimin e Anës! Kaq shumë vite me besnikëri kishte jetuar në tempull. Njerëzit e shihnin, ishte “pjesë e inventarit të familjes.” Ajo në mënyrën e vet është grua e shenjtë. Dhe pastaj vjen ky moment ngazëllimi kur e njeh Zotin që është i pranishëm në formë njerëzore. I flet çdonjërit për këtë. Edhe unë duhet të flas për Hyjin të lindur në botën e sotme.
- Duhet të ketë reflektuar Maria pafundësisht në zemrën e vet në lidhje me fëmijën e ve Është aq i thjeshtë: ha, fle, luan, qesh dhe qan. Mëson shpejtë, është fëmijë i bekuar. Por a është premtimi i engjëllit i vërtetë: se ai është në të vërtetë Biri i Hyjit? Si është kjo e mundur? E megjithatë, ka grimca vërtetimi: bekimi i Elizabetës, engjëjt dhe barinjtë, mbretërit nga lindja, dhe tani Simoni dhe fjalët e Anës. Marisë i është dhënë mjaftueshëm që të mund të besojë, kështu edhe ne.
Bashkëbisedimi
Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Familja e Shenjtë: një model i bashkësisë familjare për çdo kohë Kërshëndellat në Kosovë: kohë gëzimi, vëllazërimi dhe paqeje »