Kërshëndellat në Kosovë: kohë gëzimi, vëllazërimi dhe paqeje

Dec 30 • Kisha në Kosovë

Festa e Krishtlindjes në Kosovë është njëra ndër kohët më të gëzueshme dhe vëllazërimi mes njerëzish. Është një periudhë kur qytetarët e Kosovës, jo vetëm besimtarë të krishterë, festojnë bashkërisht, në forma të ndryshme: që nga dekorimet e shesheve, kishave, shtëpive e objekteve tjera, deri te vizitat e shumta të kishave nëpër tërë Kosovën. Një atmosferë kjo e cila mbretëron gjatë tërë muajit të dhjetorit, përkatësisht gjatë kohës liturgjike të adventit dhe krishtlindjes.

Dioqeza jonë Prizren-Prishtinë, aktivitetet kryesore, qendrore të kremtimit të festës së Krishtlindjes i zhvillon në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të cilat i prinë bariu ynë shpirtëror Imzot Dodë Gjergji.

Pritja solemne për Krishtlindje, që organizohet përvjetshëm për të shkëmbyer urimet e festës, për besimtarë, miq e dashamirë,  u organizua në vigjilje të Krishtlindjes në Qendrën “BogdaniPolis”, në të cilën ipeshkvi mbajti fjalën e rastit dhe uroj të gjithë për festën e Krishtlindjes.

Në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, të mbushur përplot me besimtarë e miq, gjysmë ore para meshës së mesnatës, u mbajt një koncert i fëmijëve të Famullisë së Prishtinës, i udhëhequr nga m. Dominika Gjergjaj, dhe e ndihmuar nga katekistët. Këngët dhe recitimet e fëmijëve gjithnjë janë një hyrje e bukur dhe e përshtatshme për të përjetuar misterin e lindjes së Krishtit.

Meshën solemne të mesnatës e kryesoi Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Dioqezës sonë, në bashkëmeshim me meshtarët, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga RTK, që mundëson të përcillet prej mijëra njerëzve gjithandej nëpër botë.

Në homelinë e tij, ipeshkvi e përkufizoi festën e Krishtlindjes si festë e gëzimit të madhe për të krishterët dhe si shkak i ndryshimit të zemrave, ftesë për kthimin tonë të përhershëm kah Ati Qiellore. Më poshtë po sjelli pjesë nga homelia e tij:

Për besimtarin, Kërshëndellat janë  festa e gëzimit të madh, për dashurinë që Hyji i ka dhuruar  botës, duke mishëruar Fjalën e Amshueme në kraharorin e Virgjërës Mari. Që  është ndërmarrja më e madhe e Hyjit në përpjekjen e Tij të amshueshme për ta ripërtërirë veprën e vet më të përkryer, që jam unë e ti, vëlla dhe motër e dashur.

Kur ta besojmë këtë gjë, e kur të shohim se si Shpirti i Zotit, që na është dhuruar, na ka bërë  më të dhimbshëm, më të mëshirshëm, më të butë, më bujarë, më besnikë, më të dashur, më paqedashës e më të përvuajtur, atëherë e falënderojmë Zotin për këto dhurata dhe kremtojmë me gëzim festën e Kërshëndellave. Kur këtë gëzim e bashkëndajmë me bashkësinë e të pagëzuarve, brenda Kishës, kremtimi i Kërshëndellave bëhet moment vëllazërimi, paqeje dhe lumturie, që na forcon t’i  përballojmë  me dashuri e me duresë vështirësitë e përmendura më lart. Sepse, ne, në Krishtin, kemi gjetur udhërrëfyesin e shtegtimit tonë në  botë, mësuesin e jetës, shpërblyesin e mëkateve tona, ndërmjetësuesin që na pajton me Atin Qiellor,  shpëtimtarin e vërtetë, ngadhënjyesin mbi vdekjen dhe Zotin e jetës.  Kjo e bën të natyrshme lumturinë, gëzimin dhe këngën  e Kishës, “Lavdi Hyjit në të lartin qiell e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”.

Kërshëndellat, në thelbin e vet, bartin ftesën e Zotit për kthim kah Ai, kështu që ne, të cilët me sytë tanë arrijmë të shohim tërë botën, por jo fytyrën tonë, në shkëlqimin e dritës së Tij,  e njohim bukurinë e shpirtit tonë.

Ftesa e Krishtit për kthim nuk është ofertë që të lëmë një gjë e të marrim diçka tjetër. Nuk është as kërkesë për me i râ mohit një religjioni e për të përqafuar një tjetër. Por, është një ftesë për ta  konvertuar zemrën, në mënyrë që ajo të mbushet me dashuri e të jetë e aftë ta dojë njerëzimin, tokën  dhe qiellin, si Zoti; është ftesë për ta konvertuar shpirtin në Shpirt të Zotit, që na bën më të mirë, më të dhimbshëm, më të mëshirshëm, më të butë, më të drejtë e më të shenjtë. Ky ndryshim na bën njerëz të rinj, që bartin në vete lajmin e mirë të shpëtimit; shndërrohemi në burim dashurie, bëhemi bartësit e paqes dhe dëshmitarët e Zotit.”

Në pjesën e dytë të homelisë ipeshkvi u përqendrua në gjendjen e sotme dhe përkujtoj përparësitë dhe mangësitë e jetës shoqërore, politike dhe kulturore që mbretërojnë tek ne.

Në rend të parë, ai theksoi se feja dhe dashuria e Krishtit, duhet të na nxisë për veprimtari të dashurisë konkrete, që janë: ndihma e të varfërve e të pastrehëve, tejkalimi i mosmarrëveshjeve në jetën publike dhe politike, vazhdimi i dialogut për të krijuar institucionet, shërbimi vetëflijues i të të zgjedhurve ndaj qytetarëve dhe vendit.

Ipeshkvi, nuk mungoi të përmend gjendjen e vështirë që Shqiptëria përjetoi muajt e fundit me tërmetin që shkaktoi shuarje jetësh të pafajshëm, la shumë të pastrehë, e të lënduar.

Një ndër pikat e homelisë së tij ishte edhe fenomeni që ndjehet kohët e fundit gjithandej te populli ynë për një mosbesim kolektiv tek e ardhmja dhe zërat e kohës së fundit nga disa anëtar të familjes europiane që gjykojnë për mbishtresa kulturore, nuk ndihmojnë në rritjen e identitetit evropian të shqiptarëve, por shtyjnë tek iniciativa “hibride” – siç e tha ipeshkvi – duke na konsideruar si një etnitet politik, ndryshe na ta.

Atmosfera e krishtlindjes vazhdoi edhe tek tregu i Krishtlindjes në sheshin e Katedrales duke shkëmbyer urimet më të mira të kësaj feste gëzimi dhe vëllazërimi./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »